Vangjel Gjikondi: Niveli artistik i filmave ka rënë, nuk kemi më skenaristë, regjisorë as artistë

0
123

Piktorfilmi në disa prej prodhimeve të Kinostudios Vangjel Gjikondi shprehet se sot niveli artistik i filmave ka rënë. Sipas piktorit sot nuk bëhet më puna me kinemanë si dikur në ato vite, ku edhe pse ishte një kohë e vështirë për publikun janë prezantuar prodhime që ai i quan me nivel të lartë artistik. Në intervistën për “SOT” piktori Vangjel Gjikondi shprehet se dikur ishte një tjetër organizim dhe më shumë përkushtim për filmin. Për piktorin e filmave “Duaje emrin tënd”, “Treni niset në 7 pa 5” dhe të tjerë prodhime të asaj kohe, shqetësues është dhe fakti që regjisorët e njohur të asaj kohe janë të tërhequr nga filmi. Sipas piktorit skenari kërkon më shumë kujdes dhe filmi sot kërkon gjetje të reja, por që kjo ka munguar në trajtimin e temave. Piktor i filmave Vangjel Gjikondi shprehet se në kinemanë e ditëve të sotme mungon dhe ajo që ai e quan testimi për filmin. Sipas tij pasi shfaqet një film në kinema askush nuk e merr vesh sa është ndjekur nga publiku.

-Ju për vite me radhë keni qenë piktor filmash në Kinostudio. Si e kujtoni punën me filmin tuaj të parë në ato vite?

Filmi im i parë ishte me skenar nga Roland Gjoza nga veriu i Shqipërisë. Një temë, që ishte dhe si diplomë e një regjisori atë kohë. Ndërsa filmi im i dytë ishte me regji nga Saimir Kumbaro. Ishte një film që u xhirua në qytetin e Sarandës dhe quhej “Nxënësit e klasës sime” në vitin 1983.

-Për ju si zhvillohej puna për realizimin e filmave në ato vite?

Ishte një organizim i përsosur ato vite. Mos shikoni vetëm temat që ishin të asaj kohe, por ama organizimi i punës me filmin ishte një mrekulli. Aty dukej në ato vite sikur ishte Kinostudio si një Hollivud i fshehtë dhe i vogël. Xhiroheshin filma dhe kishte dekore të mëdha. Shikoje regjisorët që punonin aty dhe kishte një korrektësi, rregull dhe përsosmëri puna. Unë shikoja proces xhirimet e filmave me Dhimitër Anagnostin, etj. Ishte një mrekulli të shikoje punën me filmin ato vite. Tani këto gjëra janë zhvlerësuar, por ato vite punohej ndryshe me filmin. Unë si piktor filmi me punën time kam qenë në disa filma. Dhe në vit isha të paktën në dy filma si piktor. Në kohën e Kinostudios bëheshin 14 filma në vit, por unë si piktor një film duhet patjetër që ta realizoja.

-Për ju sot çfarë është shqetësuese në punën me filmin?

Ka shumë probleme sot. Ka të bëjë dhe me punën që bëhet për të realizuar filmin. Ka të bëjë dhe me mënyrën se si bëhet marketimi i filmit, aty ku publikohen. Jo se ne sot nuk kemi regjisorë të mirë edhe sot ka disa, dhe kam parë dhe një film të Papadhimitri, që bukur e kanë xhiruar. Por në përgjithësi filmat në këto vite nuk janë në atë nivel artistik që duhet. Për mua dhe aktorët nuk janë në nivelin që duhet. Nuk kemi aktorë të nivelit të lartë në krahasim me filmat që janë bërë në kohën e Kinostudios. Në ato vite kujtoj punën që kanë bërë operatorët si Bardhyl Martiniani, Gavrosh Haxhihyseni, Lionel Konomi, Lek Kasneci, Spartak Papadhimitri, Bujar Kokonozi, Pëllumb Panariti e shumë të tjerë, që e njihnin kompozimin në kamerën e filmit, kurse tashmë ka operatorë të rinj, por jo në nivel aq artistik.

-Po temat që trajtohen në filmat sot?

Në kohën para ‘90 të gjithë e dimë që ishte censura dhe duhej të bëje filma brenda asaj teme që lejonte, por ka pasur dhe filma që kanë qenë të bukur. Janë shkruar skenare nga autorë të njohur si Kiço Blushi që ka bërë skenare shumë të bukur dhe këtë nuk mund t’ia mohosh. Skenari është kryesori në film, është si puna e një tabloje që duhet ta skicosh bukur dhe ta ekzekutosh. Nëse e ke të qartë idenë e realizimit do të jetë i mirë, por nëse nuk është e qartë ideja se çfarë duhet të bësh në atë skenar nuk e realizon bukur filmin. Në këtë kuptim mua sot nuk më duken, që të kenë një nivel të lartë artistik në krahasim me ato filma që xhiroheshin në vitet para ‘90 në kohën e Kinostudios. Edhe pse në këtë që them për filma dua të veçoj disa si regjisorë si Gjergj Xhuvani që ka bërë film të bukur, apo i ndjeri Artan Minarolli. Por e përgjithshmja sot në kinemanë shqiptare nuk bëhet bukur, nuk është orientuese për publikun. Për kinematografinë nuk bëhet një marketing i plotë se ku shkojnë këto filma dhe çfarë organizimi kanë.

-Ju pohoni probleme me filmin sot, por ka kineastë që janë shprehur se buxhetet janë të pakta për realizimet e këtyre projekteve. Si ndikon kjo dhe te niveli artistik?

Ne e dimë që problemi me buxhetet e filmave vazhdon. Tani është e bllokuar çdo gjë dhe nuk e ka më mendjen shteti te arti dhe kultura. Shteti është kryesori, por do të mbajë pushtetin. Duhet që të ketë më shumë buxhete për filmin shqiptar, sepse kinemaja kërkon para që të bëhet një film i bukur, duke pasur pak para sjell shumë probleme realizimi i tij. Një regjisor sado i mirë të jetë nëse nuk ka para nuk bën dot filma. Është e vështirë kinematografia dhe nuk është e lehtë. Nëse mungojnë paratë sjell probleme dhe me nivelin artistik të filmit, sepse do mungojë dhe muzika e duhur, do mungojnë dhe aktorët që duhen. Pra nëse nuk paguhen si duhen nuk ka punë. Në këto gati tre dekada nëse nga shteti do të ishte investuar sa duhet për kinematografinë shqiptare do të kishim filma më të mirë artistikë. Regjisori do të punonte me më seriozitet, me më pasion dhe dashuri. Por tani ka rënë arti për kinematografinë dhe është shumë e vështirë për filmin.

 -Rrjeti i kinemave që nuk është më si dikur, sipas jush si ndikon për filmat shqiptarë?

Nuk ka më kinema, të gjitha janë zhdukur nga sa kanë qenë dikur. Edhe ato që janë në Tiranë janë fare pak dhe filmat sot nuk ke ku ti shohësh. Ne dhe kinematë sot nuk na kanë identitet. Një kinema sot nuk e di se ku është. Nuk ke një identitet për filmat ku ti shohësh dhe nuk thotë fjala kinema të ketë emër. Unë kam qenë në disa vende të botës dhe kur shikon kinemanë e kupton që është dhe futesh për të parë filmin. Isha në Uashington po ashtu lexoja kinema, por tek ne nuk ke se çfarë të shohësh, duke të ketë titullin në rradhë të parë që të futesh për të parë filmin. Tirana është bërë kokëposhtë e gjitha, është bërë anapulla për artin dhe kulturën. Nuk ka më gjë për artin dhe kulturën ndihmë vetëm nëse çan vetë individi. Por për filmat që është dhe art kolektiv është i vështirë, sepse do buxhet dhe nga shteti në gjendjen që është Shqipëria. Unë si spektator dua që kur të dalë filmi të shkoj ta shikoj me shumë kënaqësi, sepse është një premierë në kinemanë shqiptare por tek ne nuk ka propagandimin e duhur filmi.

-Cili ka qenë filmi juaj i fundit që keni qenë si piktor?

Filmi i fundit ka qenë me regji të Kujtim Çashkut dhe ishte me titull “Doktor Adhamudhi”, por ka shumë vite. Ai e bëri atë film, por di që iu rikthye sërish më vonë.

-Si piktor sa filma keni në aktivitetin tuaj?

Unë kam qenë piktor filmi në dhjetë filma. Përmend këtu filmat “Duaje emrin tënd”, “Nxënësit e klasës sime”, “Treni niset në 7 pa 5”. Filmi “Panverë e hidhur” më 1985 që ishte dhe Sandër Prosi, “Maratonomaku” me skenar të Viktor Gjikës si dhe filma të tjerë. Viktor Gjika është regjisor i njohur i filmit shqiptar, por ai ka bërë dhe skenare dhe shumë bukur. Sot ajo që unë mendoj është që filmi do gjetje të reja. Nuk ka në kinemanë tonë gjetje të reja për filmin. Nëse kjo nuk ndodh nuk të shikon publiku. Kur them gjetje të reja të ketë ngjarje të reja dhe mënyrën se si e ndërton diçka të re. Të kapin autorët një temë të veçantë që ta trajtojnë në filma, por nuk ka sot. Jeta është e shumëllojshme, është një mister. Skenaristi, shkrimtari duhet të gjejë momente të caktuar të godasë me skenarin e tij dhe të përkrahë atë që do publiku dhe jo atë që do pushteti. Mënyra se si e gjen është zotësia e tij. Brenda diktaturës ne kemi pasur dhe tema të bukura në filmat tanë, edhe pse ishin vite të vështira, ku ngjarjet historike janë gjetur bukur për t’u trajtuar në filma. Sot nuk kemi më skenaristë si ato vite. Por dhe ata regjisorë që kanë qenë dikur janë tërhequr nga filmat. Ne sot dhe kur shfaqet një film nuk e dimë çfarë ndodh më pas kur ka qenë në kinema. Nuk e dimë se si është pritur nga publik, sa kanë qenë spektatorët që e kanë parë këtë film në kinema, etj, pra filmi shqiptar nuk testohet. Kur i mbajnë të dhënat fshehta mungon testimi. Mundohen bëjnë propagandë gjoja për mirë, por këto që janë të dhënat se si ka ecur filmi nuk bëhen me dije. Ne nuk e dimë sot se çfarë suksesi pati x apo y film në kinemanë shqiptare. Shitja e biletave është një mënyrë testimi. Mua më vjen keq për këtë situatë sot që përballet kinematografia shqiptare, më vjen keq për filmin.

-Ju keni vite që jeni shkëputur nga puna si piktor me filmin. Pse?

Pas viteve ’90 unë u largova në Greqi dhe e kam lënë Kinostudion që në vitin 1993. Unë kam vijuar punën me pikturën ndër vite, dhe tani kam një bisedë për një film artistik por të shohim.

Intervistoi: Julia Vrapi

Leave a Reply