Artistët spanjollë, koncert në Durrës dhe Vlorë

0
1067

Violonçelisti i ri David Martin Gutierrez, shoqëruar në piano nga Miguel Angel Ortega performoi në dy koncerte në Durrës dhe Vlorë. Së bashku, të dy muzikantët shpalosën veprat e kompozitorëve si Bach dhe Prokofiev, si dhe veprat e dy prej kompozitorëve spanjollë më të rëndësishëm të shekullit të XX, Granados dhe Falla. Koncerti i datës 12 korrik në Durrës u zhvillua në Muzeun Arkeologjik dhe u organizua në kuadër të Festivalit të XIV Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, ndërsa koncerti në Vlorë u zhvillua në teatrin “Petro Marko”, në kuadër të festivalit “Fabrika e peizazheve muzikore”. Dy artistët që këtë herë në vijim të aktivitetit të tyre muzikor ishin para publikut shqiptar janë të njohur me veprimtarinë e tyre. David Martin Gutierrez nisi studimet muzikore në vitin 2003 dhe që atëherë nisi njëkohësisht edhe karriera e tij profesionale. Violonçelisti Gutierrez ka fituar shumë çmime, mes të tjerash, në vitin 2016, i është dorëzuar nga Madhëria e Saj, Mbretëresha Sofia, çmimi i nxënësit më të mirë të violonçelit i katedrës së Jens Peter Maintz, si dhe ka fituar çmimin e parë të konkursit të 89 të përhershëm të të Rinjve Muzikorë të Spanjës, dhe çmimin e parë në konkursin ndërkombëtar “Pedro Bote”. Nga ana tjetër Miguel Angel Ortega, i cili ka bashkëpunuar me ambasadat spanjolle në Vietnam dhe Tanzani, është gjithashtu fitues i një sërë çmimesh. Ka qenë pianist shoqëruesi mjeshtrave të mëdhenj, dhe aktualisht është profesor i pianos në Konservatorin Superior të Zaragozëssi dhe profesor pianist shoqërues në katedrën e violonçelit të Shkollës Superiore të Muzikës Reina Sofía, me profesor titullar Jens Peter Maintz. Dy festivalet “Fabrika e peizazheve muzikore” dhe ai Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës në Durrës vazhdojnë me veprimtarinë e tyre në jetën artistike në vend. Në skenat e tyre janë ngjitur artistë shqiptarë dhe të huaj, ku këtë herë ishin dy artistët nga Spanja. Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës “Chamber Fest Durrës” këtë vit po zhvillon edicionin e 14, me ansamble të ndryshme muzikore. Në kuadër të këtij aktiviteti koncertet po vazhdojnë për të përfunduar mbrëmjen e datës 21 korrik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here