Çmimi i karburantit sërish drejt rritjes, qeveria kalon te privati kolaudimin e pompave të naftës, ja detajet e koncesionit

0
345

Çmimi i karburantit rrezikon të rritet sërish. Në kulmin e debatit sa i takon tarifave për krijimin e rezervave të naftës, qeveria ka bërë një tjetër lëvizje që mund të rëndojë xhepat e qytetarëve. Dje është shpallur fituesi i koncesionit për kolaudimin e pompave të naftës. Bëhet fjalë për një koncesion që ka shkaktuar mjaft debate vitet e fundit, por që dje është zyrtarizuar gjithçka. Sipas një njoftimi nga Agjencia e Prokurimit Publik, “Noa Control” do të jetë kompania e cila do të merret me kontrollin e pompave të karburantit në vend, procedurë që deri më tani bëhej nga vetë shteti. Ky koncesion ka më shumë se një vit që endet në hallkat e apelimit, pasi një kompani e interesuar për këtë shërbim u ankua për kriteret e procedurës, që sipas saj nuk ishin të njëjta për të gjitha kompanitë. Por pavarësisht kalvarit të gjatë të ankimimit në gjykata kompania “Noa Control” u shpall fituese. Kolaudimi i pompave aktualisht kryhet nga shteti nëpërmjet drejtorisë së metrologjisë, kundrejt një pagese simbolike që kryejnë kompanitë e hidrokarbureve për një pompë. Por pikëpyetja që shoqëron këtë koncesion është fakti se kompania do të aplikojë tarifa të reja. Sipas tregut kostoja e kontrollit të një pompe do të arrijë në 100 euro. Ndërsa kompania koncesionare pritet që përkundër një investimi modest prej vetëm rreth 600 mije eurosh, të fitojë plot 60 milion euro. E gjithë kjo do paguhet nga qytetarët dhe me gjasë mund të kemi rritje të çmimit të karburantit. “Noa Contol” kishte kërkuar të ofronte shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm për një periudhë 35-vjeçare. Ministria e Financave si Autoriteti Kontraktor vendosi që ky koncesion të kufizohej në një periudhë 20-vjeçare, kohë në të cilën kolaudimi i pompave të karburanteve do të bëhet nga privati ndryshe nga sot kur këtë shërbim e ofron Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Ministria e Financave njoftoi se afati i negocimit për të lidhur një kontratë me fituesin do të jetë 60 ditë. Klasifikimi i ofertave është bërë në 14.06.2019 ndërkohë që për procedurën thuhet se nuk ka pasur ankesa.

Përplasjet

Koncesioni i kolaudimit të pompave prej një viti gjendet nëpër hallka të ndryshme ankimimi. E fundit që dha vendimin ishte Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, e cila shfuqizoi vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik, ndërkohë që kërkoi që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të ndryshonte kriteret e përcaktuara në dokumentacionin standard të cilat binin në kundërshtim me ligjin. Vendimi i gjykatës është dhënë në datë 27 maj. Ankimimin pranë kësaj gjykate e bënë zviceranët e Penzoil, një kompani e interesuar për këtë koncesion por që u shpreh se kriteret e vendosura në garë nuk ishin të drejta për të gjitha kompanitë. Fillimisht, çështja do të qëndronte në Komisionin e Prokurimit Publik dhe procedura do të pezullohej për muaj të tërë, por në fund KPP vendosi që t’i jepte të drejtë Ministrisë së Financave dhe rrëzoi kërkesën e Penzoil. Kjo e fundit ju drejtua më pas Gjykatës e cila shfuqizoi vendimin e KPP. Kompanitë e tregtimit të naftës llogarisin se kostoja vjetore e këtij shërbimi për një pompë në vit është më shumë se 100 euro. Kalimi i këtij shërbimi tek privati, përmes koncesionit, devijon mes 50-60 milionë euro gjatë periudhës së koncesionit 20-vjeçar. Nga ana tjetër, kalimi i shërbimit tek privati nuk është shoqëruar me shkrirjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, që do të thotë se kjo e fundit do të vijojë të funksionojë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here