Ish-zëdhënësi i NATO-s i tronditur, lëshon thirrjen e fortë ndaj Serbisë: Kosova është…

0
432

Jamie Shea, zëdhënës i NATO-s rikujton sprovat nëpër të cilat kishte kaluar Aleanca në atë kohë dhe flet për rezultatet e kësaj fushate në ndalimin e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës.

Jamie Shea, zëdhënës i NATO-s, është i tronditur kur sheh që edhe dy dekada pas Serbia e paraqet veten të viktimizuar dhe nuk pranon kurrfarë përgjegjësie për krimet e kryera në Kosovë.

Sivjet shënohet 20-vjetori i fushatës ajrore të NATO-s kundër caqeve të ushtrisë serbe, që solli përfundim e luftës dhe vendosjen e trupave të NATO-s në Kosovë. Si i shihni nga kjo perspektivë ngjarjet e pranverës së vitit 1999?

Shea: Njëzet vjet pas fushatës ajrore të udhëhequr nga NATO-ja, unë ende e konsideroj atë tërësisht legjitime dhe të arsyeshme. Regjimi i Millosheviqit në Serbi kishte udhëhequr një fushatë brutale kundër popullit të Kosovës duke bërë shkelje të shumëfishta të të drejtave të njeriut. Po ashtu, ka refuzuar një marrëveshje paqësore e të negociuar, të cilën e kishte pranuar delegacioni i Kosovës. Andaj, vendet anëtare të NATO-s nuk kishin zgjidhje tjetër pos të përdornin forcën për të ndalur vuajtjet e popullatës civile të Kosovës. Për këtë veprim kemi pasur përkrahjen e publikut, parlamenteve dhe bashkësisë së gjerë ndërkombëtare, pasi ishte veprim proporcional dhe i qartë në arritjen e qëllimeve. Askush nuk dëshironte një përsëritje të asaj që ndodhi në Bosnje nga 1992 në 1995, kur bashkësia ndërkombëtare ishte shumë e ngadalshme në ndërmarrjen e veprimeve vendimtare.

Fushata ajrore e NATO-s ka qenë intervenimi më i madh ushtarak në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore. Sa ka qenë e vështirë të binden vendet anëtare të NATO-s të marrin pjesë në këtë fushatë dhe të qëndrojnë të bashkuar përgjatë fushatës 78-ditëshe të bombardimeve?

Shea: Askush nuk dëshiron të përdorë forcën nëse mund të shmanget. Për këtë arsye aleatët e NATO-s u përpoqën shumë për gjashtë muaj në Rambuje dhe Paris të negocionin një marrëveshje paqësore në mes të regjimit të Millosheviqit dhe përfaqësuesve të Kosovës. NATO-ja, po ashtu, disa herë e ka paralajmëruar publikisht dhe në mënyrë të qartë Millosheviqin të hiqte dorë nga fushata ushtarake e represionit në Kosovë. Kështu që, kur u mor vendimi në mars të vitit 1999 për përdorim force, Aleatët ishin të bashkuar pasi të gjithë ishin të kënaqur që fushata ajrore me të vërtetë ishte mjeti i fundit dhe e justifikueshme si mënyra e vetme për të ndalur spastrimin etnik që Millosheviqi po i bënte Kosovës. Pasi fillimit të fushatës ajrore, deportimi i dhunshëm masiv i popullatës së Kosovës dhe shumë raste të represionit të dhunshëm vetëm i bënë aleatët e NATO-s edhe më të vendosur që fushata ajrore të përfundonte me sukses të arritur.

Aktakuza e ngritur nga OKB-ja ndaj Millosheviqit për krime lufte vetëm sa e përforcoi bindjen tonë se po bënim gjënë e duhur. Është vlerë e NATO-s që vendimet i merr me konsensus pas konsultimeve dhe planifikimeve në të cilat marrin pjesë dhe dëgjohet zëri i të gjithë Aleatëve. Kështu që kur Aleanca ndërmerr veprim qëndron e bashkuar, pasi të gjithë Aleatët janë hisedarë në veprimin e tyre kolektiv. Këtë e vërteton edhe fakti që forcat e NATO-s kanë qëndruar në Kosovë për të siguruar stabilitetin në 20 vjetët e fundit.

Si pjesëtar i personelit të NATO-s në atë kohë, e sot si profesor universitar a mendoni se intervenimi i NATO-s është bërë pak me vonesë për të parandaluar përndjekjen masovike dhe vrasjen e mbi 13.500 njerëzve?

Shea: Kjo është një pyetje e drejtë dhe është e qartë që secila vdekje e civilëve të pafajshëm është për t’u vajtuar. Por, krahasuar me 100.000 vrasjet në konfliktin e Bosnjës targu i viktimave në Kosovë ishte rreth një e dhjeta e atij numri. Kjo tregoi se bashkësia ndërkombëtare kishte marrë mësim nga Bosnja kur bëhet fjalë për marrjen më të shpejtë dhe më të vendosur të veprimeve. Po ashtu, shumë vrasje ndodhën pas fillimit të fushatës ajrore të NATO-s kur forcat e Millosheviqit përshpejtuan veprimet e tyre të dhunshme kundër popullatës civile. Pasi u tha kjo, jam i bindur që po mos të intervenonte NATO-ja në Kosovë situata në terren do të përkeqësohej në mënyrë progresive dhe shkalla e vrasjeve do të ishte shumëfish më e lartë. Po të shohësh Sirinë tani, me mbi gjysmë milioni të vrarë e gati 15 milionë njerëz të zhvendosur e me luftime që nuk u shihet fundi, mund të shihen që pasojat e mosintervenimit janë shumëfish më të këqija se kur bashkësia ndërkombëtare bën përpjekje serioze për të përfunduar luftërat. Një gjë tjetër shumë e rëndësishme është që fushata e NATO-s bëri të mundur kthim gati të menjëhershëm në shtëpi të qindra-mijëra refugjatëve nga Kosova. Kjo nuk ndodhi askund tjetër në ish-Jugosllavi e as në shumë konflikte të tjera në mbarë botën.

Të kthehemi te zhvillimet aktuale. A mendoni se është e mundur një marrëveshje gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura?

Shea: Po është e mundur, por kërkon angazhim të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara dhe të evropianëve për t’i shtyrë Prishtinën e Beogradin drejt një marrëveshjeje. Shpresoj se shoqëria civile si në Serbi ashtu edhe në Kosovë do t’i tejkalojnë ndarjet dhe do të punojnë për mirëkuptim më të madh dhe për pajtim. Të kuptuarit e historisë në mënyrë objektive është po ashtu kruciale. Kur po lexoja mediat e Serbisë në 20-vjetorin e fushatës ajrore të NATO-s , u trondita nga sensi i viktimizimit dhe përjashtimi i çfarëdo përgjegjësie për atë që ndodhi në Kosovë më 1998-1999. 20-vjetori duhet të jetë një mundësi për të shikuar kah e ardhmja e jo kah e kaluara. Është e qartë që mbi të gjitha nevojitet një marrëveshje në mes të Prishtinës e Beogradit që duhet patjetër të përfshijë njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Kjo duhet të jetë element i domosdoshëm i perspektivës evropiane për Kosovën dhe Serbinë, që njëherësh nxit integrimin Euro-Atlantik të të gjithë Ballkanit Perëndimor,

A mendoni që në një të ardhme të afërt shtetet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen anëtare të aleancës së NATO-s?

Shea: Mendoj se po. Nuk do të ndodhë aq shpejt sa dua unë, por do të ndodhë. Shembujt e Malit të Zi dhe të Maqedonisë Veriore tregojnë se dera e NATO-s është e hapur. Përjashtim përbën Serbia që aktualisht nuk kërkon anëtarësim në NATO, por që është duke negociuar hyrjen në BE. Andaj është në rrugë për t’u bërë vend i vërtetë evropian dhe është duke bashkëpunuar me Aleancën në shumë stërvitje të përbashkëta dhe në kurse trajnuese. E në afat të gjatë, kurrë s’duhet thënë kurrë!

Jamie Shea në kohën e fushatës ajrore 78-ditëshe të vitit 1999 kundër caqeve të ushtrisë serbe, ka qenë zëdhënës i Aleancës Veriatlantike (NATO). Më vonë ai ka mbajtur poste të rëndësishme në kuadër të NATO-s, si zëvendës ndihmës sekretar i përgjithshëm për Marrëdhënie të Jashtme, Diplomaci Publike e pastaj edhe për Sfidat e Reja të Sigurisë deri në pensionim.

Shea ka ligjëruar marrëdhëniet ndërkombëtare, çështjet e mbrojtjes e studimet evropiane në disa universitete britanike, evropiane e amerikane. /RTK

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here