Asnjë pengesë për SPAK, 8 prokurorë gati të marrin në dorë frenat e luftës antikorrupsion, KPK konfirmon Millonain dhe Marën

0
419

Struktura e Posaçme Antikorrupsion do të marrë jetë shumë shpejt. Pak nga pak po plotësohet numri i prokurorëve që janë gati të bëhen anëtarë të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, çka do të thotë se për ngritjen e SPAK nuk ka më asnjë pengesë. Deri dje qenë konfirmuar në detyrë 6 kandidatë për SPAK, por mëngjesin e djeshëm Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha vendimin pozitiv edhe për dy emra të tjerë. Fjala është për kryetaren e Prokurorisë së Elbasanit, Enkeleda Millonai dhe prokurorin e Krimeve të Rënda, Vladimir Mara, që të dy kandidatë për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Si Mara, ashtu edhe Millonai u konfirmuan në detyrë pasi seancat dëgjimore për ta të mbajtura pak ditë më parë nuk rezultuan problematike. Mara njihet si prokurori i dosjes “339” dhe dosjes “Tahiri”. Për ta nuk u gjetën probleme me pasurinë, integritetin e figurës dhe as me aftësitë profesionale. Konfirmimi i tyre në detyrë e çon në 8 numrin e kandidatëve që janë gati të jenë pjesë e SPAK e të marrin në dorë frenat e luftës antikorrupsion. Prokuroria e Posaçme do të zëvendësojë Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe do të jetë e specializuar për të hetuar të gjithë pushtetarët e korruptuar. Tek SPAK janë varur të gjitha shpresat se do të nisë goditja e korrupsionit në nivele të larta e se shumë zyrtarë do të përfundojnë në burg, siç ka ndodhur në Maqedoni. Fakti që 8 kandidatë kanë kaluar me sukses procesin e vetingut do të thotë se ata nuk kanë asnjë pengesë që të jenë anëtarë të SPAK, çka afron ngritjen e kësaj strukture. Minimumi i anëtarëve të SPAK është 10.

Shkarkohen Shkëlzen Cena dhe Idriz Mulkurti

Dita e djeshme ishte ditë vendimesh për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Po dje u dhanë vendimet për prokurorin e Dibrës, Shkëlzen Cena, që pak ditë më parë u tërhoq nga gara për SPAK, dhe për gjyqtarin e Apelit të Krimeve të Rënda, Idriz Mulkurti. Të dy ata u shkarkuan nga detyra për shkak të problemeve të gjetura gjatë hetimit të thelluar që kanë kryer komisionerët e vetingut. Shkëlzen Cena doli me probleme në të tre kriteret. Sa i takon pasurisë, ndaj tij u ngritën pyetje rreth një kësti prej 28 mijë eurosh që kishte paguar për një apartament. Cena mohoi ta kishte paguar këtë këst, por në akt-marrëveshje për blerjen e apartamentit rezultonte e kundërta. Atij po ashtu iu konstatuan probleme me aftësitë profesionale, si edhe me integritetin e figurës sepse dyshohet se është i përfshirë në korrupsion pasiv. Idriz Mulkurtin nga ana tjetër e dogjën problemet me pasurinë. Mulkurti, që ishte edhe kandidat për Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, nuk ishte vetë i pranishëm në seancën dëgjimore, por u përfaqësua nga avokati i tij, Sokol Hazizaj. Gjatë kësaj seance relatorja e çështjes, Valbona Sanxhaktarit deklaroi se gjyqtarit i ishin gjetur probleme vetëm në kriterin e pasurisë, ndërsa ai kishte rezultuar i përshtatshëm në dy kriteret e tjera. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi mungesë burimesh të ligjshme për këstin 20 mijë euro të një apartamenti, si dhe shkollimin e të birit në Britaninë e Madhe, një shtëpi me qira në Tropojë dhe një tokë 1 mijë metra katrorë. Ndërkohë që avokati i gjyqtarit të Apelit për Krime të Rënda kontestoi trupin gjykues dhe analizën financiare dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here