Institucionet e reja të drejtësisë në “kolaps”, KPK dhe KPA mungesë stafi, KLP dhe KLGJ ende pa godinë, ja detajet

0
390

Organet e reja të sistemit të drejtësisë duket se vuajnë për staf. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit po mbushin dy vite nga krijimi, por akoma nuk janë kompletuar me staf pune. Kjo gjë faktohet nga një vëzhgim në faqet zyrtare të KPK dhe KPA. Vetëm në dy muaj të fundit KPK ka rishpallur pesë herë thirrjet për vende vakante pranë këtij organi. Në muajin prill Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka rihapur garën për këshilltar ligjor dhe dy përkthyes. Por duket se gjërat nuk kanë shkuar shumë mirë. Një muaj më pas KPK është detyruar të rihapë garën për përkthyes dhe këshilltar ligjor. Mesa duket, organi që kalon në sitë gjyqtarët dhe prokurorët në vend vuan për të gjetur njerëz të aftë dhe për t’i punësuar. Rishpallja më e fundit nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është bërë në datën 27 maj, ku kërkon përkthyes. Ndërkohë, më herët KPK ka rishpallur edhe vendet vakante për Sekretar të Përgjithshëm, për specialist të sekretarisë gjyqësore, për këshilltarë ekonomikë, për drejtor në Drejtorinë e Menaxhimit të Çështjeve dhe Marrëdhënieve me Publikun apo specialist për zbardhjen dhe redaktimin e vendimeve. Më problematikët në KPK duket se janë përkthyesit sepse vetëm për këtë pozicion pune është rishpallur thirrja më shumë se dy herë. E njëjta situatë është edhe në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Edhe KPA ka hapur disa herë garën për specialist të sekretarisë gjyqësore dhe për përkthyes në Drejtorinë e Menaxhimit të Çështjeve dhe Marrëdhënieve me Publikun. Për këtë të fundit gara është hapur dy herë. Pra, edhe KPA, ashtu si KPK, ka mungesë stafi dhe nuk po gjen dot njerëz të zotë që përmbushin kriteret, çka e detyron që herë pas here të rishpallë thirrjet.

KLP dhe KLGJ ende pa godinë

Situata kaotike ka përfshirë edhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Të ngritur që nga muaji dhjetor, për KLP dhe KLGJ nuk janë fiksuar akoma zyrat e punës. Momentalisht të dy organet i kryejnë mbledhjet e tyre tek zyrat e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Mbase për KLGJ situata paraqitet pak më ndryshe sepse duke qenë se ka zëvendësuar KLD, mund t’i shfrytëzojë ambientet e organit që tashmë ka pushuar së funksionuari. Por për KLP situata është vërtetë kaotike. Për të faktuar problemin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë me ambientet e punës, kujtojmë që kryetari Genti Ibrahimi i dërgoi pak kohë më parë një shkresë zyrtare Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, ku i kërkonte që përkohësisht të shfrytëzonte disa zyra tek Prokuroria e Përgjithshme. Mungesa e godinave përkatëse ka shkaktuar edhe tensione në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Anëtarët janë ankuar se në këto kushte është shumë e vështirë të punohet. Madje kryetari i KLP, Genti Ibrahimi, në një nga mbledhjet e mbajtura, ka kërcënuar edhe me dorëheqje. Sipas tij, KLP nuk ka ende kushtet e përshtatshme që të mundësojë një proces pune të drejtë dhe transparente. Po ashtu dhe anëtarë të tjerë kanë nisur të shfaqin ankesa ndaj qeverisë e mazhorancës, duke kërkuar më shumë kushte. Kujtojmë që në dhjetor qeveria miratoi një vendim, i cili u botua në Fletoren e Botimeve Zyrtare, që kishte të bënte me ambientet e punës së KLP dhe KLGJ. Aty thuhej se zyrat e punës së KLP dhe të KLGJ do të ishin tek një ndërtesë në Rrugën e Dibrës, por ky vendim nuk u zbatua kurrë.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here