Biznesi kundërshton ndryshimet në Kodin Penal: Jo burg për sigurinë ushqimore

0
411

Komuniteti i biznesit Agro-përpunues dhe i Tregtisë së ushqimeve është i shqetësuar për ashpërsimin e Kodit Penal për shkeljet me sigurinë ushqimore. 7 shoqata biznesi, përfshirë Dhomën Amerikane të Tregtisë, atë italiane dhe shoqata e investitorëve të huaj në Shqipëri, i janë drejtuar me një letër kryetarëve të komisioneve parlamentare, duke i kërkuar që të marrin në konsideratë vërejtjet e tyre. Për letrën është vënë në dijeni dhe kryeministri Rama dhe ambasadat kryesore në Tiranë. Mira Pogaçi, drejtore ekzekutive e bashkimit tregtar shqiptar thotë se në amendime janë përdorur terma që nuk përcaktojnë si duhet përgjegjësitë penale dhe mund të ketë keq interpretime. “Kjo vjen ndoshta edhe për shkak të besimit të ulët që Komuniteti i Biznesit ka ndaj institucioneve të drejtësisë apo të institucioneve ligjzbatuese, në interpretimin e Kodit të ri Penal, këtyre ndryshimeve, në momentin që do t’i kenë në dorë”, tha Pogaçi. Prodhuesit dhe tregtarët e ushqimeve kërkojnë që legjislacioni të përputhet me direktivat e Bashkimit Evropinan. “Këto synime nuk synojnë që të përafrojnë ndonjë direktivë të caktuar të Komunitetit Europian. Të qenurit në këto kushte, do të ishte e mira që të përafroheshin me situatën ekonomike në vend dhe me të gjithë aktorët ekonomik, që janë prodhuesit më vete, distributorët, tregtarët e një supermarketi apo dyqanet”, vijoi Pogaçi.

Propozimet në ligj

Deputetët e mazhorancës kanë propozuar ndryshime në Kodin Penal, të cilat parashikojnë dënime deri në 15 vite burg për shkelësit e sigurisë ushqimore. Ligji përfshin të gjithë gamën e produkteve ushqimore; që nga mallrat e importit, deri ato të prodhuara apo të përpunuar në Shqipëri. Ndryshimet ligjore pritet të kalojnë në seancë plenare në 20 qershor. Prodhimi dhe shitja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin e njeriut do të dënohet me 3 vjet burg, ndërsa nëse kjo vepër do të sjellë dëmtim të shëndetit të konsumatorit, ndëshkimi do të jetë me 10 vjet burg për tregtarin e produkteve. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë një kërkesë me propozimet për ashpërsimin e masave në kodin penal, ku shprehet se “thembra e Akilit” është pikërisht aktiviteti i tregtarëve të cilët importojnë produkte ushqimore nën standardin që deklarohet në dokumentat e mallit të origjinës, por që në momentin që i nënshtrohen testeve laboratorike në shumë raste produkti ka rezultuar i kontaminuar. “Destinacioni i mallit nuk dokumentohet qëllimisht nga këto subjekte, për shkak se sanksionet administrative “Gjobë” në dispozicion janë të papërfillshme dhe në vlera qesharake në raport me sasitë dhe vlerën e produkteve që futen në vendin tonë, gjë e cila e legjitimon futjen e tyre në sasi të mëdha”. Ndëshkimi me dy vjet burg do të jetë edhe për tregtarët të cilët shesin produkte të cilat kanë kaluar datën e skadencës, ndërsa për ata që falsifikojnë, gërvishitin, ose dëmtojnë qëllimisht këto data, etiketat ose vulat e produkteve dënimi do të jetë nga 6 muaj deri në 4 vjet burg. “Një problematikë që Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka trajtuar së fundi, është përdorimi i vajit të palmës në produktet e qumështit, ku haseshin fabrika përpunimi të qumështit që përdorin masivisht atë, e cila jo vetëm përbën një falsifikim apo mashtrim të hapur në aspektin e cilësisë por gjithashtu shfaq edhe rreziqe në kuptimin afatgjatë që shoqërohen edhe me modifikimin e ADN-së”. Për bizneset të cilët kanë bërë falsifikimin e të dhënave të produktit do të rëndojë edhe akuza e mashtrimit, vepër penale që propozohet të dënohet me 5 vjet. Gjatë 3 muajve të parë të vitit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 50 ton mish dhe nënprodukte të tij në tregun vendas, ndërsa ka asgjësuar 135.5 ton produkte ushqimore të rrezikshme për shëndetin e konsumatorit. Janë kthyer në vendin e origjinës 3 ngarkesa prej 27 ton me mish pule dhe produkte dhe 25 ton me prodhime me çokokremi, lëngje frutash dhe mielli. Ndryshimet ligjore janë depozituar në kuvend në datën 2 Maj, por ato ende nuk kanë gjetur miratim, ndërsa biznesi shprehet i shqetësuar se propozimet e tyre nuk po merren në konsideratë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here