Naser Shatrolli: Në teatrin shqiptar ka mungesë idesh, kategoria e të patalentuarve ka zënë pozicione në emër të asaj që quhet art

0
413

Dramaturgu dhe regjisori Naser Shatrolli shprehet se në teatrin shqiptar ka vullnet, ka para, por ka mungesë idesh. Duke folur për teatrin, regjisori Shatrolli pohon se ka përshtypjen se interesi i një  krijuesi bashkëkohor është duke shkruar në drejtimin e lekut. Në intervistën për “SOT” regjisori Naser Shatrolli shprehet se artin teatror nuk e bëjnë të pa talentuarit, ndërsa kjo kategori ka zënë pozicione goxha të theksuara në emër të asaj që quhet art. Për regjisorin nga Kosova që nuk ka munguar dhe në skenat e teatrit në Tiranë me shfaqjet e tij, duhet të besojmë në dramën shqipe për ta sjellë në skena sepse sipas tij ajo ka brumë, ndërsa dramaturgjia e huaj nuk është siç ka qenë dje. Duke u ndalur dhe në bashkëpunimet institucionale për teatrin midis Kosovës dhe Shqipërisë, regjisori Shatrolli vijon se kjo nuk është bërë deri tani, madje sipas tij asnjë palë nuk ka interes për tjetrën. Ky muaj e gjen regjisorin Naser Shatrolli duke punuar me premierën e tij të re për ta sjellë në skenë. Vepra me titull “Ditë vere” do të jetë për publikun premierë më datë 22 qershor.

-Ju po punoni për premierën tuaj të re “Ditë vere” shkruar nga Mrozhek dhe me regji nga ju. Çfarë sjell në ngjarjet e saj kjo vepër që do të jetë premierë në skenë?

Vepër me tretman absurditeti në raport me rrethanat kur dhe ku zhvillohet drame e dy personazheve të përhumbura në valët e jetës. Çfarë mund të ndodhë në një ditë vere, në një ditë me diell, sigurisht, që do të mund të ndodhë dhe shiu, por dhe më keq se kaq. Historia e këtij tregimi dramatik dhe dramaturgjik e autorit me përmasa globale, Mrozhek, do të shtjellonte aspekte sociale të individit përkatësisht të shoqërisë në një rrethanë deti, ose teatri. Fatin e individit dhe të shoqërisë  do ta parakalonte përmes dy personazheve, njëri fatkeq, tjetri fatmirë, dhe i treti ogur i asaj që quhet jetë. Drama është një akapultim njerëzor që mund ta gjesh kudo, në Poloni, Shqipëri, Kosovë, në Kore, Amerikë e gjetiu. Pra, deti, teatri, biletaria për në pakthim, janë segment bazë që do të trajtohen në një frymë urbane.

-Ju keni zgjedhur tre aktorë, çfarë mund të na thoni mbi personazhet që do sjellin në skenë?

Ata më kanë zgjedhur mua. Unë jam duke bërë regjisurën. Kam mbaruar gjetjet, kam shtrirë shfaqjen në hapësirë, e kohë, kam krijuar idenë origjinale në raport me Kosovën, aktorët janë në stadin e fundit të sendërtimit të roleve. Besoj që të tre kanë krijuar imazhin e asaj që është shkruar në dramë dhe që do ti ngjasonte të sotmes, për aq sa vet vepra personifikon të sotmen dhe të nesërmen.

-Kur pritet premiera juaj në teatër?

Në 22 qershor.

-Ju vepra tuaja i sillni edhe në Tiranë, po kjo vepër a mendoni se do jetë për publikun?

Po. Rregullisht jam në kontakte me drejtorin dhe regjisorin shqiptar, z. Kiço Londo. Këto ditë ai ishte në Beograd me shfaqjen e Enver Petrovcit në një ngjarje të themi kulturore. Përpara një kohe, kam qenë me shfaqje në Teatrin Metropol, kur ishte drejtoreshë, znj. Suela Konjari. Ajo ka bërë punë të shkëlqyera në raport me rajonin dhe me Kosovën sidomos. Ajo lëvizje u stopua në momentin, që erdhi një tjetër drejtoreshë. Mbase e hermetizoj logjikën e mirë që kishte marrë formë. Në të kundërt, të vetmen dritare bashkërendimi sot e shikoj Teatrin Eksperimental z. Londo, ka bërë disa hapa konkret po ashtu në kuptimin e bashkërendimit me krijuesit e Kosovës, Maqedonisë rajonit dhe botës. Unë isha para dy javësh me shfaqjen time ”Shkumsi” në Eksperimental. Për dy ditë radhazi u shfaqëm, dhe për çudi pjesa dërmuese e komunitetit artistik rrinin prapa teatrit tek pishina, kishin ndërtuar një skenë të vogël, por shumë e vogël, aty bënin teatër me mikrofon, fjalimet e tyre dëgjoheshin brenda teatrit gjersa luhej shfaqja. Nuk e parapëlqej kur artisti zgjedhë mënyrën për të demonstruar pakënaqësitë e tij jashtë objektit kulturor, shqetësuese tingëllon. Me sllogane “mbro teatrin” unë shikoj më tepër thirrje për ndarje. Do të binin ndesh me vet emrin teatër. Ato janë pankarta që nuk përkojnë me shtete demokratike si Shqipëria, gjersa turizmi aty është në rritje, bota vjen për të gërmuar çdo cep të kësaj toke të pasur me histori arkeologjike dhe përtej, por dhe me të bëmat e këqija që i kanë ndodhur në histori, dhe për çudi, turistëve nuk ju bie në sy ajo godinë gjersa paguajnë 500 lek për të vizituar bunkerin e xhaxhit Enver! Mua më ngjason në një kazermë ushtarake të ish Jugosllavisë, e cila nuk ekziston më ajo godinë, ose një Shqipërie komuniste që nuk është më. Nuk do duhej bërë instrument rruge krijuesi që ka emër, që e njeh populli i tij, që ka besim në të. Atij do ti humbet vlera nëse vazhdon në pluhur me ushtruar fjalën e tij skenike. Nuk më intereson fare pjesa politike e atij vendi, sepse jam votues i Kosovës. Por nuk do ta parapëlqeja edhe po të ishte shteti që ua krijon bunkerët e handikapit këtë mënyrë demonstrimi. Përndryshe, nuk besoj që ka njeri që do të ishte kundër teatrit, ose për të mbyllur teatro, nuk besoj, nuk beson askush. Tirana është hapësirë ku unë ndjehem shqiptar edhe kapak evropian.

 -Puna juaj si regjisor ka qenë e fokusuar shumë dhe në veprat shqiptare. Për ju çfarë duhet pasur parasysh për veprat shqipe në skenë dhe sa vëmendje kanë teatrot si në Shqipëri apo Kosovë për ta pasur në skenat e tyre?

Këtu është çelësi i përçmimit të regjisurës shqiptare përderisa nuk gjurmon tekstet shqiptare, përkundrazi, i përgojon, i nënvlerëson ato. Unë, do të doja që të ngelem brenda kësaj logjike ideoestetike në hapërimet e mia të mëtejme teatrore. Unë e dua dramën shqipe për një shkas, për një motiv, sepse besoj në dramën shqipe, ka dramë, duhet ribërë në momente të caktuar drama pak më e vjetër se koha, por drama jonë ka brumë, edhe dramaturgjia botërore sot nuk ka peshën siç kishte dje, edhe aty ka vend për modifikime. Unë njoh vepra tona, që dua ti inskenoj në të ardhmen. Regjisorët që kanë qëllime përfitimi vendosin emra të njohur të dramaturgjisë botërore, për të qëndruar pezull në shkallët e teatrit më lehtë emri i tyre.

-Teatri shqiptar për ju si po zhvillohet dhe me çfarë problematikash po përballet?

S’ka probleme në teatrin shqiptar rajonal. Ka mungesë idesh, para ka, vullnet ka. Kam përshtypjen se interesi i një krijuesi bashkëkohor është duke shkuar në drejtimin e lekut. Artin teatror nuk e bëjnë të pa talentuarit, ndërsa kjo kategori, ka zënë pozicione goxha të theksuara në emër të asaj që quhet art, mbase sikur po tentohet që kjo logjikë e çoroditur televizive të futet brenda kulisave teatrore. Ta zëmë në Tiranë, shikoj shfaqje që ata i quajnë komedi, por që janë mentalitet i serive televizive, nuk kanë erë teatri ato.

-Sipas jush a bëjnë sa duhet për bashkëpunime teatrore institucionet e teatrit në Kosovë dhe Shqipëri?

Jo. Nuk bëjnë fare. Nuk ju han fare as njërës as palës tjetër.

-Gjithmonë flitet për buxhete të pakta për teatrin. Si ndikon kjo për shfaqjet teatrore?

Këtu te ne në Prishtinë Teatri Kombëtar ka buxhet të mirë, (diku 450 mijë euro vetëm për projekte, pastaj stafi rezident dhe administrata, pastaj shërbime e mallra, të gjitha këto janë barrë e ministrisë, kështu që shifra totale tejkalon milionin e parë), teatrot e qyteteve kanë shumë pak buxhete këtë vit. Ndërsa shfaqjet janë pothuajse të njëjta përfshirë ato që kanë buxhete ta zëmë 70 mijë euro, ose 100 mijë, apo shfaqje që kanë 5 mijë euro, nuk dallojnë në kualitet. Mbase, ndodh që shfaqjet me buxhete minimaliste dalin përtej pritshmërive karshi shfaqjeve që kanë buxhete deri në 80 mijë euro për shembull. Ka shembuj konkret.

-Çfarë duhet bërë nga ministritë e Kulturës si në Shqipëri apo Kosovë për të pasur më shumë zhvillim jeta artistike?

Nuk e besoj se do të ketë ndonjë bashkërendim mirëfilli. Më duket se vit pas viti jemi duke ndryshuar me njëri- tjetrin. Për të mos thënë duke u larguar nga njëri tjetri. Nuk është faj personal imi apo faj kolektiv yni, ndryshime të theksuara ka edhe në botë. Popujt në vetvete po krijojnë veçori, tipare vetmie, të cilat nuk duan të përkojnë me paswordin e një mendësie tjetër. Gjermania në raport me Zvicrën, me Austrinë, ose popujt nordik, Shqipëria e veriut me jugun edhe pse janë brenda një gjeografie kanë pikëpamje të ndryshme. Sllavët që flasin një gjuhë, kanë një besim, bënë luftëra të mëdha për tu ndryshuar, nisur nga kjo logjikë, bashkëpunime do të mund të ketë sa për të arsyetuar nënshkrimet e vendosura në letra. Pra, do të ketë bashkëpunim në letër.

-Në Shqipëri diskutohet shumë mungesa e kritikës së artit. Pra nëse bëhen shfaqje apo filma nuk ka shkrime kritike. Sa është kjo shqetësuese?

S’ka lekë. Gazeta, portalet, televizionet, nuk e shikojnë si domen përfitimi kulturën për derisa arti teatror shikohet si skaj i xhepit të një varfërie shoqërore. E di si thonë…uuu artist je!? Me teatër merresh!?, këta s’kanë pare këta, dhe fjalia e fundit që dëgjon flas në Prishtinë është ”a po ju paguan shteti noj gjo”. Në të kundërt, ka kritikë të fortë, që do të mund të quhen rentgen për teatrin shqiptar. Josif Papagjoni, Lutfi Lepaja, këta dy emra më erdhën ndër mend tani. Ka dhe tjerë të jeni të bindur, dhe fare në fund nuk është teatri në atë gjendje çfarë është perceptimi shoqëror.  Unë besoj se ka për të ndodhur që nga viti i ardhshëm, pra në Kosovë do të ketë zhvillime të reja në aspektin e menaxhimit të përgjithshëm teatror, në shkallë vendi flas. Ministria e Kulturës dhe qeveria e Kosovës kanë dhënë firmën e tyre për të ndarë fonde të konsoliduara për 8 teatro të qyteteve duke angazhuar dhe staf rezident me vendime të përhershme në secilin prej këtyre teatrove. Kështu që do të mund të shfaqeshin pastaj kriza për regjisor kam dyshime. 

-Teatri që zhvillohet në hapësirat shqiptare përballë teatrit në Europë, për ju si zhvillohet dhe si e krahasoni?

Do të mund të krahasoja një shfaqje private (me buxhet minor) me një shfaqje të Evropës. Ndërkohë, nuk kam se si ta krahasoj teatrin shqiptar me atë evropian, flas gjithnjë në kontekstin artistik, do të ishte aromë me shije të përzier. 

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here