Saimir Kumbaro: Filmat e kanë humbur shkëlqimin e dikurshëm, duhet të realizohen nga profesionistë dhe jo anonimë

0
467

Kinematografia në vend ka probleme jo vetëm me buxhetet e pakta për filmat, por dhe punës që bëhet sot për realizimin e tyre. Regjisori i njohur Saimir Kumbaro shprehet se filma bëjnë ata që dinë ti realizojnë dhe jo njerëz anonimë. Në intervistën për “SOT” regjisori flet dhe për rregulloren e re të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, duke pohuar se janë vënë disa kufizime, që sipas tij pritet të ndikojnë për më mirë për filmin. Punën me filmin në Kinostudio e filloi dekada më parë, por regjisori Saimir Kumbaro shprehet se po ti krahasosh filmat e atyre viteve pavarësisht nga defektet ideologjike që quhen sot, janë me emocione, ngjarje, kanë veprim, aksion, atmosferë, karaktere, gjë që ka filluar të sfumohet në kohët sot. Regjisori pohon se skenari nuk është një tregim ose hartim, dhe që të shkruash skenar duhet të bësh shkollë. Problemet me filmin janë dhe në zbatimin e ligjit të së drejtës së autorit, dhe sipas regjisorit Saimir Kumbaro njëkohësisht dhe drejtor i FMAA ka organizma që ka krijuar ministria dhe nuk kanë performancë në këtë drejtim. Në aktivitetin e tij si regjisori me filmin artistik përmendim: Ne dhe Lenini ( 2009); Të burgosurit e galerisë (1994); Vdekja e kalit (1992); Historiani dhe kameleoni (1989); Rrethimi i vogël (1986); Tre njerëz me guna (1985); Nxënësit e klasës sime (1984); Gracka (1983); Gjurmë në kaltërsi (1981); Gëzhoja e vjetër (1980); Koncert në vitin 1936 (1978); Ilegalët (1976), Rrugicat që kërkonin diell (1975). Në realizimin e dokumentarëve, regjisori Saimir Kumbaro ka marrë të tjera vlerësime. Dokumentari më i fundit ishte ai me titull “Një ciceron për historinë”.

-Qendra Kombëtare e Kinematografisë ka publikuar rregulloren e re. Si regjisor ju si e shikoni?

Mua më duket, që rregullorja e re nga QKK është bërë në favor të kineastëve. Filma bëjnë ata që dinë të realizojnë, jo njerëz anonimë, që iu teket të shkojnë të regjistrohem në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë si producent filmi dhe të arrijnë të marrin disa para. Janë 92 shtëpi filmike, dhe për një vend si Shqipëria është absurde. Me rregulloren e re janë vënë disa kufizime, që të jesh producent duhet të kesh dhënë prova që ke bërë disa gjëra, ke marrë ndonjë çmim, pra je vlerësuar dhe jep garanci. Kështu e ka dhe bota e qytetëruar. Nuk ka që të bësh tulla dhe llaç apo shet mish dhe të bëhesh producent. QKK financon, në një farë mënyre produktin kinematografik është biznes se prodhon një mall për ta shitur. Këto para kryesisht i jep shteti, nëse je i zoti nxjerr dhe nga “Eurimages” bën montazh financiar, dhe nëse nuk je i zoti do të mbetesh me atë shumë që të jep QKK, taksapaguesi shqiptar, dhe dihet që nuk janë mjaftueshme, por jo shumë pak. Këtu futet dhe pasioni i të riut për tu lançuar. Kryetari i ri në QKK ka idenë që ky produkt kinematografik të jetë biznes dhe jo familjar. Në kohën tonë më parë ne kishim skenaristin përshembull Kiço Blushin, Nexhmedin Tafën, Peçi Dadon, Nasho Jorgaqin e të tjerë dhe ne na servirnin skenarin. Unë më pas kisha të drejtë që e përpunoja, por pa i hyrë në pjesë, kishte një bashkëveprim dhe harmoni me njëri- tjetrin. Po ti krahasosh filmat e kohës sonë pavarësisht nga defektet ideologjike që quhen sot, por janë me emocione, me ngjarje, kanë veprim, aksion, atmosferë, personazhe, karaktere, gjë që ka filluar të sfumohet sot.

-Bordi i ri i QKK sipas rregullores do të ketë dhe anëtarë të huaj. Ju duket e drejtë?

Duke qenë se ne nuk kemi kritikë apo skenaristë të kualifikuar, atëherë lind nevoja që skenarët të gjykohen nga njerëz, që e njohin gjuhën e filmit, që e lexojnë që në letër. Kjo kërkon përgatitje, të kesh dhënë prova, që ti ta lexosh këtë. Me kontaktet që kanë sot në botë si me Francën, Gjermaninë, Italinë kanë mundësi të bëjnë 2 deri në 3 propozime, që brenda bordit që është prej 5 deri në 7 veta inkludohen 2-3 të huaj, që janë të pakorruptueshëm. Një bord me shqiptarë, ku ka njerëz të fushave të ndryshme shto këtu dhe përgatitjet, që e kanë të dyshimtë votojnë. Unë kam qenë partizan i kësaj ideje dhe çuditërisht edhe kryeministri Rama e aprovoi këtë. Ky është qëllimi i kryetarit të ri në QKK, por puna po ecën me pengesa të mëdha, sepse e kemi shumë të vështirë të pranojmë inovacione, gjërat e reja.

-Sa është përkrahur nga shteti kinematografia me buxhete?

Unë e di që ka qenë deri në 1 milionë euro buxhet në QKK për filmat. Dhe besoj që dhe kryetari i ri do të shikojë dhe shpërblimin për anëtarët e bordit. Por përpara kësaj pune duhet bërë një preseleksionim i projekteve. Nëse janë përshembull 20 skenarë, zgjidhen pesë. Këto pesë përkthen sigurisht që ata që do ta bëjnë duan para dhe i nisen anëtarëve që janë të huaj. Buxheti duhet për të rritur dhe cilësinë e filmit, sepse shumë pak filma janë cilësorë sot. Duke pasur pak buxhet detyrohen që të mos marrin dhe aktorët, që duhet në film. Pra me qëllimin e mirë për të rritur cilësinë e filmit kryetari i ri në QKK ka bërë disa ndryshime në rregulloren e re. Ka mbledhur dhe komunitetin e kineastëve për këtë punë. QKK aktualisht ka 60 milionë lekë të reja që duhet ti shpenzojë, por ka mbetur me këtë ngërç. QKK duhet ti shpenzojë deri në fund të vitit se ndryshe ia merr shteti. Nuk ia kalon më për vitin tjetër. Unë nuk e di se si do ta zgjidhi këtë punë kryetari i ri në QKK, por duhet të bëjë një zgjedhje urgjente në mënyrë që të fusë në punë paratë që kanë mbetur.

-Jeni prej disa muajsh në krye të Forumit të Mbrojtjes për Autorë të Audiovizualit. Kineastët flasin për probleme dhe shprehen se ministria duhet të gjejë zgjidhjet me të drejtën e autorit. Çfarë duhet bërë?

Prej tre muajsh jam caktuar drejtor ekzekutiv te FMAA. E drejta autorit mbrohet me ligj. Shqipëria ka aderuar në konventën e Bernës në vitin 1994. Kjo konventë thotë që e drejta e autorit është eksluzive, e përjetshme, por ne e kemi 70 vjet. Autorët kanë të drejtë të caktojnë tarifat, etj. Por tek ne ish ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro me stafin e saj huazoi një ligj kroat më duket dhe krijoi një organizëm që quhet Sporteli Unik për Administrimin e të Drejtës së Autorit (SUADA). Por kjo nuk ka perfomancë, dhe jo për faj të drejtuesit. SUADA nuk bën dot gjë, sepse nuk ka përkrahje dhe mbështetje. Ministria gjënë e parë që duhet të bënte me SUADA-n duhet ti jepte një fond, që të krijonte qendrën e monitorimit. Ne kemi ligj dhe shkelet, por çdo film i prodhuar nga ish Kinostudio apo Qendra Kombëtare e Kinematografisë jepet me të drejtën dhe lejen e autorizimin e autorit. Këto tani kanë krijuar SUADA-n, që nuk ka performancë të mbledhë para. Pra SUADA është një dështim. Kjo ka bërë që televizionet të përfitojnë nga ngërçi ligjor dhe nga paaftësia e SUADA-s.

– Çfarë është bërë për pagesat e kineastëve?

Ne na kanë dhënë një letër nga qeveria, që të gjithë honoraret e kineastëve duhet të kalojnë te SUADA, por kur fillon procesi i dytë dhe aty ajo nuk i ndan sipas meritave, ne na kanë dhënë shumë pak. Unë i kam kërkuar ZSHDA, që të shikojnë mundësinë e abrogimit të ligjit për SUADA-n, sepse nuk është rezultativ. Ne kërkojmë abrogim të ligjit për SUADA-n, sepse do të na kthejë në vitin 1992, atë punë që bënte ndjesë pastë Neshat Tozaj. U provua dhe nuk dha rezultat, që në 1992 dhe tani na e sjellin si shpikje të re. Ne paratë që kemi pasur si Forum i Mbrojtjes së Autorë të Audiovizualit (FMAA), Esat Musliu i ka ndarë të gjitha në mënyrë korrekte. Tani këtë buxhet që ka mbetur ma kanë kaluar mua në FMAA dhe ministria thotë ndaje. Por unë nuk e bëj dot këtë pa mbledhur më parë bordin, që është vendimarrës në FMAA. Në një mbledhje të fundit u mblodh bordi, ku iu thashë çfarë do të bëjmë me paratë që na kanë mbetur, sepse ministria ka dhënë ultimatum çojeni në zero deri në fund të vitit. Mirëpo nëse e çojmë zero në fund viti do të thotë të falimentojë zyra në FMAA, sepse me çfarë do të paguajmë qeranë? Ne po bëjmë përpjeke që të ulim maksimalisht shpenzimet e zyrës, që janë paratë e kineastëve. Pra defekti jonë është te SUADA. Ne për të drejtën e autorit ministrisë i kërkojmë zbatim të ligjit. Dy platforma e rëndësishme private tek ne shfaqin pa të drejtë filmat tanë. Jo vetëm që i marrin filmat pa leje dhe kontratë dhe i shfaqin non stop, por më pas i shesin. I shesin përmes një aparature tjetër për shqiptarët jashtë shtetit dhe me ligj kjo ndalohet nga QKK, sepse nuk ka dhënë këtë autorizim. Më pas ia shesin dhe kabllorëve. Në territorin e Shqipërisë janë 328 pika shitje, që vetëm transmetojnë mall të vjedhur. Afganistani ka 16, Austria 12, Argjentina 156, Australia 87, Afrika 201. Në këtë situatë kineastët shqiptarë nuk marrin para, sepse nuk i lë SUADA. Një shkresë thotë që të gjithë të ardhurat duhet të kalojnë te SUADA, e cila më pas vazhdon një budallëk të dytë që ndan përqindjet, përshembull 10 përqind merr skenari, regjisori, kompozitori dhe 10 përqind edhe muzika. Por me këto që ndodhin tregon dhe papërgjeshmëri totale të Këshillit Kombëtar të Drejtës së Autorit (KKDA) i krijuar po nga ish ministrja Kumbaro, që ka mbledhur disa njerëz që nuk e kanë idenë çfarë është produkti. Pra kemi vetëm pengesa pa fund me të drejtën e autori. Ne kemi një ligj pengues, ndërsa duhet të bëhen për t’u zhvilluar.

– Për ju skenarin duhet ta shkruajnë ata që dinë ta bëjnë. Dikur ju jeni shprehur se skenari i filmit nuk është hartim. Si ndikon në film skenari kur nuk është shkruar si duhet?

Këtu i bëjnë të gjitha vetë. Justifikimi është, që nuk ka buxhet. Që të bësh skenar sot duhet të bësh shkollë, por ne nuk kemi. Janë disa të guximshëm që japin skenarë, por ai nuk është një tregim ose hartim. Por kemi pasur dhe filma që kanë qenë të suksesshëm si Gentian Koçi, Bujar Alimani, etj, pra kemi pasur edhe filma të mirë.

-Sa problem është mungesa e kinemave në vend?

Në Tiranë kemi disa kinema private, ndërsa të tjerat u bënë zyra. Kinema “Dajti” u bë zyrë. Në rrethe që nuk ka kinema le të shohin televizor. Ka vetëm në Kuçovë kinema apo dhe në Sarandë më duket. Të tjerat dikur u bënë edhe bingo.

-Sipas jush sa i kufizon buxheti i paktë kineastët?

Kinemaja është biznes. Ka një kosto. Në botën si e jona në kinema ka një mision tjetër edukativ dhe njerëzit shikojnë modelin, që të bëhen të mirë. Ka disa lloj skenarësh, që të dalin më pas filmat. Kemi skenarë të tipit “Odisea” dhe “Iliada”. Ne me buxhetin që kemi nuk mund të marrim filma të karakterit “Odisea”, sepse është pak dhe duhet ti përshtatemi skenarit të “Iliadës”.

 -Si i shikoni aktorët sot?

Aktorët sot janë më të mirë se sa kanë qenë. Kanë filluar të interpretojnë për kinemanë, sepse aktorët e vjetër, duke qenë se ishin punonjës në teatër deklamacioni i tyre ishte teatral.

-Ju keni qenë kritik ndaj Ministrisë së Kulturës. Sipas jush sa është bërë për artin?

Ministria e Kulturës ndër vite nuk ka bërë për artin, ka bërë gabime. Unë jam nga ata njerëz, që jam shumë vëzhgues. Shkulën pllakën nga Kinostudio, që shkruante me 10 korrik të 1952 inaugurohet Kinostudio Shqipëria e Re…Ajo u zhduk, por unë nis e kërkoj dhe e gjej si rraqe të hedhur në një magazinë. Isha në Kanada dhe vizitova një qytet me 160 mijë banorë që ishte Oshaëa. Aty ishte muzeu i automobilave të vjetër, që i kishin zbukuruar dhe ishte 15 dollarë për të hyrë brenda. Ruajtur dhe restauruar. E kundërta ndodh në Shqipëri, makinat tona të vjetra janë duke u kalbur. Në mëshirë të fatit. Pashë kamioçinën që kam pasur unë në filmin “Koncert në ‘36” pa goma, po jepte shpirt. Të gjitha po kalben dhe askush nuk bën gjë.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here