Strakoshën e kërkojnë 3 klube të mëdha në Angli, Lotito i Lacios vë kusht 50 mln euro

0
346

Tre klube të njohura të Anglisë janë gati të bëjnë çmenduri financiare për gardianin e përfaqësueses së Shqipërisë, Thomas Strakosha. Bëhet fjalë për klube elitare angleze dhe të Premier League, të cilat shohin tek gardiani kuqezi lojtarin e dëshiruar për portën e tyre dhe njëherësh futbollistin që mund të mbulojë merkaton në mënyrën më të mirë, sepse është moshë e re dhe premtues, sidomos për faktin se vjen nga shkolla italiane e futbollit, me eksperiencë në Serie A dhe që ka spikatur si lider i skuadrës së Lacios në kryeqytetin italian. “Thomas Strakosha i shumëdëshiruar në Premier League”, shkruajnë mediat sportive britanike që e bëjnë fakt të kryer operacionin e nxitjes së diskutimit dhe tentativës për marrëveshje mes tyre dhe Lacios. Kështu, evidentohen se janë të paktën tre ekipe angleze që synojnë të marrin shërbimet e portierit shqiptar, i cili edhe në sezonin që sapo u mbyll tregoi një nivel të lartë në Lacion, ekipi me të cilin fitoi edhe Kupën e Italisë. Sipas medieve nga përtej Adriatikut, dy klubet londineze, Arsenali dhe Totenhemi, por edhe Uest Hami, e kanë seriozisht për portierin kuqezi. Pak ditë më parë, “Corriere della Sera” shkroi për një interesim të “Topçinjve”, por tashmë është shtuar konkurrenca për kartonin e tij. Mund të thuhet që në Angli janë “dashuruar” me Strakoshën, për të cilin presidenti i lacialëve, Lotito, kërkon jo pak por 50 milionë euro. Mbetet për t’u parë nëse klubet e sipërpërmendura janë të gatshme për të plotësuar kërkesën e numrit 1 të Lacios. Kuptohet, në analizën e medieve sportive duhet marrë parasysh fakti se ofertat nga klubet angleze kanë mbërritur tashmë në zyrat e Lacios dhe fakti që Lotito ka përmendur minimalisht 55 mln euro si kusht për largimin e Strakoshës, tregon që klubet angleze kanë bërë oferta mbi 25 mln euro për gardianin shqiptar. Por, evident është fakti se Lacio insiston se Thomas Strakosha është i paprekshëm dhe se mendon të vazhdojë bashkëpunimin sa më gjatë me portierin shqiptar. Por sigurisht çdo lojtar ka një çmim dhe vlera e portierit shqiptar vazhdon të rritet ndjeshëm, duke shtuar edhe interesimin për të. Kjo ka bërë që Lacio të marrë në konsideratë idenë e transferimit të tij, duke i vendosur çmimin kartonit të 24-vjeçarit. Gjatë javëve të kaluara është përmendur shpesh interesimi i klubeve angleze për gardianin shqiptar. Sipas “Il Messaggero”, përveç Arsenalit e Totenhemit, tani për Strakoshën ka filluar të interesohet konkretisht edhe Uest Hem. Ndaj në një situatë të tillë Lacio duket gati të hapë ankand mes këtyre skuadrave për të siguruar sa më shumë nga një transferim i mundshëm. I njëjti burim saktëson se bëhet fjalë për një shifër relativisht të lartë, pasi Klaudio Lotito e vlerëson mes 50-55 milionë eurove portierin shqiptar dhe nuk dëshiron ta lërë të largohet për një shumë më të ulët. Pritet që negociatat konkrete të fillojnë në javën e ardhshme, pasi klubet angleze kanë piketuar portierin shqiptar dhe duan të bëjnë investime të rëndësishme për portën e tyre. E ndërsa bisedimet vijojnë, me gjasa të mëdha që sezonin e ri Strakosha të luajë në Premier League, në Kombëtare futbollisti nuk ishte ftuar këtë herë, pra për duelet e qershorit kundër Islandës dhe Moldavisë, pasi pati një problem dëmtimi në “tendinin e Akilit”, e cila nuk e la të ishte prezent në gjirin e Kombëtares për këto dy duele. E kuptohet që në vend të tij në portë si titullar ishte padiskutim Etrit Berisha, portier me përvojë tashmë dhe që ka bërë gjithashtu një sezon të mirë me Atalantën në Serie A. Gjithsesi, në duelet e shtatorit kundër Francës dhe Islandës, Strakosha besohet se do të rikthehet titullar, nisur nga forma e mirë që ka dhe njëherësh rritja e tij e pabesueshme teknike gjatë dy viteve të fundit. Me pak fjalë, Strakosha është portieri i të ardhmes dhe nuk është rastësi që klubet angleze insistojnë për të marrë në gjirin e tyre gardianin e përfaqësueses kuqezi.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here