Plas keq debati në komision, Bindja Demokratike ‘iu përvishet’ socialistëve: Votuan edhe ata që nuk ishin fare, urgjentisht të…

0
409

Bindja Demokratike ishte e vetmja forcë opozitare që pati disa kandidatë përballë kandidatëve të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 30 qershorit 2019, edhe pse nuk mundi të fitojë asnjë bashki. Bindja Demokratike e Astrit Patozit, nuk pati asnjë komisioner apo numërues në këto zgjedhje, edhe pse si përfaqësuesi i kësaj force politike, Fabian Topollaj tha, ata kanë kërkuar komisionerë, por KQZ nuk i ka miratuar.

Në mbledhjen e kësaj të mërkure në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Bindja Demokratike kërkoi të hapen kutitë në disa bashki që ata kanë dyshime se kanë votuar më shumë shqiptarë seç kanë qenë të pranishëm në vend. Sipas Topollajt, duhen bërë verifikime në sistemin TIMS, pasi siç ai akuzoi, ka shqiptarë që nuk kanë qenë fare në atdhe, dhe ndërkohë rezultojnë sipas tij, të jenë votues më 30 qershor.  Ai tha se në gjithë qendrat e votimit në Bashkinë e Sarandës ka parregullsi, dhe duhen hapur të gjithë kutitë për të bërë verifikimet.

Fabian Topollaj: Të hapen të gjitha materialet zgjedhore në kuti, mes votave dhe atyre qytetarëve që rezultojnë në lista që kanë votuar. Kjo bëhet krejt lehtësisht që ky proces mund të ndihmojë sistemi TIMS, për të bërë një ballafaqim mes atyre që rezultojnë të kenë votuar më 30 qershor me sistemin TIMS, dhe do kuptoni që shumë shqiptarë që nuk kanë qenë në Shqipëri, rezultojnë votues në Sarandë. Të drejtën tonë për të hapur kutitë, ne na e jep neni 136 /c, që përcakton se mund të kërkojmë marrjen e provave për të vërtetuar faktet nëse nuk ka qenë e mundur që këto prova të sigurohen paraprakisht. Pra kërkojmë të hapen kutitë për zonën e Sarandës. Kodi Zgjedhor e thotë që është i detyruar KQZ të japë gjithë provat që subjekti zgjedhor nuk ka pasur mundësi t’i disponojë më parë. Ne nuk kemi pasur mundësi të jemi në qendrat e votimit dhe të numërimit, pavarësisht se kemi kërkuar komisionerë. Nëse pretendimet tona vërtetohen të faktuara kërkojmë përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë këtë zonë.

Përfaqësuesi ligjor i PS-së, Eridjan Salianji tha se bëhet fjalë për një tymnajë, një shashkë që po i hidhet procesit zgjedhor. Ai tha se për të shkuar tek hapja e kutive të votimit, duhet që të paktën njëri nga vëzhguesit e Bindjes Demokratike të kishte bërë një ankimim ditën e zgjedhjeve për  parregullsitë që mund të kishte konstatuar gjatë procesit.

Salianji: Të hedhësh gjëra të pavërteta në gojë të vëzhguesve që kanë pasur mundësi që këto të drejta t’i përdorin ditën e zgjedhjeve, kjo është një abuzim. Para se të kërkoni hapjen e kutive zgjedhore, na tregoni ku vëzhguesit e BD kanë bërë ankim në qendrat e votimit. Mbasi të marrim këtë dokument ë është e mundshme të bëhet nga vëzhguesi, atëherë do të shkojmë tek kutitë, tek lista dhe materialet zgjedhore. Vërtetë nuk keni pasur mundësi të numëroni, por keni pasur mundësi të shkruani dhe të ankimoni që ditën e zgjedhjeve. Duhen fakte, shënime që lihen në proces, për të shkuar më tej deri tek hapja e kutive. Këtë që paraqisni ju pas 10 ditësh, na gjeni një vëzhgues që ka shprehur të paktën një ankimim, që në këtë qendër votimi votat e Bindjes kanë kaluar për PS-në. Kutitë le të hapen vetëm nëse ka kontenstime nga vëzhguesit.

Topollaj: Ne i kemi ankimuar të gjitha qendrat e kësaj njësie administrative, Sarandës. Gjetjet e vëzhguesve tanë janë bërë pas mbylljeve të kutive të votimit. Kur është shpallur rezultati në ato qendra votimi, ata kanë konstatuar që ka pasur më shumë vota sesa votues. Kur ta bënin ankimimin ata?

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here