PD-Ramës: Akti i presidentit për shtyrjen e zgjedhjeve është botuar në Fletoren Zyrtare, do respektojmë ligjin kur të dalë datë e re

0
348

Krerët e bashkive të drejtuara nga opozita kanë filluar me mosbindje, duke dërguar letër në KQZ për lirimin e hapësirave publike që janë përcaktuar për vendosjen e KZAZ për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Pas kësaj lëvizje të opozitës, ka reaguar kryeministri Edi Rama, i cili u ka bërë thirrje të mos bien viktimë e Sali Berishës, Lulzim Bashës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Përmes një postimi në rrjetin social, ai deklaroi se ata duhet ti binden ligjit, duke shtuar se nga gara nuk i nxori PS por vetë drejtuesit e partive të tyre. “Kryebashkiakë demokratë!Mos bini viktimë e katërshes SB/IM/LB/MK duke nxjerrë pengesa për zgjedhjet. Referojuni ligjit jo hallit të tyre të madh e as zhurmës së tyre të kotë. Nuk ju nxori PS nga gara po ata dhe ata duhet të përgjigjen para jush, jo ju para tyre. Ligji s’ka mëdyshje”, shkruan Rama. Kryebashkiakët e PD-së i janë përgjigjur thirrjes së kryeministrit Edi Rama pasi ai iu kërkoi të mos bien pre e liderëve dhe t’i referohen. Sipas tyre, kryeministri është në paligjshmëri, pasi qeveria ka botuar në fletoren zyrtare dekretin e Presidentit dhe këto akte ligjore janë të detyrueshme. Reagim për Edi Ramën nga kryetarët e bashkive që po zbatojnë dekretin e Presidentit për anulimin e datës 30 qershor. “Zoti Kryeministër! Je kokë e këmbë në paligjshmëri! Qeveria e drejtuar prej teje ka botuar në Fletoren Zyrtare dekretin e Presidentit. Siç mund ta dish fare mirë, në Fletoren Zyrtare publikohen aktet ligjore të detyrueshme për zbatim në Republikën e Shqipërisë. Mos u lodh me urdhra pa vlerë që nxisin militantët e tu në KQZ të na kërcënojnë me ndjekje penale, sepse, përsa kohë nuk ekziston një datë zgjedhjesh, as zgjedhjet nuk ekzistojnë. Kushdo që vepron ndryshe, është në paligjshmëri! Zoti Kryeministër, kur Presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria jonë për respektimin e ligjit, do të jetë, si gjithmonë, maksimale. Hallin e datës 30 nuk ta zgjidhim dot ne! Je që je kot dhe sillesh nëpër Shqipëri si qyfyrexhi, jepi urdhër KQZ-së të shpallë menjëherë nisjen e negociatave me BE-në”, thuhet në deklaratën e kryebashkiakëve të djathtë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here