Atelieja e Restaurimit përfundon në Berat, certifikohen 10 profesionistë

0
408

Atelieja e Restaurimit “Konservimi i pikturës murale në kishën e Shën Kostandinit dhe Helenës, Berat” përfundoi duke certifikuar dhe dhjetë profesionistë. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se këta profesionistë do ti shtohen tregut të punës. “Mbaron me sukses, Atelieja e Restaurimit dhe Konservimit të pikturës murale në kishën e “Shën Kostandinit dhe Helenës”, Berat. U certifikuan 10 profesionistë të rinj nga Shqipëria, Kosova e Spanja, që i shtohen tregut të punës”, shkruan ministrja Margariti, ndërsa ka publikuar dhe foto gjatë certifikimit të profesionistëve. Kjo atelie zgjati dy javë dhe dita e parë e këtij trajnimi u zhvillua në kishën e “Shën Kostandinit dhe Helenës”, në lagjen Kala, Berat. Pjesëmarrësit gjatë këtyre ditëve shkëmbyen eksperienca dhe u specializuan në njohjen e vlerave të rralla të trashëgimisë sonë kulturore, materiale e shpirtërore. Të pranishëm në hapjen e kampit ishin drejtoresha e Institutit të Monumenteve të Kulturës Arta Dollani dhe drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare-Berat Eugen Kallfani. Kisha e Shën Kostandinit dhe Helenes është e ndërtuar në anën perëndimore të lagjes Kala, pranë shtëpive të banimit, vëllimi i të cilës nuk shquhet në mjedisin, që e rrethon pasi i është përshtatur arkitekturës së banesave. Kisha paraprihet nga një oborr dhe nga falorja. Përbëhet nga naosi kthina e altarit si dhe nga absida gjysmë rrethore. Objekti ruan piktura murale, të cilat datohen nga mbishkrimi në portën V në vitin 1639. Pikturat kanë tematikë biblike. Në këtë kishë është pikturuar dhe portreti i Kostandinit, emrin e të cilit mbanë kisha, i cili është dukë u restauruar. Dyshemeja është e dekoruar me mozaik dhe ka në qendër një katror me vizatime gjeometrike prej pllakash guri dhe tullash katrore. Ndriçohet vetëm nga një dritare në anë perëndimore. Në Berat ka dhe të tjera kisha që janë objekte të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. Përmendim kishën e Shën Kollit e ndërtuar në shek. XVI. Datimi vërtetohet nga mbishkrimi i pikturimit me 1591 mbi portën veriore. Por nga gërmimet arkeologjike të bëra në apsidën e kishës u vërejt se muret e kësaj kishe i përkisnin shekullit të XI. Kisha e Shën Todrit është e hershme e rindërtuar mbi rrënojat e një kishe paleokristiane, e cila vërtetohet nga një kolonë e vogël me kapitel të vendosur përmbys te dritarja e absidës së kishës. Kisha e Shën Mëri Vllahernës është një nga më të vjetra të ndërtuara në qytetin e Beratit. Arkitektura ruan formën e rikonstruksionit të  gjysmës së dytë të shek. XV. Ndërtimi i hershëm i shek XIII-XIV i përket tipit të kishave bizantine me formën e kryqit të brendashkruar me kupolë, e cila është zëvendësuar me çati.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here