Ndryshojnë kriteret e subvencionit të qirasë nëpërmjet buxhetit të shtetit, ja mënyra e re e llogaritjes për të gjitha kategoritë

0
412

Qeveria ka miratuar së fundmi një vendim që përcakton kriteret për dhënien e subvencionimit të qirasë të banesave në pronësi të pronarit social, nëpërmjet buxhetit të shtetit, për individët/familjet, që gëzojnë përparësi në përfitimin e këtij programi të strehimit social si dhe mënyrën e llogaritjes së subvencionimit të qirasë në tregun e lirë. Vendimi i ri i qeverisë nënvizon se përparësi në subvencionimin e qirasë, sipas sistemit të pikëzimit, kanë por pa u kufizuar në to, kategoritë e përcaktuara në nenet 33 dhe 34/3 të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, përfshirë individët, që dalin nga sistemi i përkujdesjes alternative, që janë: Individët me statusin e jetimit; Personat me aftësi të kufizuar; Të moshuarit; Invalidët e punës; Familjet e policëve të rënë në detyrë; Emigrantët e rikthyer; Punëtori emigrant; Azilkërkuesit; Familjet e komunitetit rom; Familjet e komunitetit egjiptian; Viktimat e dhunës në familje; Viktimat e trafikimit/viktimat e mundshme të trafikimit; Prindërit e vetëm, që kanë në ngarkim fëmijë; Individët, që i përkasin komunitetit LGBTI; Të miturit, 14-18 vjeç, dhe të rinjtë, 18-21 vjeç, në konflikt me ligjin; Vajzat nëna, pas daljes nga programi i banesave sociale të specializuara; Familjet me statusin e qiramarrësit në banesa ish-pronë private, sipas Aktit Normativ me Fuqinë e Ligjit nr.3, datë 1.3.2012. Radha e përparësisë së këtyre kategorive përcaktohet në përputhje me sistemin e pikëzimit, që miratohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Pesha e pikëve që njësia e vetëqeverisjes vendore i ngarkon këtyre kategorive varet nga përqindja që zë secila kategori ndaj totalit, bazuar në numrin e përgjithshëm të aplikimeve të këtyre kategorive. Ministria përgjegjëse për strehimin përcakton kategoritë që gëzojnë përparësi për përfitimin e subvencionimit të qirasë, kur financon ose bashkëfinancon nga buxheti i shtetit. Përparësitë përcaktohen çdo vit, bazuar në prioritetet e programeve qeveritare. Që një familje/individ të përfitojë subvencionimin e qirasë duhet të plotësojë kriteret e përcaktuara në njërin prej rasteve të shkronjës “a”, të nenit 16, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”, dhe të mos ketë të ardhura më të larta se ato të përcaktuara në nenin 20, të tij.

Vlera e subvencionit

Në vendim përcaktohet se njësia e vetëqeverisjes vendore përcakton vlerën konkrete të subvencionimit të qirasë për banesat në pronësi të pronarit social në tregun e lirë, bazuar në: vlerën mesatare të qirasë në tregun e lirë, e cila vlerësohet sipas zonave të ndryshme urbane e rurale të një njësie të vetëqeverisjes vendore; të ardhurat familjare, sipas kategorizimit të pikës 44, të nenit 2, të ligjit nr.22/2018; aftësinë e familjes për të përballuar pagesat mujore të qirasë, sipas përcaktimeve të nenit 3, të ligjit nr.22/2018. Masa e subvencionimit të qirasë për çdo individ/familje llogaritet si diferenca ndërmjet qirasë reale, që paguan familja, dhe aftësisë së individit/familjes për të përballuar pagimin e qirasë, e cila llogaritet për 12 muajt e fundit. Qiraja reale nuk mund të jetë më e lartë se qiraja mesatare, sipas shkronjës “a”, të pikës 4, të këtij vendimi. Masa e subvencionimit të qirasë është: e plotë, për të gjithë vlerën e qirasë të përcaktuar për familjet pa të ardhura, sipas përcaktimit të shkronjës “ç”, të pikës 45, të nenit 2, të ligjit nr.22/2018; e pjesshme dhe në raport të zhdrejtë me të ardhurat mesatare të individit/familjes, në përputhje me kategorizimin e parashikuar nga shkronjat “b” e “c”, të pikës 45, të nenit 2, të ligjit nr.22/2018, sipas formulës në shtojcën “A”, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Kur subvencioni i qirasë është i pjesshëm, shihet mundësia e uljes së tij pas tre muajve, në varësi të të ardhurave që mund të vijnë nga punësimi apo burime të tjera të ligjshme për individët/familjet që përfitojnë prej tyre; e barabartë me zero, kur një familje me të ardhura mujore mesatare shpenzon më pak se 25% të të ardhurave mujore për pagesën e qirasë. Ministria përgjegjëse për strehimin, mbështetur në kërkesat e njësive të vetëqeverisjes vendore, garanton fondet buxhetore vjetore për subvencionimin e qirasë për banesat e pronarëve socialë në tregun e lirë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here