Dokumentet, ja si Tito synonte të bënte Shqipërinë pjesë të Jugosllavisë, BRSS vendosi marrëdhënie me Hoxhën për shkak të Greqisë dhe daljes në det

0
351

Një ndër synimet kryesore të Titos ka qenë që Shqipëria të bëhej pjesë e Jugosllavisë. DASH ka zbardhur disa dokumente, ku tregohen qëllimet e Beogradit. Po ashtu, tregohet se si BRSS vendosi marrëdhënie me Hoxhën për shkak të daljes në det dhe për të rritur ndikimin në Greqi.

Uashington, 12 shtator 1949

Dokument politikash i përgatitur nga kreu i çështjeve të Evropës juglindore

Përcaktimi i kursit të veprimit të SHBA në lidhje me Shqipërinë në rast të zhvillimeve të ardhshme, duke përfshirë revoltën e brendshme dhe ndërhyrjen e huaj. Shqipëria tashmë qeveriset nga një qeveri komuniste e dominuar nga Bashkimi Sovjetik. Ajo po përdoret si gazë e operacioneve guerile kundër Greqisë. Marrëdhëniet e saj me Jugosllavinë që prej prishjes Tito-Kremlin kanë qenë të këqija dhe janë karakterizuar me këmbime të rënda propagande dhe incidente të dhunshme kufitare. Brenda në Shqipëri tensioni ekonomik po rritet dhe ka pakënaqësi të gjerë me regjimin, ndërsa në zonat malore raportohet për rezistencë të hapur nga autoriteteve komuniste. Interesi i BRSS është ta mbajë sa më gjatë pozitën aktuale në Shqipëri, e cila është e rëndësishme për arsye të vendndodhjes strategjike si hyrje në detin Adriatik, por është gjithashtu e rëndësishme për të ruajtur presionin sovjetik kundër Greqisë dhe tashmë dhe Jugosllavisë. Megjithëse Shqipëria është fizikisht e shkëputur nga blloku sovjetik, Moska nuk do të heqë dorë kollaj prej saj pasi do të ishte një humbje e madhe prestigji në botën komuniste.

Interesi afatshkurtër i Jugosllavisë është kundërveprimi ndaj kërcënimeve të sigurisë që vijnë nga regjimi kukull shqiptar në krahun jugor të Titos. Në terma afatgjatë Tito sigurisht që ka plane për përfshirjen e Shqipërisë në republikën Federale të Jugosllavisë. Tito ka organizuar shqiptarët në ekzil që janë larguar në Jugosllavi, të cilët ai me siguri do të jetë i gatshëm t’i përdorë në kohën e duhur. Dhe në fakt Jugosllavia ka një minoritet të madh shqiptar që jeton në zonat pranë kufirit verior të Shqipërisë që mund t’i japë Titos mundësi të shfrytëzojë situatën në të ardhmen. Dhe brenda Shqipërisë mund të ketë organizata të fshehta pro-Tito por nuk kemi informacion të saktë për këtë. Interesi i Greqisë është në eliminimin e Shqipërisë si një bazë për operacionet guerilase kundër Greqisë dhe gjithashtu ajo dëshiron fundin e dominimit sovjetik të Shqipërisë, edhe nuk do të preferonte as dominimin e saj jugosllav apo italian. Grekët janë shumë të ndjeshëm për çështjen shqiptare pasi në të kaluarën janë sulmuar nga ky drejtim. Greqia ka gjithashtu pretendime territoriale për jugun e Shqipërisë, por ne nuk besojmë se pretendimet e saj kanë baza të forta edhe kemi pranuar që ato të merren në konsideratë. Interesi i Italisë është të ketë një Shqipëri të lirë nga dominimi i fuqive që janë armiqësore me Italinë. Mussolini e kishte zgjidhur këtë problem duke vendosur dominimin italian, por tashmë pësimi është bërë mësim dhe Italia kërkon të shohë një Shqipëri të pavarur që të shërbejë si një pengesë ndarëse mes Italisë dhe shteteve të Evropës Lindore. Italia nuk do të dëshironte vendosjen në Tiranë të një regjimi të varur nga Greqia apo Jugosllavia. SHBA e cila që pas luftës ka vepruar në përputhje me linjën Britanike në lidhje me Shqipërinë, zyrtarisht mbështet një Shqipëri të pavarur me qeveri përfaqësuese të popullit shqiptar. Ne nuk kemi marrëdhënie diplomatike me regjimin aktual pasi ai ka refuzuar të njohë detyrimet e traktateve të mëparshme mes dy vendeve dhe ka ndihmuar operacionet e guerilasve komunistë në Greqi. Një qasje paraprake nga regjimi i Hoxhës prillin e kaluar për rivendosjen e marrëdhënieve nuk u ndoq më prej nesh për të njëjtat arsye. SHBA do të dëshironte që regjimi aktual i dominuar nga Moska të zhdukej, por çështja është se çfarë tip regjimi tjetër do ta zëvendësonte atë. Më e preferueshmja do të ishte një regjim i orientuar nga Perëndimi, siç do të ishte Komiteti Kombëtar shqiptar në ekzil, që tani ndodhen në Romë e Paris. Megjithëse nuk mund të pritet që Shqipëria të qeveriset në mënyrë tërësisht demokratike, këta elementë pro perëndimorë do të kishin më shumë gjasa të vendosnin një regjim që të punonte drejt demokracisë, sesa elementët në panoramën aktuale të vendit.

Momentalisht nuk kemi mjete për të llogaritur popullaritetin e tyre. Një regjim komunist pro-Tito i cili do të ishte po aq jo-demokratik sa ai aktual, përsëri do të ishte një përmirësim nga pikëpamja strategjike dhe politike. Nëse ai do të ishte tërësisht shqiptar në karakter dhe jo një shtojcë e Jugosllavisë, me shumë gjasa do ta pranonim si një qeveritë lirë e të pavarur.

Ne duhet të supozojmë se Tito do të përgatitet të veprojë në Shqipëri kur ai ta besojë situatën e duhur për këtë, por aktualisht ai nuk mund të marshojë brenda Shqipërisë pa rrezikuar konflikt të hapur me sovjetikët dhe pa justifikuar vetë çështjen e tij të synimeve sovjetike ndaj Jugosllavisë, si para botës komuniste dhe para opinionit botëror. Nëse jugosllavët hyjnë në Shqipëri ose arrijnë të shkaktojnë përmbysje të regjimi atje, me siguri që grekët do të marshonin në Shqipëri nga jugu. Nga ana tjetër nëse grekët vendosin të marshojnë të parët, Tito do të tundohej të bënte të njëjtën gjë nga veriu. Zhvillime të tilla ndoshta do të rezultonin në një përplasje mes dy fuqive pushtuese dhe do të shkatërronin tentativat tona për t’i bashkuar ato kundër frontit sovjetik. Edhe nëse ato pranojnë paraprakisht një ndarje të përkohshme të Shqipërisë kjo do të ishte shumë e paqëndrueshme dhe kundër politikave tona të deklaruara për ruajtjen e pavarësisë së saj.

Rekomandime:

(1) SHBA të veprojë në koordinim të plotë me Britaninë dhe Francën për situatën shqiptare, ashtu si ajo do të zhvillohet;

(2) SHBA do të bëjë ç’është e mundur në rrugë diplomatike, për të vepruar mbi çështjen greke në OKB, dhe do të marrë masa ekonomike për të dobësuar pozitën e regjimit të dominuar nga sovjetikët në Shqipëri si dhe të mos bëjë asnjë ofertë rikëshillimi me të;

 (3) SHBA dhe kombe të tjera perëndimore do të paralajmërojnë Greqinë e Jugosllavinë kur të jetë e nevojshme, për të mos ndërhyrë në Shqipëri.

(4) SHBA dhe fuqi të tjera perëndimore, në kohën e duhur, do të bëjnë qasjen e përshtatshme ndaj Titos për të kuptuar qëllimet e tij ndaj Shqipërisë.

(5) Në lidhje me një revoltë të mundshme në Shqipëri, SHBA do të kërkojë menjëherë si objektiv parësor eliminimin e udhëheqjes së dominuar nga sovjetikët, duke marrë në konsideratë pozitën tonë tradicionale në favor të pavarësisë së Shqipërisë në të njëjtën kohë duke evituar paragjykimin e interesave të Jugosllavisë, Greqisë e Italisë.

(6) SHBA do t’i japë mbështetje morale e materiale elementeve pro-perëndimorë në Shqiprëi por pa bërë premtime apo përkushtime ndaj atyre;

(7) Debatet territoriale greko-shqiptare për Epirin e veriut nuk duhet të lejohen të ndërhyjnë në objektivat primare të eliminimit të dominimit sovjetik në Shqipëri dhe rivendosjes së marrëdhënieve normale mes dy vendeve.

Uashington, 12 shtator 1949

Sekretari i shtetit për disa zyra dipomatike 

Llogaritjet tona ushtarake për potencialin e konfliktit të mundshëm mes Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik është se sovjetikët rrjedhimisht do ta nënshtrojnë Jugosllavinë por kjo do të kryhej në një operacion të gjerë dhe jo me një sulm të shpejtë e të rrufeshëm. Në rast të një sulmi të hapur sovjetik, ekspertët tanë ushtarakë besojnë se ushtria jugosllave do të kryente një tërheqje strategjike në zonën qendrore malore të vendit, ku do të mund të organizonte veprimin e gjerë të mbrojtjes në formacion të rregullt beteje. Nëse ky formacion rrjedhimisht do të prishej ekspertët tanë parashikojnë se do të kishin një luftë guerile që do të vazhdonte për disa muaj. Gjatë luftës së fundit forcat e Aksit nazist u detyruan të përdorin rreth 500,000 trupa dhe disa nga gjeneralët e tyre më të mirë për të luftuar kundër aktiviteteve të partizanëve jugosllavë, udhëheqësit e të cilëve vazhdojnë të jenë edhe sot në krye të ushtrisë së vendit. Aktualisht pesë divizione sovjetike janë të vendosura në afërsi të Jugosllavisë, dy në Austri, Dy në Hungari e dy në Rumani. Akumulimi i forcave të mjaftueshme sovjetike për ofensivë do të kërkonte kohë pasi do të nevojite të paktën 20 divizione. Shenjat e një akumulimi të tilla ushtarak do të jenë të qarta në një periudhë prej gjashtë javësh. Për këtë sovjetikët mund të presin vetëm ndihma të vogla nga vendet satelite, u forcat e armatosura nuk kanë liderë, pajisje apo stërvitje. Dhe në fakt ekspertët tanë ushtarakë besojnë se sovjetikët mund të eliminojnë të gjitha forcat ushtarake të satelitëve periferikë për t’u përballur vetëm me jugosllavët. Ne besojmë se Shqipëria nuk përbën një problem për jugosllavët dhe edhe gjatë kohës që ata përballen me një ofensivë të plotë sovjetike, Beogradi mund të pushtojë lehtësisht Shqipërinë.

Uashington, 13 shtator 1949

Memorandum i sekretarit të çështjeve evropiane (Perkins) për sekretarin e shtetit: Në lidhje me diskutimin me ju për Jugosllavinë e Greqinë, Bevin pritet të ngrejë dhe çështjen e Shqipërisë. Ne e kemi bërë të qartë se nuk kemi marrë ende një vendim zyrtar por vetëm kemi pranuar në këtë fazë, të bëjmë plane për mbledhje informacioni. Kemi vijuar gjithashtu me formimin e Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë. Me rastin e njoftimit të krijimit të Komitetit shqiptar britanikët kanë sugjeruar që ambasadori i tyre në Beograd dhe nëse ne dëshirojmë dhe i yni, të informojnë Marshal Titon paraprakisht, por ne e kundërshtuam planin dhe rrjedhimisht dhe britanikët hoqën dorë prej tij. Kjo dhe sinjalizime të tjera na kanë bërë të mendojmë se aktualisht britanikët janë më të predispozuar se ne për t’u koordinuar me regjimin jugosllav mbi një bazë besimi apo miqësie. Tito ka një numër të madhe refugjatësh shqiptarë nën kontrollin e tij prandaj padyshim që ka planet e tij për ndërhyje në Shqipëri nëse apo kur të prezantohet mundësia. Ne duhet të jemi të kujdesshëm të mos përfshihemi në asnjë nga planet e Titos në Shqipëri për momentin dhe të ruajmë liri të plotë veprimi. Megjithëse ne sigurisht që mund të jem të aftë të nxisim një revolucion të plotë që do të mund të përmbyste regjimin në Shqipëri, pasojat e një veprimi të tilla nuk janë fare të qarta pasi rrezikojnë të fusin në një konflikt Greqinë e Jugosllavinë. Rezultati i kësaj do të ishte ndarja e Shqipërisë mes dy vendeve, nga të cilat forcën më të madhe e ka Jugosllavia prandaj dhe pjesa më e madhe e Shqipërisë do të dominohej prej saj. Secila nga këto alternativa alternativa do të ishte gjithsesi më e dëshirueshme sesa situata aktuale, por ne nuk ndjehemi të gatshëm për një konkluzion të tillë duke pasur parasysh pasojat dhe mundësinë e shpërthimit të një konflikti madhor. Prandaj jemi në favor të vijimit të planeve aktuale me operacionet e studimit të situatës dhe të dekurajimit të britanikëve në lidhje me marrëveshje të mundshme paraprake me jugosllavët. Ne kemi thirrur konsullin tonë në Jugosllavi, Reams për konsultime dhe do t’ju japim më shumë detaje mbi subjektin kur të flasim dhe me kolegët britanikë.

Londër, 24 korrik 1947

Ambasadori në Britani për sekretarin e shtetit: Britanikët mendojnë se do të ketë menjëherë komplikacione nga pranimi në OKB i vendeve satelite si Shqipëria. Ata mendojnë se asgjë nuk fitohet duke pranuar “me pendesë” këto shtete, por Uarner se në terma afatgjatë ky kurs mund të sjellë mundësinë për të kritikuar vendet me qëllim përmirësimin e sjelljes së tyre pas pranimit në OKB. Britanikët nuk mendojnë se as abstenimi gjatë votës nuk do të kishte efekt dhe se zgjidhja më e mirë do të ishte pranimi me supozimin e se vendet janë “paqedashëse”. Uarner tha se kishte ndryshime opinioni mes SHBA dhe Britanisë në lidhje me përfaqësimin e vendeve që ishin bërë shkelje të hapura në detyrimet e tyre. Ai tha se Departamenti është i opinionit se përfaqësimi i tyre nuk ka vlerë ndërsa britanikët besojnë se pranimet e tilla duhet të bëhen dhe t’u jepet publicitet i plotë në shtyp. Britanikët thonë se nga ana tjetër nuk duhet toleruar asnjë përpjekje e këtyre vendeve për t’iu shmangur detyrimeve të tyre në traktatet e paqes. Në konkluzion Uarner tha se britanikët pranojnë sugjerimet e Departamentit në paragrafin e fundit që një takim SHBA-Britania të bëhet për të diskutuar të gjitha aspektet e situatës. Ai tha se shpresonte që publicitet i plotë t’i jepej njoftimeve të tilla dhe shtoi se SHBA e Britania duhet të ishin gjithsesi të gatshme të vepronin, por nuk kishte ide në çfarë linjash kjo duhet të bëhej. Ministria e jashtme britanike i ka treguar ambasadës tonë një draft mbi çështjen.

Londër, 21 mars 1953

Ambasadori në Britani (Aldrich) për Departamentin: Edenmë dha përmbledhjen e mëposhtme të bisedimeve të qeverisë britanike me Titon kësaj jave. Në lidhje me mbrojtjen, as Britania e as Jugosllavia nuk kishin dëshirë për pranimin e Beogradit në NATO. Por Tito tha se ishte i detyruar ta bënte këtë prej pozitës së tij të izoluar. Bisedimet përmblidhen në një komunikatë të lëshuar dje nga Britania, ku thuhej: “Dy qeveritë deklaruan interesin e tyre të përbashkët në rezistencën ndaj agresionit dhe ruajtjen e pavarësisë kombëtare. Ato u zotuan të punojnë ngushtë bashkë me vende të tjera liridashëse për të mbrojtur paqen. Në lidhje me Traktatin e Ballkanit ato e konsiderojnë aleancën turko-greke-jugosllave pozitive por në të njëjtën kohë i kanë këshilluar jugosllavëve të kenë marrëdhënie të mira me Jugosllavinë, si në çështjet ushtarake ashtu dhe në ato territoriale, për realizimin efektiv të Traktatit. Në lidhje me Triesten, Eden tha se u përpoq me kujdes të evitonte pikat e papërmendura. Jugosllavia ndoshta nuk kërkonte një zgjidhje të përkohshme (Popovic iu referua faktit se italianët kishin bërë zgjedhje çdo tre vjet dhe një marrëveshje e përkohshme do të kërkonte më shumë kohë). Në lidhje me zgjidhjen e përhershme jugosllavët nuk kishin përjashtuar mundësinë e korrektimeve të vogla, por Eden shmangu detajet. Tito sinjalizoi se mund ta diskutonte iniciativën me De Gasperi. Në lidhje me Shqipërinë britanikët dhe jugosllavët ishin dakord t’i linin gjërat të patrazuara. Marshall Tito tha se situata në Rusi nuk kishte ndryshuar shumë pas vdekjes së Stalinit. Ai tha se nuk besonte se udhëheqësit e rinj sovjetikë kërkonin luftë më shumë nga Stalini, por ndoshta për arsye të tjera. Ata mund të përshkallëzonin presionin e luftës së ftohtë prandaj arma më e fuqishme e Peërndiit ishin politikat e sinqerta në mbrojtje të paqes. Ishte veçanërisht e rëndësishme parandalimi i luftës në propagandën perëndimore pasi kjo do të bashkonte disa elemente në Rusi që në çdo rast tjetër kishin predispozitë për të bërë sherr. Në konkluzion si britanikët e jugosllavët ishin të kënaqur me rezultate e vizitës. Tito u largua duke pasur më shumë besim se nuk ishte më në pozitë të izoluar. Komenti i tij i fundit ishte “jam i kënaqur që vizita ishte e suksesshme”. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here