Raportimet e amerikanëve, ja si Hoxha shfarosi simpatizantët e Jugosllavisë, zbardhen detajet e përplasjes me britanikët për minimin e detit

0
397

Zbardhen të tjera detaje nga regjimi komunist në Shqipëri. Gazeta amerikane “The New York Times” ka shkruar me mijëra artikuj për situatën në Shqipëri dhe gazeta po sjell disa prej tyre për lexuesin, ku tregohet këndvështrimi jashtë kufijve për vendin tonë. Në disa raportime jepen detaje nga përplasjet me britanikët për minimin e detit, ndërsa po ashtu tregohet se si Hoxha eliminoi ata që njiheshin si mbështetës të Titos.

29 nëntor 1946

Shqipëria kundërshton raportimet britanike për minat detare

Në një tjetër letër për Kombet e Bashkuara Shqipëria ka kundërshtuar përsëri pretendimet se luftanijet britanike kanë pastruar minat në ngushticën e Korfuzit me lejen e Komitetit të Pastrimit të Minave. Gjeneral Enver Hoxha i drejtoi letrën sekretarit të përgjithshëm Trigve Lie ku thoshte se veprimi britanik është jo vetëm unilateral por ofendon autoritetet shqiptare dhe sovranitetin e vendit, duke u kthyer në një mjet provokimi dhe intimidimi. Letra thotë: “Më 14 nëntor Komiteti i Pastrimit të Minave u mblodh në Londër dhe publikoi një deklaratë të nënshkruar nga kapiteni Nicholas, ku thuhej: ‘Në lidhje me deklaratën për pastrimin e minave detare në ujërat territoriale shqiptare, në veri të Korfuzit, komiteti deklaron se ky operacion nuk është kompletuar sipas urdhrave të Komitetit dhe pa miratimin e tij’. Prandaj i lutem shkëlqesisë suaj të shtojë këtë fakt në ankesën tonë dhe të tërheqë vëmendjen e Kombeve të Bashkuara për këtë akt të rremë dhe abuziv të qeverisë britanike”. Pas protestës së parë të Shqipërisë burimet britanike thanë se pastrimi i minave ishte bërë me autorizimin e Komitetit Qendror, pas shpërthimeve që dëmtuan një luftanije britanike dhe shkaktuan disa viktima. Deri sonte nuk ka pasur komente të tjera nga britanikët.

2 janar 1947

Shqipëria mbron minimin e detit pranë Korfuzit

Kryeministri shqiptar Enver Hoxha në mënyrë sfiduese ka mbrojtur sot veprimet e qeverisë së tij duke pretenduar se Shqipëria ka përdorur të drejtën e saj sipas ligjeve ndërkombëtare gjatë incidentit të shpërthimit të minave detare në ngushticën e Korfuzit si dhe akuzoi Britaninë e Madhe se ka shkelur tre herë sovranitetin e Shqipërisë “në mënyrë brutale”. Duke deklaruar se qeveria britanike do të dorëzojë dosjen e incidentit të Korfuzit te Kombet e Bashkuara, ai tha se Shqipëria nuk ka asgjë për të fshehur dhe se e ka dorëzuar tashmë në OKB çështjen e shkeljeve territoriale të Britanisë në Adriatik. Në rrethet zyrtare në Londër kjo u prit si një pranim i fajit nga Hoxha për shpërthimet në luftanijet britanike pasi ai nuk mohoi përfshirjen në minimin e kanalit të Korfuzit çka tetorin e shkuar solli shpërthimet në dy luftanije britanike ku u shkaktuan dëme të shumta dhe viktima. Kabineti i qeverisë britanike pritet të mblidhet nesër për të marrë një vendim formal për të sjellë çështjen para Këshillit të Sigurimit

Çdo gjë e mundur është bërë

Gjenerali Hoxha, duke mirëpritur hetimin e Këshillit të Sigurimit, deklaroi: “Ne urojmë që populli i Evropës dhe ai i Britanisë në veçanti, të dinë sesi ka vepruar qeveria e tyre në lidhje me Shqipërinë”. Hoxha tha se kishte bërë çdo gjë të mundur për të arritur në marrëdhënie miqësore me popullin amerikan dhe britanik, me të cilët vendi i tij “është i lidhur prej miqësisë së gjatë”, si dhe insistoi se qeveria shqiptare dëshiron marrëdhënie miqësore me të gjitha kombet demokratike. Por Hoxha më tej u ankua se “politika e qeverisë amerikane ndaj popullit tonë ka qenë vazhdimisht dërgimi i letrave diplomatike në kundërshtim me të drejtat tona legjitime”. Ai provoi vendimin e Këshillit të Sigurimit për të dërguar një komision ndërkombëtar për hetimin e situatës në kufirin në veri të Greqisë dhe tha se do të mirëpriste një komision të tillë dhe në Shqipëri sepse “ne nuk kemi asgjë për të fshehur”.

28 janar 1947

Hysni Kapo vjen nga Beogradi për t’iu përgjigjur britanikëve

Qeveria shqiptare ka njoftuar sot Kombet e Bashkuara se ka emëruar Hysni Kapon, ambasadorin në Beograd, për t’iu përgjigjur akuzave për incidentin me luftanijet britanike në kanalin e Korfuzit tetorin e shkuar. Telegrami i dërguar të premten e shkuar nga Enver Hoxha, kryeministri i Shqipërisë, thoshte se Kapo do të niset së shpejti por “për arsye të vështirësisë së komunikimeve” ishte e pamundur të caktohej data e mbërritjes së tij në Nju Jork. Ai i kërkonte Këshillit të Sigurimit të shtynte diskutimin e kuajve britanike deri në mbërritjen e përfaqësuesit shqiptar. Teksa çështja shqiptare është e vetmja në axhendën e nesërme të Këshillit të Sigurimit burimet britanike tregojnë se do të shtyjnë që Këshilli të vendosë të premten si afat të fundit për diskutimin e saj, nëse përfaqësuesi shqiptar ka mbërritur apo jo për të marrë pjesë. Një javë duhet të jetë më se e mjaftueshme që zoti Kapo të mbërrijë me rrugë ajrore nga Parisi. Por supozohet se përfaqësuesi sovjetik Andrei Gromiko do të vazhdojë insistimin e tij që Këshilli të presë deri në prezencën e përfaqësuesve të të dy palëve të debatit, dhe të mos vendosë afate. Britania e Madhe e bazonin kauzën e saj ndaj Shqipërinë në faktet se qeveria e Tiranës ka refuzuar të negociojë një zgjidhje. Shqipëria ka mohuar se ka vendosur mina në ujërat e saj territoriale dhe në kanalin e Korfuzit, për të cilin Britania thotë se është kalim ujor ndërkombëtar dhe duhet ruajtur i sigurtë edhe pse kalon pranë brigjeve shqiptare. Sinjalizohet se përfaqësuesi britanik Alexander Cadogan do t’i kërkojë Këshillit të bëjë një deklaratë mbi përgjegjësinë e Shqipërisë për incidentin, duke lënë për t’u zgjidhur më vonë negociatat për çështjen e dëmshpërblimit mes dy qeverive. Telegrami i kryeministrit Hoxha pranonte kërkesën e Këshillit që Shqipëria të marrë pjesë në diskutime me të drejta të plota sikur të ishte një vend anëtar i OKB. Ky zotim e detyron Shqipërinë të respektojë vendimin që do të marrë Këshilli i Sigurimit. Aplikimi i Shqipërisë për anëtarësi në OKB është ndaluar nga veto e Britanisë dhe SHBA vjeshtën e shkuar.

29 janar 1947

Shqipëria mungon në diskutim, shtyhet seanca

Debati në Asemblenë e Kombeve të Bashkuara mbi akuzat britanike kundër Shqipërisë për vendosje ilegale të minave detare që i kushtuan jetën 44 marinarëve britanikë, është shtyrë sot deri në mbërritjen e përfaqësuesit shqiptar. Me miratimin e palës britanike Këshilli vendosi që të mos hapë seancën pa prezencën e përfaqësuesit shqiptar në tryezë. Këshilli do të mblidhet përsëri në datën e caktuar nga kryetari Norman Makin i Australisë. Ndërkohë një telegram është dërguar nga Tirana ku jepet data e përafërt e mbërritjes së përfaqësuesit të tyre. Çështja e komplikuar e situatës në Ballkan doli përsëri në sipërfaqe në OKB kur përfaqësuesi jugosllav në një komunikatë për Asamblenë e Përgjithshme protestoi ndaj Greqisë që sipas tyre kishte refuzuar dy herë vizat për zyrtarë të Beogradit që ishin anëtarë të komisionit ndërkombëtar të hetimit të situatës atje.

Roli i Greqisë

Disa orë pas marrjes së ankesës së Jugosllavisë, zv-sekretari i përgjithshëm Arkadi Sobolev i dërgoi një telegram qeverisë greke ku kërkonte marrjen e masave të nevojshme për të lejuar hyrjen e përfaqësuesve jugosllavë. Takimi i parë i komisionit është programuar për në 30 janar në Athinë. Sekretariati dhe një numër delegacionesh po lundrojnë me anijen franceze “George Leygeues”, e cila pritet të arrijë nesër në Athinë. Para se Këshilli të mblidhej sot, ishte informuar nga kryeministri i Shqipërisë Enver Hoxha se përfaqësuesi i tij Hysni Kapo kishte pasur vështirësi komunikimi që e kishin penguar të arrinte në kohë në SHBA, prandaj shumica e debatit të sotëm ishte debati nëse shqiptarët duhet të nxiteshin më tej. Delegati britanik Alexander Cadogan bëri të qartë se besonte se shqiptarët duhet të kishin qenë më të shpejtë për të qenë prezentë. “Është e vërtetë se ftesa zyrtare për Shqipërinë nuk u telegrafua deri më 20 janar, por ata kishin pasur paralajmërime të mjaftueshme prandaj duhet të kishin marrë masa paraprake që më tej të zbatoheshin me shpejtësi”, tha ai.

Rusia mbron Shqipërinë

Përfaqësuesi britanik sugjeroi që Këshilli i Sigurimit të dërgonte një telegram për Shqipërinë se kishin pasur kohë të mjaftueshme në dispozicion, por përfaqësuesi rus Andrei Gromiko tha se nuk e pranonte idenë, pasi sipas tij ishte krejt e panevojshme dhe se Tirana i kishte marrë të gjitha masat e mundshme me emërimin e Kapos si përfaqësues. Sugjerimi i Makin se shqiptarët duhet të caktonin një datë për prezencën e tyre gjithashtu u kundërshtua nga Gromiko. Akuzat britanike sillen rreth incidentit të shkeljes së ligjeve ndërkombëtare nga Shqipëria për minimin e kanalit të Korfuzit, për të cilat pritet që Kombet e Bashkuara të lëshojnë një deklaratë mbi fajin e Shqipërisë dhe nisjen e negociatave të dëmshpërblimit.

25 maj 1947

Shqipëria spastron nga qeveria grupin anti-sovjetik

Kryeministri Enver Hoxha në Shqipëri ka nisur një fushatë spastrimi politik duke larguar nga zyrat të gjithë ata mbi të cilët ka dyshime mbi besnikërinë ndaj Rusisë, siç thonë raportimet e sotme nga Tirana. Nëntë deputetë janë arrestuar javën e kaluar, ndërsa një ministër, i cili ishte nga themeluesit e partisë komuniste të Shqipërisë, u detyrua të dorëhiqej. Një kolonel i ushtrisë shqiptare, hero i shquar i luftës së partizanëve kundër gjermanëve nazistë, është burgosur sipas raportimeve. Zhgënjimi i shkaktuar nga regjimi i terrorit komunist të vendosur në vend si dhe inkurajimi nga jashtë i elementëve të moderuar nga doktrina Truman, besohet se janë përgjegjës për opozicionin ndaj qeverisë së Hoxhës.

Komplot i sajuar

Duke njoftuar për arrestimet e deputetëve kësaj jave Radio Tirana tha se masat e marra kishin të bënin me një komplot për përmbysjen e regjimit të kryeministrit Hoxha, por sipas raportimeve vendase, akuzat janë të pabaza. Deklarohet se arrestimet janë bërë jo sepse deputetët ishin të përfshirë në mënyrë aktive në aktivitet anti-komunist, por sepse kundërshtonin në përgjithësi servilizmin ndaj Rusisë që tregohet nga qeveria aktuale shqiptare dhe shpreheshin në favor të politikave më të pavarura. Në qendër të këtij reagimi ekstrem, raportimet thonë se është krenaria kombëtare shqiptare që e reflektuar te një pjesë e shoqërisë i reziston përpjekjeve të Moskës për ta përfshirë vendin në bllokun sovjetik. Reagimi nxitet nga mënyrat e ashpra e primitive të qeverisë Hoxha, por dhe nga dijenia se vendi nuk do të marrë ndihma nga SHBA për sa kohë që regjimi aktual është në pushtet. Shqipëria është fqinje e Greqisë dhe shumë shqiptarë besojnë se SHBA me programin e tyre të ndihmave për Greqinë duhet të ndihmojnë dhe Shqipërinë prej pozitës së saj strategjike në Adriatik. Kjo ka qenë më parë dhe arsyeja pse Austria e më pas Italia vendosën dominimin e tyre në Shqipëri, prandaj vendasit shpresonin që SHBA të dominonte ndaj influencës sovjetike në vend. Kjo është ndjesia dominuese sidomos mes shqiptarëve të shkolluar dhe po shkakton shqetësim te qeveria Hoxha e cila duket e vendosur të eliminojë të gjithë intelektualët të cilët kthehen në të dyshimtë nga të kuptuarit e doktrinës Truman. Si rezultat i fshesës me urdhër të Moskës është shkarkuar profesor Sejfulla Malëshova që për shqiptarët është njëlloj si Palmiro Toglliatti, kreu i Partisë Komuniste të Italisë. Ashtu si dhe Togliatti, Malëshova ka studiuar në Rusi dhe më pas ka jetuar gjatë deri në 1940, kur u kthye në mënyrë klandestine për të organizuar dhe drejtuar partinë komuniste.

Burgoset heroi i luftës

Heroi i luftës partizane kolonel Kadri Hoxha është tashmë në burgun e Tiranës, edhe pse ka drejtuar misionin ushtarak shqiptar në Itali dhe ka drejtuar luftën kundër pushtuesve gjermanë. Deputetët e burgosur janë Sheh Karbunara, klerik mysliman i kthyer në Shqipëri pas ekzilit në regjimin e mbretit Zog, një nga myslimanët e rrallë komunistë; Konstantin Boshnjaku, drejtor i bankës së Shqipërisë dhe nga themeluesit e partisë komuniste në 1929 gjatë regjimit të mbretit Zog; Kolë Kugali komunist i vjetër, si dhe Seladin Toto, Saik Shehu, Enver Sazani, Islam Radovicka dhe shumë komunistë të tjerë me rang më të ulët. Zemërim të madh ka shkaktuar arrestimi i Boshnjakut i cili thuhet se ka kundërshtuar kalimin e rezervave shqiptare të arit në Rusi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here