Romeo Kara: Meta-Berisha kokat e korrupsionit, janë bërë bashkë për të shpëtuar pasuritë kriminale, ja çfarë fshihet pas “tërbimit” të presidentit

0
25

Juristi Romeo Kara, i pari që denoncoi skandalet e qeverisë “Berisha” me CEZ Shpërndarje, ka komentuar dje situatën politike në vend. Në një intervistë për gazetën“SOT”, ai ka folur mbi shkarkimin e presidentit Ilir Meta dhe situatën në opozitë. Kara ka treguar se shkarkimi i Metës është shumë i vonuar, pasi mazhoranca kishte mundësi që ta dërgonte atë para drejtësisë shumë kohë më parë. Ai ka thënë se Berisha e Meta janë simbole të së keqes në vend dhe të korrupsionit. Sipas tij, presidenti është tërbuar javët e fundit pasi nuk ka më ndikim në drejtësi dhe e di se mund të shkojë para prokurorisë apo gjykatës.-Mazhoranca ka nisur procedurat për shkarkimin e presidentit Meta. Ju jeni ndër të paktët që e keni akuzuar për skandale e afera. Si e shihni shkarkimin e tij, të drejtë, të gabuar apo të vonuar?Së pari, mazhoranca ka përgjegjësinë e emërimit në postin e lartë të presidentit, të një hajduti ordiner, tipik i politikanit meskin, që për ideal dhe kauzë ka vetëm interesin e tij dhe asgjë tjetër. Ishte kjo mazhorancë që protestoi kundër këtij personi kur ishte ministër i Ekonomisë dhe e pagoi dorëheqjen e tij me katër të vrarë në 21 janar 2011. Pikërisht ky person, i padenjë për të qenë ministër, u zgjodh nga mazhoranca kryetar Kuvendi dhe president, duke humbur përfundimisht moralin e luftës kundër korrupsionit dhe për drejtësi. E kam atakuar publikisht zgjedhjen president të këtij hajduti ordiner, por kam qenë krejtësisht i vetëm në 24 korrik 2017, pasi interesi politik kërkonte një respektim të detyruar të procedurës zyrtare të inaugurimit të presidentit. Mazhoranca nuk reagoi as për etikë kur unë kallëzova me fakte e prova në 18 tetor 2017 korrupsionin e këtij presidenti lidhur me aferën DIA-CEZ. Mazhoranca nuk reagoi edhe pasi unë arrita të siguroj dhe të publikoj në nëntor 2017, një intervistë të gruas së Ismailajt, ku ajo akuzon për korrupsion pa ekuivok direkt Ilir Metën. Ilir Meta të gjitha gjynahet e mundshme i kishte bërë që përpara se të zgjidhej president dhe mazhoranca që ishte tërësisht në dijeni të çdo gjëje rreth tij, zgjodhi kompromisin dhe jo standardet etike për të bërë kryetar Parlamenti dhe president një nga kokat e korrupsionit në Shqipëri. Mazhoranca është më shumë se e vonuar. Ajo ka humbur moralin e saj në përballjen me Metën, pasi ajo nuk po e lufton parimisht Metën, por sepse tashmë u prish kompromisi i bërë jashtë parimeve.-Meta ka nisur një sulm të paprecedentë ndaj reformës në drejtësi. Pse sipas jush po e sulmon tani apo ka filluar të kuptoje rrezikun që mund t’i vijë nga SPAK?Pikërisht këtu fle lepuri. Përsa kohë që sistemi i drejtësisë zotërohej nga Meta dhe Berisha në të gjitha parametrat, Meta ishte shakatori dhe babaxhani që predikonte qetësi dhe dashuri. Tërbimi filloi që me largimin e Llallës, kur Meta hapur u përplas me ambasadorin Lu në mbrojtje të Llallës dhe Monika kaloi në skizofreni së bashku me çizmet e saj në Parlament. Meta dhe Berisha nuk mund të pranojnë që të ekzistojë një sistem drejtësie jashtë kontrollit të tyre. Të gjitha vjedhjet, grabitjet, vrasjet dhe krimet e tjera që ata kanë bërë, janë frymëzuar nga sistemi i drejtësisë që ishte totalisht i kontrolluar prej tyre. Asgjë tjetër nuk e shpjegon trimërinë dhe arrogancën e tyre për të vjedhur hapur fare pasuritë e këtij vendi. Ata nuk kanë rrugë tjetër për të mbijetuar përveçse të kontrollojnë sistemin e drejtësisë ose përndryshe ta destabilizojnë tërësisht këtë vend, ta shkatërrojnë përfundimisht atë dhe mundësinë e vendosjes së një drejtësie që do të ishte fatale për ta. E gjithë logjika e ngjarjeve të fundit e përligj atë çfarë po them, pasi prej më shumë se 15 muajsh, miq të mi, që kanë takuar Bashën në zyrën e tij, janë njohur prej tij lidhur me përgjimet për zgjedhjet në Durrës dhe Dibër. Personalisht dënoj çdo akt që deformon apo njollos vullnetin e popullit, por përdorimi vetëm pas 15 muajsh i këtyre fakteve, pikërisht përpara zgjedhjeve, flet për një keqpërdorim të këtyre fakteve vetëm për të destabilizuar politikisht vendin. Vendi nuk është i partive dhe vullneti i tyre nuk është aspak vullneti i popullit. Partitë le të çmenden dhe le të destabilizojnë veten e tyre, por t’i rrinë larg destabilizimit të mëtejshëm të Shqipërisë.-Me drejtpërdrejt, mendoni se pas shkarkimit Meta mund të përballet me akuza në prokurori?Lidhur me dekretimet dhe ç’dekretimet e tij, nuk jam i sigurt nëse ai do të përballet me akuza nga prokuroria. Thjesht ndaj tij ka një lufte emocionale politike, pasi ai po luan i sigurt brenda ngërçit institucional të krijuar ku në shah, do të kishim një rezultat remi ose pat. Pa Gjykatë Kushtetuese, kurrë nuk do të mund të shkojë përpara procesi i shkarkimit të Metës. Megjithatë Meta, po luan sot më tepër politikisht. I trembur për të ardhmen e tij, besoj në marrëveshje me sivëllaun e tij Sali, ai po përgatitet që të marrë kryesimin e krejt opozitës shqiptare. Kjo gjë u pa edhe në 2017, kur Luli i frikësuar për postin e tij, u fut në pazar me Ramën. Këto janën planet e Metës besoj, por të mos harrojmë se ai ka kryer disa vepra penale, për një nga të cilat unë personalisht kam depozituar një padi penale për një dëm jo më pak se 39 milionë euro. Kjo çështje nuk është mbyllur dhe qëndron e hapur në prokurori. Nëse prokuroria do të ketë integritetin dhe vullnetin e duhur, patjetër që mjafton kjo padi për ta çuar Metën përpara drejtësisë.-Po Berishën si e shihni në këtë mes? Dje ai doli në mbështetje të Metës dhe sulmoi PS për shkarkimin e tij. Pse Meta e Berisha janë bërë bashkë?Të dy kanë pikërisht të njëjtin hall, biles në aferën DIA-CEZ janë bashkë. Të jeni i sigurt se këto hiena nuk i bashkon morali dhe vlera, por halli dhe pengu i asaj çfarë ato kanë bërë. Edhe vetë ish-drejtori çek i CEZ-Shpërndarje, Josef Hejseku në dëshminë e tij, e përmend Ismailajn si një njeri të afërt të këtyre dy personave. Dëshmia është aty, unë sigurisht që do vazhdoj të jem dhe shpresoj që edhe drejtësia do vijë një moment në vendin e saj.-A mendoni se gjithë ky skenar destabilizues i opozitës ka qenë produkt i dyshes Meta-Berisha?Besoj se këtë e sqarova pak me lart dhe padyshim që është një skenar i pastër i tyre. Vetëm atyre, iu leverdis një destabilizim politik i vendit sepse vetëm ata kanë problem me të kaluarën e tyre dhe me drejtësinë e ardhshme.-Teksa për Metën ka pasur edhe akuza publike për afera, po Berisha nga çfarë trembet?Pavarësisht se nuk janë të njëjtë për nga fuqia apo popullariteti, hallin e kanë sigurisht të njëjtë. Megjithatë alfa dhe omega e këtij sistemi 30 vjeçar hajdutërie, është Berisha. Ai është iniciuesi, frymëzuesi, realizuesi dhe strumbullari i këtij sistemi të përmbysur vlerash. Berisha është simboli i këtij sistemi dhe i gjithë ligësisë që karakterizon kohën që po jetojmë. Jo çdo gjë mund ta faktojmë ligjërisht, por mbi Berishën rëndojnë krime pafund, këtej dhe përtej imagjinatës. Kujtoni vetëm një rast, kur në 1996 ai deklaroi me arrogancë se paratë e shqiptarëve janë paratë më të pastra dhe më të ndershme në botë. Pas kësaj fjale pati një dyndje të paparë për të depozituar paratë nëpër firmat piramidale. A mban përgjegjësi ky ish president për paratë që u depozituan pas fjalës së tij dhe që shumë shpejt u zhdukën si kripa në ujë? Apo po kaluan disa vite, nuk duhen llogaritur këto bëma? Ishte po ky Berishë që ish kryetarin e Dhomës së Tregtisë së Atëhershme e merrte me vete në përbërje të delegacionit qeveritar në Kinë. Ai krijoi skemën e parë piramidale në Shqipëri, nën mbrojtjen direkte të Berishës. Berisha ka shumë mëkate me lojërat e fatit, të cilat do t’i dalin më pas, me çështjet e pronësisë ku ka krijuar konflikte pafund, me korrupsionin qeveritar dhe probleme të tjera në vendlindjen e tij e kudo ku pati mundësi. Berisha është në hall të madh se pikërisht atë do të zërë përfund rënia e këtij sistemi te kalbur 30 vjeçar, i cili meriton të quhet sistemi alla berishian. Çfarë ka bërë, po pret Berisha sot. Parimet e jetës po dalin më të forta se parimet e Berishës dhe shumë shpejt Berisha do trajtohet siç e meriton, si një keqbërës ordiner, do t’i sekuestrohet gjëja e vjedhur dhe do marrë atë që meriton. Përballja e keqbërësit ordiner Berisha me drejtësinë, është pikërisht sfida më e madhe e drejtësisë sot. Edhe pse ai po luan me kartën e destabilitetit, përsëri ai do përfundojë përpara drejtësisë. Për këtë nuk ka asnjë dyshim.-Si i shihni thirrjet e Berishës për revolucion e destabilizim? Pse vijon për 30 vite me të njëjtën retorike?Tashmë Berisha me këto thirrje ka kaluar në pjesën qesharake të shfaqjes, sepse përditë e më tepër po shfaqet si një Don Kishot që sheh revolucione e cuname aty ku do dhe kur do ai. Ai po mat veten gabimisht me hijen e sabahut, kur mendon se ka aq autoritet publik saqë njerëzit të bëhen fli e mbrojtjes së mallit haram që po gëzon ai dhe familja e tij. Duke qenë që ligjërisht ai nuk po sheh më zgjidhje, ai po i drejtohet turmave dhe dhunës, si zgjidhjes së vetme të halleve të tij. Kush shkon sot pas tij dhe halleve të tij? Vetëm vegla të tij, ish pjesëtarë të administratës së tij, që edhe pse kanë mbi gjashtë vjet në opozitë, jetojnë me të gjitha lukset dhe privilegjet.-Pse ndërkombëtaret lanë në baltë opozitën dhe dolën hapur kundër Metës?Është fakt që prej kohësh opozita dhe Meta janë të sinkronizuar politikisht. Opozita bëri gabimin fatal që braktisi zgjedhjet duke synuar kolapsin e plotë politik të vendit. Opozita kërkoi të falimentojë sistemin politik, i cili si mekanizëm të ndërrimit të pushtetit njeh vetëm zgjedhjet. Këtë precedent, ku kërkohej pushtet me dhunë në tavolinë, askush nuk mund ta përkrahë dhe për më tepër në Europë. Opozita iu drejtua dhunës dhe jo institucioneve, biles iu largua institucioneve, gjë që në Europë u pa si një çakërdisje e frikshme e opozitës. Këto janë disa nga arsyet që ndërkombëtarët edhe pse kanë shumë rezerva për qeverisjen, u distancuan nga opozita, e cila edhe në oratorinë e saj të rrugës le shumë për të dëshiruar. Kjo opozitë e drejtuar formalisht nga Luli që për gjashtë vjet me radhë nuk e kaloi klasën për tu bërë lider, e ka mbyllur ciklin e saj politik, nuk ofron asnjë alternativë përveçse një rikthim të frikshëm të së shkuarës dhe larjeve të hesapeve personale me pushtetin e sotëm. Meta përdori një djallëzi të hapur, kur me ç’dekretimin e tij, në emër të stabilitetit i hodhi benzinë zjarrit të destabilitetit. Askush nuk ka dyshim se veprimet e tij, ishin në sinkron me opozitën dhe kundra stabilitetit politik të vendit. Ishin këto veprime dashakeqëse të hapura të tij, që imponuan një qëndrim të hapur të ndërkombëtarëve kundër tij. Meta u prononcua si kryetar opozite duke përdorur të drejtën dekretuese presidenciale. Meta shpërdoroi brenda një kohe shumë të shkurtër disa herë pushtetin e tij, duke u bërë jo menaxhues konflikti, por vetë qendra e konfliktit politik. Meta është tashmë tërësisht i lexueshëm dhe besoj se ndërkombëtarët dinë të lexojnë edhe midis rreshtave. Ata e njohin mirë Metën dhe hallin e tij.-Si mendoni, do gjendet një zgjidhje për krizën politike?Patjetër që ka një zgjidhje. Ajo duhet të jetë morale dhe ligjore. Ajo duhet ë jetë institucionale, e shpejtë, efektive he jashtë ndikimit politik. Ky është asti kur krizën në politike, do ta zgjidhë drejtësia. Çdo kompromis politik, kurrë nuk do ta zgjidhë krizën, do ta mbajë aty të maisur mbi supet tona dhe do ta dëmtojë përfundimisht drejtësinë. Politika dhe populli duhet ta kuptojnë se nëse nuk vendosim një shtet ligjor, nuk kemi bërë asgjë. Sundimi i ligjit, është baza kryesore mbi të cilën funksionon shteti. Të gjithë duhet të jenë të barabarte përpara ligjit dhe ai të jetë një për të gjithë. Nëse instalojmë këtë mendësi, çdo krizë do të vetëzgjidhet dhe ligji do të jetë vetëfunksionues. Ky është shteti ligjor dhe shteti i së drejtës. Megjithatë për momentin duhet urgjent ishte që të plotësohen vendet vakante në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese dhe strukturat e tjera të sistemit të drejtësisë. Kjo krizë, në shumë aspekte do të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese dhe kjo gjë do të shmangë sherrin që pjell mungesa e institucioneve.Intervistoi: Kliti TOPALLI

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj