Donard Hasani: Mungesa e sallave të teatrit emergjencë, askush nuk mendon për vështirësitë e artistëve

0
505

 Problemet e komunitetit artistik vazhdojnë të jenë shqetësuese. Në reagimet e tyre artistët herë pas herë ata shprehen se pak është bërë për zgjidhjen e këtyre problemeve dhe duhet bërë më shumë nga Ministria e Kulturës. Regjisori Donard Hasani shprehet se për aktivitetin artistik duhet të shtohen buxhetet dhe të ketë shpërblime dinjitoze për njerëzit e artit. Sipas tij, artistët punojnë shumë edhe kur janë në të ftohtë apo dhe vapën e verës. Në intervistën për “SOT” regjisori Donard Hasani pohon se një nga kërkesat e artistëve ka qenë dhe statusi i artistit, dhe nëse arrin të miratohet kjo do të ishte pozitive për artistët. Duke folur për teatrin regjisori shprehet se dikur u fol për një reformë, por nuk pati një të tillë. Sipas tij, me “reformë” ne kuptojmë largimin e disave njerëzve nga puna dhe marrjen e ca të tjerëve dhe kjo nuk është reformë, por trafikim. Regjisor njëkohësisht dhe pedagog i arteve Donard Hasani pohon se e shqetëson e ardhmja e të rinjve diplomantë. Sipas regjisorit, ata hyjnë rishtas në një treg të ashpër, të pamëshirshëm, por që gjithsesi më i aksesueshëm në raport me kohën kur brezi i tij u ballafaqua me të. Për pedagogun Donard Hasani tashmë mundësitë për t’u pozicionuar në profesionin për të cilin je diplomuar janë më të mëdha.

-Komedia “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” u mirëprit nga publiku në skena jo vetëm në Tiranë, por dhe jashtë saj. Ju keni punuar me veprën për ta sjellë në teatër. Pse këtë herë kjo zgjedhje nga ju?

Komedinë “Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas” ka rreth gjashtë vjet, që e kërkoj. Miqtë e mi që vinin nga Greqia më tregonin për një komedi që “po bënte namin” dhe më tregonin rreth saj. Ishte e vështirë deri në pamundësi që të siguroja tekstin e komedisë dhe ta konsideroja si një projekt në ardhmëri. Më në fund, mbas shumë kërkimesh rashë në gjurmët e personit, që dispononte të drejtat e autorit dhe me të bëmë menjëherë një kontratë. Jam i lumtur që këtë komedi, për herë të parë në Shqipëri e sollëm ne së bashku me producenten Shegushe Bebeti dhe bashkëregjisorin Valdrin Asani.

-Duke parë që publiku e mirëpriti këtë shfaqje, a do të ketë rikthim sërish në skena sezonin që do të nisë në vjeshtë?

Sigurisht. që do të vazhdojë. Kjo komedi e ka fituar tashmë statusin “e privilegjuar” nga publiku dhe do të vijojë të jetë në skenat tona deri kur produksioni ta quajë të arsyeshme.

-Ky sezon artistik po mbyllet me probleme që kanë shoqëruara artistët në fushën e teatrit dhe jo vetëm. Por për teatrin sipas jush sa është bërë nga institucionet?

Nuk ka ndonjë ngjarje që të sjellë pritshmëri në fushën e teatrit. Gjërat vazhdojnë të rrjedhin me pasiguritë, dyshimet, hamendjet që kanë shoqëruar komunitetin tonë tash sa vite.

-Diku jeni shprehur se problemet e teatrit duket se janë një lloj neglizhence, që ekziston në strukturat shtetërore. Çfarë duhet të ndryshojë dhe sa përgjegjësi ka Ministria e Kulturës?

Kam dëgjuar që Ministri i Kulturës ka në projekt të miratojë Statusin e Artistit. Kjo është gjë e mirë. Kjo është një kërkesë e vazhdueshme e jona dhe nëse bëhet realitet kemi fituar goxha. Për më tutje dihen hallet e këtij komuniteti: Mbështetje ligjore dhe financime dinjitoze.

-Duke qenë regjisor sa e vështirë është sot të vësh një pjesë teatrore në skenë, gjithmonë përmes aplikimeve që bëhen te Ministria e Kulturës. Sa kanë qenë në ndihmë të krijuesve buxhetet për projektet e ndryshme, dhe konkretisht në fushën e teatrit?

Kjo është “thembra e Akilit” në artin skenik shqiptar. Duhet të shtohen buxhetet, duhet të ketë shpërblime më dinjitoze për këta njerëz, që pavarësisht gjithçkaje, japin shpirtin e tyre në skenë, pa pyetur për të ftohtin e dimrit, apo vapën sfilitëse të verës. Ata duhet të arrijnë të mbajnë familjet e tyre me profesionin, që kanë zgjedhur në jetë.

-Sa ka qenë transparente ministria me buxhetet dhe bordet deri tani?

Për hir të së vërtetës nuk kam informacion mbi transparencën e miratimit të buxheteve nga Ministria e Kulturës, për faktin se nuk kam aplikuar dhe për pasojë nuk më ka interesuar të di më shumë.

-Ka artisë që pohojnë se duhen më shumë salla teatri. Sa problem është dhe për ju si regjisor?

Tirana ka tashmë rreth një milion banorë, ndërkohë që salla teatri ka vetëm tre. Një nga emergjencat e realitetit teatror në Tiranë është mungesa alarmante e sallave të teatrit. Duhet menduar urgjentisht, që në zhvillimin dinamik të Tiranës të mendohet seriozisht për të paktën tri salla të reja teatrore.

-Në një intervistë tuajën keni pohuar se nuk mendoni që anonimët dhe militantët mund të orientojnë politikat kulturore të një vendi. Ku e shikoni këtë dhe si ndikon kjo në jetën artistike?

 Ju i referoheni një interviste të disa viteve më parë. Këta anonimë dhe militantë tashmë kanë fituar status të veçantë, madje japin mend dhe nëpër televizione.

-Përballë këtyre problemeve që ju pohuat, si pedagog sa ju shqetëson e ardhmja e të rinjve, që mbarojnë studimet në artin skenik?

 Më shqetëson vërtetësisht e ardhmja e të rinjve diplomantë. Ata hyjnë rishtas në një treg të ashpër, të pamëshirshëm, por që gjithsesi më i aksesueshëm në raport me kohën kur brezi im u ballafaqua me të. Tashmë mundësitë për t’u pozicionuar në profesionin për të cilin je diplomuar janë më të mëdha.

-Nuk po flitet më për projektligjin e artit, nga ju ka pasur kundërshtime me parë si dhe nga artistë të tjerë. Sa shpresoni te ligji i ri për artin dhe kulturën?

Më mirë të mos flitet për të, sesa të miratohej ai ligj. Shpresoj që një ligj i ri, në konsulencë dhe me grupet e interesit të miratohet sa më shpejt dhe të shemben në këtë mënyrë të gjitha dilemat dhe dyshimet në raportin ndërmjet artistëve dhe institucioneve.

-Dikur u fol për reformën në teatër nga ministria, çfarë solli ajo?

U fol për reformë, por nuk pati një të tillë. Përgjithësisht me “reformë” ne kuptojmë largimin e disave nga puna dhe marrjen e ca të tjerëve. Kjo nuk është reformë, por trafikim.

-Ju keni qenë kritik ndaj ish ministres Kumbaro, sa prisni për teatrin nga ministrja Margariti?

 Kam impresion pozitiv nga ministrja Margariti. Më duket më e paqtë, më komunikuese dhe në raport me Universitetin e Arteve ka ndërmarrë disa nisma entuziaste. Në shumicën e rasteve qeverisja fiton karakteristika nga personaliteti i drejtuesit dhe mendoj që ky është rasti për të shpresuar për mirë.

-Si do të vijojnë projektet tuaja artistike me sezonin e ri?

Kam në projekt të paraqis pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë një film me metrazh të shkurtër. Dëshiroj shumë të realizohet dhe jam në proces e sipër të përfundimit të dokumentacionti në bazë të ndryshimeve që ky institucion ka ndërmarrë në lidhje me aplikimet. Gjithashtu do të vazhdoj të menaxhoj komedinë për ta shfaqur në sa më shumë skena të jetë e mundur.

-Diskutohet niveli artistik i teatrit sot, për ju si është sot niveli artistik ne teatro, pra shfaqjet që janë në skena për publikun?

Jam i lumtur që në skenat tona të ketë sa më shume produksione. Ne jetojmë në një realitet shumë të vështirë dhe çdo shfaqje meriton të lavdërohet.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here