Ja si shqiptarët në emigracion kërkonin ndërhyrjen e OKB për largimin e Hoxhës, BRSS kërkonte të krijonte Federatën e Ballkanit

0
285

Gazeta amerikane “The New York Times” ka zbardhur të tjera detaje nga zhvillimet në Shqipërinë komuniste. Në disa shkrime të saj tregohet mbi luftën që bëhej në emigracion kundër Enver Hoxhës. Po ashtu tregohet se si Bashkimi Sovjetik donte të shtrinte tentakulat në Ballkan.

19 nëntor 1947

Refugjatët politikë shqiptarë përsërisin apelin për OKB

Refugjatët politikë shqiptarë i kanë bërë apel Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të parandaluar atë që ata quajnë “absorbimin de facto të Shqipërisë nga Jugosllavia”. Komunikata e 10 nëntorit iu drejtua presidentit të Asamblesë së Përgjithshme dhe ishte nënshkruar nga disa ish-zyrtarë të lartë në Shqipëri, që tashmë janë refugjatë politikë në vendet perëndimore. Në apel thuhet se më shumë se 10 000 njerëz po lëngojnë në burgje në Shqipëri ndërsa rreth 5000 tashmë janë ekzekutuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe disa mijëra familje janë internuar në kampe përqëndrimi. Agjentët jugosllavë dhe rusë kontrollojnë ministritë dhe çdo degë të administratës shtetërore, si dhe mbikëqyrin zbatimin e sistemit të tyre komunist, në një kohë kur vendi është në krizë urie.

11 janar 1948

Rusia përpiqet me çdo mënyrë të krijojë Federatën e Ballkanit

Një nga aspektet bazë të politikës sovjetike në Evropën Lindore tashmë duket se është krijimi i Federatës së Shteteve të Ballkanit dhe të Danubit, por nuk mund të llogaritet sesa larg Moska do të dëshironte të shkonte me këtë. Kjo do të varej në masë të konsiderueshme nga vullneti i këtyre popujve që tradicionalisht kanë qenë të ndezur për luftë dhe me një sens të fortë pavarësie. Ideja e federatës së Ballkanit dhe vendeve të Danubit nuk është diçka e re pro edhe në të shkuarën nuk ka pasur sukses. Por sot shanset e saj mund të jenë më të mëdha sesa në kohën e perandorive otomane apo të Habsburgëve, të cilat janë shpërbërë duke lënë pas toka të pavarura fshatare.

Shqipëria, Jugosllavia, Bullgaria e Rumania, të cilat janë vende vërtet ballkanike, bashkë me Hungarinë fqinje në Danub, kanë të përbashkëta qeveritë e tyre komuniste, dhe sistemet ekonomike që po integrohen vazhdimisht me njëra-tjetrën sipas modeleve të sistemit të Bashkimit Sovjetik. Me sfondin ekonomik e politik që bëhet gjithnjë e më i ngjashëm, i kontrolluar nga propaganda që vepron njëlloj në të gjitha vendet, ideja e federatës mund të lehtësohet ndjeshëm. Bashkimi Sovjetik ka tashmë aleancë të fortë ushtarake me Jugosllavinë dhe pakte të ngjashme bashkëpunimi me vendet e tjera. Ato të gjitha varen nga BRSS për mbrojtje dhe pajisje ushtarake, si dhe ushtritë e tyre po standardizohen.

Lëvizje testuese

Nuk mund të llogaritet se sa e madhe do të jetë federata, por është logjike të parashikohet që BRSS të kërkojë një sistem që shtrihet nga Polonia në detin Baltik deri në Greqi në detin Egje, me të gjitha vendet e ndërmjetme të përfshira. Edhe para luftës ka pasur lëvizje sporadike për të krijuar një bashkim të tillë nga vetë vendet, siç është forcimi i bashkëpunimit ekonomik me hekurudha, ura mbi Danub apo kanale lidhëse nga Danubi në lumenjtë Morava e Vardar.

Deri tani nuk ka pasur asgjë konkrete përveç ideve dhe lëvizjeve testuese për krijimin e federatës së Ballkanit. Sovjetikët po inkurajojnë të gjitha vendet lindore të nënshkruajnë pakte bashkëpunimi me njëra-tjetrën, dhe të tilla ekzistojnë mes shteteve perëndimore sllave si Polonia, Çekosllovakia, Jugosllavia, Bullgaria, Shqipëria e Rumania. Në fakt Jugosllavia do të ishte çelësi kryesor i një federate të mundshme ballkanike. Kushtetuta e saj është modeluar sipas asaj të Bashkimit Sovjetik dhe vendi përbëhet nga disa republika gjysmë autonome, ndoshta më shumë autonome se ato të vetë Bashkimit Sovjetik. Republika sllovene e Jugosllavisë për shembull, ka po aq shanse për t’u ndarë nga federata sa dhe Ukraina në BRSS, por sipas ligjit sovjetik e dyta është e pamundur.

Federatë e lirshme

Kështu Jugosllavia mund të përdoret si një magnet për të tërhequr varësinë e shteteve të tjera, siç mund të jenë Bullgaria e Shqipëria. Maqedonia jugosllave mund të përdoret si një zonë ku mund të tërhiqet me forcë edhe pjesa greke e Maqedonisë. Por nuk ka shumë gjasa që të përdoret kjo mënyrë, edhe pse para luftës shumë sllavë e jugosllavë flisnin për një shtet të madh sllav jugor që shtrihej nga Deti i Zi në Detin Adriatik. Më shumë gjasa ka që një formë e lirshme federate të përdoret dhe për këtë kanë nisur diskutimet mes Marshall Titos, kryeministrit bullgar Georgi Dimitrov, atij rumun Petro Groza dhe Enver Hoxhës së Shqipërisë. Nuk duket se ka diçka që mund të arrihet së shpejti pasi deri tani skemat po punojnë për forcimin e lidhjeve bilaterale dhe inkurajimin e bashkimeve doganore. Tokat në fjalë kanë tashmë politikat e tyre të jashtme dhe të gjitha diktohen nga Moska. Ideja e federatës do të kërkonte kohë të realizohet dhe nëse mendohet mirë mund të jetë me avantazh për Ballkanin në terma afatgjatë, por mendësia aktuale dhe diktaturat e vendosura në këto shtete nuk do të sjellin lumturi për njerëzit për sa kohë që propaganda e Radio Moskës thekson “lirinë” e stilit të saj.

Ambiciet kombëtare

Për të kompletuar një skemë të tillë Moska duhet të përfshijë Greqinë dhe pjesën evropiane të Turqisë e Trakës. Sipas situatës aktuale, kjo do të ishte e pamundur të bëhej pa luftë prandaj dhe versioni final i një federate evropiano-lindore është ende larg. Disa persona kanë spekuluar mbi vështirësitë e arritjes së një qëllimi të tillë prej rivaliteteve politike, si ai mes Marshall Titos e kryeministrit Dimitrov. Por në botën komuniste burrat zgjidhen për detyrat e tyre dhe aspirantët e tjerë e dinë kur është koha për t’u tërhequr. Rivaliteti serbo-bullgar apo serbo-kroat. Nga ana gjuhësore serbët mund të komunikojnë si të barabartë me kroatët dhe mund të kuptohen me bullgarët apo sllovenët. Ndërsa gjuha rumune është ndryshe dhe ajo hungareze e shqiptare, janë krejt të veçanta. Por edhe kjo mund të mos jetë një barrierë e madhe, pasi rusët, uzbekët, kazakët e mongolët jetojnë së bashku në perandorinë sovjetike. Nëse një federatë ballkanike materializohet kjo mund të ndryshonte tërësisht balancën evropiane të pushtetit duke krijuar një bllok të fortë nga Karpatet deri në Mesdhe dhe do të bashkonte rreth 100 milionë njerëz punëtorë që mund të kthehen në bllokun më të rëndësishëm jo-rus në Evropë.

21 shkurt 1948

Shqipëria ekzekuton dy peshkopë katolikë

Dy peshkopë shqiptarë janë dënuar me vdekje dhe ekzekutuar sipas raportimeve të fundit, dhe një i tretë u dënua me 20 vjet burg, raportohej nga rrethet e Vatikanit. Sipas lajmeve të marra nga Tirana peshkopët ishin monsinjor Françesk Gjini, përfaqësues i Vatikanit në Shqipëri dhe monsinjor Gjergj Volaj, peshkop në Sapa. Monsinjor Vinsent Prenushi, administrator i Urdhrit Franciskan për jugun e Shqipërisë, raportohet se është në burg në Tiranë; Sipas informacioneve nga burimet shqiptare, qeveria e Tiranës muajt e fundit ka urdhëruar arrestime masive për të gjithë personat e dyshuar si armiqësorë ndaj regjimit komunist të Enver Hoxhës. Burgu i vogël i Shkodrës thuhet se është mbushur me rreth 1000 të burgosur. Një kamp internimi është ngritur në Burrel pranë Shkodrës, ku po mbahen rreth 800 deri në 1000 njerëz. Dhjetë burgjet provinciale të Shqipërisë po strehojnë aktualisht 3000 deri në 4000 të burgosur, ndërsa janë ngritur kampe internimi në Berat e Krujë, ku mbahen familjet e atyre që presin gjykimin për akuza politike.

24 qershor 1948

Katolikët akuzojnë për terror në Shqipëri

Kisha katolike në Shqipëri është shtypur në çdo aspekt nga ajo që rrethet e Vatikanit përshkruajnë si vrasje dhe burgosje metodike të çdo anëtari të klerit dhe peshkopatave shqiptare. Në një raport të agjencisë Fides, të publikuar sot në gazetën Osservatore Romano për kushtet fetare në Shqipëri thuhej se persekutimi fetar nën regjimin komunist të drejtuar nga Enver Hoxha, e kishte lënë Shqipërinë vetëm me një peshkop dhe disa priftërinj. Fides thoshte se dy nga pesë peshkopët e vendit janë ekzekutuar; Gjergj Volaj, peshkop i Sapa i ekzekutuar me 3 shkurt, dhe monsinjor Gjini Alessio më 11 mars. Monsinjor Gaspare Thaçi, peshkopi i Shkodrës ka vdekur në burg në maj 1946, ndërsa monsinjor Vinsent Prenushi, peshkopi i Durrësit është dënuar me 20 vjet burg. I mbijetuar është peshkopi 73 vjeçar i Pulatit, Barnard Shllaku, i cili është i izoluar në zonat malore veriore, raporton agjencia. Nga rreth shtatëdhjetë anëtarë të klerit laik, dymbëdhjetë janë ekzekutuar, sipas Fides ndërkohë kur dhjetëra të tjerë janë në burgje dhe tre janë arratisur në Itali. Agjencia thotë se ata që janë ende të lirë vëzhgohen nga afër aq sa nuk mund të predikojnë më dhe as të japin mësime katekizmi, pasi nëse e bënin këtë do të arrestoheshin menjëherë. Nga pesëdhjetë e pesë jezuitë, tre janë ekzekutuar, shtatë janë burgosur dhe tridhjetenjë të tjerë që kishin kombësi italiane janë dëbuar nga vendi, sipas Fides. Ata që kanë mbetur në vend janë shpërndarë dhe fshehur në vend. Fides thotë se nga pesëdhjetë priftërinj françeskanë, dymbëdhjetë janë ekzekutuar, dy prej tyre nga jugosllavët, një nga malazezët dhe të tjerët nga regjimi shqiptar, ndërsa shumë të tjerë lëngojnë nëpër burgje dhe të tjerë rezultojnë të zhdukur. Një prift seminaresh në Shqipëri është ekzekutuar, dy të tjerë janë të burgosur dhe të gjithë ata që konsiderohen të aftë janë rekrutuar me detyrim në ushtrinë shqiptare. Sipas agjencisë, të mbeturit janë dëbuar nga ambientet e seminareve dhe janë paralajmëruar të mos mbajnë rrobën e priftit. Murgeshat italiane janë përzënë nga vendi ndërsa ato që janë shqiptare janë dëbuar nga manastiret dhe janë ndaluar të mbajnë veshjen e tyre. Agjencia Fides thotë më tej: “Të gjitha urdhrat apo institucionet fetare janë shtypur e persekutuar, pronat e tyre janë konfiskuar dhe një numër katolikësh të lartë janë detyruar të largohen nga vendi për të evituar vdekjen e dhunshme. Shumë prej atyre që qëndruan janë vrarë ose burgosur. Të gjitha shkollat katolike janë mbyllur dhe aktiviteti katolik është i jashtëligjshëm ndërsa shtypshkronjat fetare janë konfiskuar.

31 tetor 1948

Arrestohen Koçi Xoxe e 5 të tjerë

Burime nga Shqipëria raportonin sot arrestimin e ministrit të Brendshëm të vendit Koçi Xoxe, i cili ka drejtuar policinë sekrete dhe ka qenë sekretar i Komitetit Qendror, me akuza se ka mbështetur Jugosllavinë kundër zyrës komuniste të informacionit. Të njëjtat burime raportojnë se të arrestuar janë gjithashtu anëtari i Byrosë Politike Pandi Kristo dhe katër komunistë të tjerë të lartë, me të njëjtat akuza. Xoxe konsiderohej si njeriu më i fuqishëm në Shqipëri pas Enver Hoxhës dhe besohej se ishte forca e vërtetë e partisë deri në rënien e tij. Arrestimet vijnë pas raportimeve për luftë të ashpër për pushtet mes elementëve pro sovjetikë dhe atyre pro Jugosllavisë në partinë shqiptare. Sipas raportimeve një numër i konsiderueshëm pro-jugosllavësh janë arratisur në male me qëllim të organizojnë një lëvizje rezistence kundër qeverisë. Sipas raportimeve jugosllave janë ekzekutuar një numër komunistësh shqiptarë pro-jugosllavë ndërsa gazeta Politika thotë se ka një rritje të numrit të të arratisurve nga Shqipëria drejt Jugosllavisë. Në natën e 23-24 tetorit trembëdhjetë familje me një total prej 43 personash kaluan në Jugosllavi. Burimet që raportuan për arrestimin e Xoxes thanë se hapi i parë i rënies së tij ndodhi më 2 tetor kur ai u transferua nga posti i ministrit të Brendshëm te drejtimi i Ministrisë së Industrisë. Ngjarja e dytë ndodhi më 21 tetor kur ai humbi postin e sekretarit të Komitetit Qendror të Partisë. Burimet raportojnë se shumë teknikë, inxhinierë dhe ushtarakë sovjetikë janë dërguar në Shqipëri për të zëvendësuar jugosllavët e dëbuar pas konfliktit të Marshall Titos me bllokun sovjetik. Ata thonë se aktualisht numri i personelit sovjetik në Shqipëri është rreth 3000. Dërgimi i teknikëve sovjetikë është i nevojshëm për të mbajtur në këmbë ekonominë e rrënuar të Shqipërisë. BRSS po bën gjithashtu përpjekje për të ndihmuar me artikuj ushqimorë dhe materiale ndërtimi prej situatës së keqe pas ndërprerjes së dërgesave jugosllave. Informatorët thonë se pesë anije sovjetike dhe një bullgare me drithë, mider e materiale ndërtimi kanë ardhur në portin e Durrësit, që prej prishjes së lidhjeve me Beogradin. Në një tjetër pikë për konfliktin Jugosllavi-BRSS, gazeta Politika thoshte se autoritetet hungareze kanë dëbuar përfaqësuesit jugosllavë nga Budapesti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here