“Annie” jo vetëm argëtim në skenë, por dhe për të mësuar prej saj

0
472

 “Annie” vlerësuar si një shfaqje për të gjithë familjen rikthehet mbrëmjen e sotme për publikun te “arTurbina”. Me regji nga Adelina Muça kjo shfaqje teatrore sjell në role jo vetëm artistë të njohur teatrit, por dhe aktorë të vegjël, si dhe balerinët e Shkollës së Baletit Kjo vepër, është projektuar për një publik familjar dhe materiali i veprës shpjegon se është shfaqja perfekte për të bërë bashkë të gjitha brezat jo vetëm në një sallë, por edhe në skenë, duke bashkuar aktorët e vegjël të talentuar dhe fëmijë jetim e me aftësi ndryshe, me aktorët më të njohur të teatrit. Bashkëproducente dhe aktore në shfaqje më herët Monika Lubonja është shprehur se ngacmimi për ta sjellë këtë vepër në skenë ka qenë e lidhur me filmin “Annie”.Në shfaqjen “Annie” në role janë Gert Ferra, Erjona Kakeli, Monika Lubonja, Donald Shehu, Jaho Guma, Xhuliano Brisku, Vladimir Saliu. Noha Çuli vjen në skenë në rolin e Annie. Në shfaqje janë 21 aktorë të vegjël nga mosha 6 deri 13 vjeç, si dhe 32  balerinë nga Shkolla e Baletit. “Annie” është historia e një vaze të vogël  9 vjeçare jetime, e cila nuk e ka humbur shpresën, se një ditë ajo do ti gjejë prindërit e saj. Ndryshe nga vajzat e tjera të jetimores, Annie, me një kombinim perfekt të inteligjencës dhe optimizmit, ngroh zemrat e audiencës teksa e shohim ngjitjen e saj, nga një jetë që nuk i dha asgjë, përveçse një shtrat në një jetimore, në një jetë plot dritë dhe me një të ardhme që e meriton çdo fëmijë. “Annie” është vepra perfekte jo vetëm për të argëtuar fëmijët, por edhe për të mësuar prej saj. Të gjitha problematikat që trajtohen në këtë vepër janë një mesazh i madh që vjen nga fëmijët e u drejtohet në radhë të parë të rriturve e më pas më të vegjëlve. Sepse ashtu si edhe në vepër, janë fëmijët ata që me dritën e tyre, energjinë, çiltërsinë, shpresën, dashurinë dhe nevojën e madhe që kanë për të falur dashuri, e për ta parë jetën plot ngjyra, arrijnë të na mësojnë, apo rikujtojnë të rriturve vlerat e vërteta të jetës. Në materialin e veprës tregohet se angazhimi në këtë shfaqje i disa fëmijëve jetim dhe atyre me aftësi ndryshe është një tjetër risi në skenën shqiptare. Koreografe e shfaqjes është Blerina Arbana, kostume dhe skenografia nga Laedia Hajdari, produksioni muzikor Sajmir Çili, libreti Laert Vasili, as.regjisor Xhuliano Brisku.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here