Berati 11 vite në UNESCO, specialistët e trashëgimisë: Ka mbetur në mëshirë të Zotit, institucionet punë sa për show

0
20

Berati në UNESCO prej 11 vitesh, por për specialistët e trashëgimisë kulturore në vend problemet, që ka qendra historike kanë treguar se nga institucionet nuk është bërë sa duhet ndër vite. Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës sipas tyre nuk kanë treguar interesin që duhet për qendrën historike të Beratit. Sipas tyre edhe DRKK nuk ka dot mundësi për punën, që duhet me monumentet e kulturës. Akademiku Emin Riza hartues i dosjes së Beratit në UNESCO si dhe specialist i trashëgimisë Ajet Nallbani shprehen se jo vetëm me banesat monument kulture duhet bërë më shumë për restaurimin, por sot qendra historike është e rrezikuar nga zjarri. Akademiku Emin Riza pohon se mosmirëmbajtja e vazhdueshme nuk duhet të mungojë në monumentet e kulturës. “ U bënë 11 vjet që Berati është në UNESCO, por sigurisht që ka probleme qendra historike. Banesat monument kulture duhet të mirëmbahen vijimisht, sepse karta e restaurimit të Venecias në një prej pikave të saj thotë: thelbi i restaurimit është vijimësia e ndërhyrjeve mirëmbajtëse. Emergjente është mirëmbajtja e vijueshme në Berat. Mirëmbajtja e vijueshme presupozon njohjen e gjendjes së monumentit”, pohon akademiku. Shtimi i fondeve duhet patjetër për monumentet e kulturës, por sipas akademikut Riza ato duhet të përdoren ku duhet. “Nuk është gjendja që duhet të kishte Berati, sepse nuk janë bërë ndërhyrjet që duhen. Kjo sjell dëmtime dhe ato vazhdojnë. Ministria e Kulturës duhet që të paktën dy herë në vit këto që janë pasuri botërore ti kontrollojë, të shikojë gjendjen. Jo merren paratë ti çojnë të gjitha te një objekt, kur mund të ishin bërë pesë objekte për ndërhyrje themelore. Duhet të shtohen fondet dhe e rëndësishme është që këto fonde të përdoren me kritere të shëndoshë metodikë, të cilët në radhë të parë synojnë ruajtjen, që të mos lejohet shembja e mëtejshme e monumenteve”, shprehet akademiku Emin Riza.

 Rreziku nga zjarri

Në datën 8 korrik të vitit 2008 Berati u regjistrua në listën e UNESCO-s nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në konferencën e radhës të mbajtur në Kanada. Ky status i dha mundësinë qytetit të promovohej si sit ndërkombëtar dhe të kthehej në destinacion turistik botëror. Por specialisti i trashëgimisë kulturore Ajet Nallbani shprehet se dhe turizmi ka probleme që vijnë për shkak të mungesës së investimeve. “Nuk po gjen atë që duhet turizmi në Berat. Janë bërë investime për rrugën në kala, por rruga tjetër e autobusave ata nuk shkojnë dot, po zvarritet për fondet. Pra kalaja që është objekti kryesor për t’u vizituar është e pamundur që të shkojnë autobusat”, pohon specialisti Nallbani. Sipas tij problem madhor sot për qendrën historike është dhe rreziku nga zjarri. “Nuk është bërë asgjë për sistemin e mbrojtjes nga zjarri. Qytetin e Beratit e mbron Zoti. Nëse bie zjarri do të bëjë kërdinë. Ky sistem për një qendër historike si Berati që është në UNESCO kërkon investim të madh. Por se si do të behet nga shteti apo dhe me investime të huaja këtë nuk e di, por ajo do investim të madh dhe bashkëkohor që ti përgjigjet. Qendra historike e Beratit është me shumë rrezik, sepse 70 për qind është me dru”, pohon specialisti Ajet Nallbani. Sipas tij institucionet përgjegjëse për trashëgiminë kulturore në vend bëjnë show dhe jo punën që duhet. “Duhet shkuar te emergjenca e përhershme pranë DRKK. Në Berat ka sa të duash probleme me banesat në qendrën historike. Institucionet bëjnë show në televizione. Hipën dikush në një skelë dhe lyen një metër katror dhe thonë po riparohet, po është turp i madh, këto grimca nuk quheshin në kohën tonë”, vijon specialisti i trashëgimisë. Vite pranë monomeve të kulturës për specialistin Ajet Nallbani ato mbrohen dhe me skuadra emergjence, por që mungojnë. “Institucionet kaq sa bëjnë për show dhe nuk i përgjigjen realitetit që ka monumenti. Por duhet të bëjnë punë për të mbrojtur monumentin dhe duhet skuadra. Rendiment ka skuadra pranë DRKK. Çfarë bëjnë kur nuk paskan punëtorë? Në Berat duhet të ketë në gatishmëri çdo ditë një skuadër për emergjencën. Po të ishte emergjenca çdo dit, atje nuk rrezikohen deri në masën që shkatërrohen fare shtëpitë. Në Berat duhet të kthehet tradita siç ka qenë me skuadër të gatshme, si ka arkeologjia që thotë skuadra e shpëtimit, e kanë ata vetë pranë ministrisë. Pse nuk paska për banesën monument kulture emergjencë, që po ikën dhe po zhduket? Banesa është para një rreziku të madh dhe nuk ka shtab emergjence”, shprehet specialisti Nallbani. Një tjetër problem sipas tij është dhe fakti që ka kisha që shkojnë turistët dhe i gjejnë mbyllur. “Problemi qëndron, sepse nuk kanë njerëz, por duhet të gjejnë mënyrën se si duhet të rrinë hapur kishat qoftë me dispozicion të DRKK apo qoftë dhe me kujdestari private për periudhën e fluksit turistik. Të vijë turisti në Berat dhe të shkojë të gjejë kishën mbyllur se nuk ka njeri kjo është absurde”, shprehet mes të tjerave Ajet Nallbani, specialist i trashëgimisë kulturore.

Nga Julia Vrapi

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj