Marrin fund dilemat, Xhiampaolo merr “timonin” e Milanit, Di Françesko atë të Sampdorias

0
385

Kanë marrë fund dilemat për drejtimin e Milanit, sepse ish-tekniku i Sampdorias, Mario Xhiampaolo do të jetë tekniku i ri i ekipit, ndërsa vendin e tij tek Sampdoria do ta zero Eusebio Di Francesko, i cili ka drejtuar më parë Romën. Lëvizje që erdhën të planifikuara në pak ditë dhe shkuan sipas parashikimeve. Kështu, me largimin e Mario Xhiampaolos drejt Milanit, Sampdoria ka gjetur akordin tashmë edhe me trajnerin e ri që do të ulet në stol këtë verë dhe do të drejtojë skuadrën. Bëhet fjalë për ish trajnerin e Sasuolos dhe Romës, Eusebio Di Francesko, i cili është i papunë që prej marsit të këtij viti, kur verdhekuqtë e Romës e shkarkuan për shkak të rezultateve të dobëta. Mediat në Itali raportojnë se mes presidentit Masimo Ferrero dhe trajnerit Di Françesko ka një akord total dhe ky i fundit do të ulet në stolin e “dorianëve” duke filluar që nga ditët e para të korrikut, kur edhe skuadra pritet të nisë përgatitjet. Me një njoftim zyrtar, klubi i Milanit bëri të ditur se drejtori i ri teknik i Milanit do të ishte Paolo Maldini, ndërsa Shefi i Zyrës së Futbollit do të ishte Zvonimir Boban. Pak momente para njoftimit të klubit, ishte vetë FIFA që doli me një deklaratë zyrtare duke konfirmuar largimin e ish-futbollistit kroat nga strukturat drejtuese të saj. “Jam shumë i lumtur që kthehem përsëri te Milani im i dashur, duke u munduar të jap kontributin tim për ta kthyer aty ku e meriton të jetë. Duhet të jetë një klub protagonist e fitues, pasi kjo është natyra e vetme e historisë së tij. Kur Paolo më telefonoi për të mësuar gatishmërinë time, i hipa makinës dhe shkova në Milano në shtëpinë e tij, në mes të natës, për të kuptuar se si ishin gjërat. Pasi fola me Ivan dhe me drejtuesit, gjithçka ishte e qartë dhe ja ku jam, në klubin që dashuroj dhe në vendin që më ka dhënë shumë. Shpresoj të shpërblej këtë besim. Dua të falënderoj edhe presidentin e FIFA-s, Xhani Infatino, i cili edhe pse interist, ishte një mik i vërtetë dhe kuptoi që kjo ishte një thirrje e ngjashme me atë të tijën tre vite më parë. E pamundur t’i thuash jo”, ishin fjalët e Boban pas zyrtarizimit. Kanë vetëm pak orë që janë zyrtarizuar në detyrat e reja te Milani, por Paolo Maldini dhe Zvonimir Boban nuk kanë humbur kohë duke u vënë menjëherë në lëvizje për të përforcuar ekipin për sezonin e ri. Mbetet ende për t’u zgjidhur çështja e trajnerit të ri, por te kuqezinjtë po punohet për momentin që t’i vihen në dispozicion teknikut emra sa më cilësorë. Një nga negociatat që dy drejtuesit kanë bërë që sot, është ajo me përfaqësuesit e mbrojtësit të Liverpulit dhe përfaqësueses së Kroacisë, Dejan Lovren. Qendërmbrojtësi kroat është një nga emrat që pëlqehet më shumë për prapavijën dhe është këshilluar nga Zvonimir Boban i cili ka përdorur lidhjet me bashkëkombësit e tij për të bërë të mundur një marrëveshje. Kësisoj, gjatë paradites janë zhvilluar mbledhjet e para me menaxherë të lojtarit për kushtet e mundshme të kontratës, ndërsa në vijim pritet që t’i paraqitet një ofertë zyrtare Liverpulit ku Lovren ka përfunduar në stol për shkak të formës dhe bashkëpunimit të mirë që ka shfaqur dyshja Van Dajk-Matip.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here