Ekspozita “Mall”, me vepra nga piktori Vangjo Vasili

0
398

Piktorit Vangjo Vasili vjen për publikun me ekspozitën e tij vetjake në galerinë e artit të qendrës kulturore “Lasgush Poradeci”. Me një aktivitete të vlerësuar në krijimtarinë e tij këtë herë ai ka prezantuar veprat e tij në pikturë në ekspozitën “Mall” në Pogradec. Ekspozita “Mall” i referohet brendisë së artistit. “Mall për çdo gjë! Mall për natyrën, mall për ndodhitë dhe sidomos mall për njerëzit e dashur” shprehet piktori i njohur Vangjo Vasili. Në ceremoninë hapjes së ekspozitës merrnin pjesë miq, kolegë dhe qytetarë të ndryshëm. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datën 14 gusht. Piktori shqiptar Vangjo Vasili, kreu studimet në Akademinë e Arteve ku është diplomuar në Grafike në vitin 1973. Ai njihet për peizazhet e veçanta dhe stilin po kaq karakteristik që zotëron. Motivet e veprave të tij, vijnë nga një botë e sterhollë enigmatiko-sentimentale dhe poetiko-antologjike nëpërmjet procesit të përjetimit. Bota e hollë dhe transparente e Vasilit, është një rrezatim i brendshëm shpirtëror që reflektohet në telajo me anën e një dritë të veçantë, e cila i tërheq shikuesit vëmendjen duke i shkaktuar qetësi dhe meditim. Ndër vite me krijimtarinë e tij, jeta dhe dashuria, serenatat, atmosfera e gëzueshme e qytetit të kulturuar dhe me tradita të Korçës, peizazhet e rrallë që pasqyrojnë magjinë e Malit të Thatë, madhështia e fushave të bukura te Korçës dhe vendlindjes se tij Pogradecit, janë disa nga temat që ai ka trajtuar. Ka marrë pjesë në shumë ekspozita kombëtare e ndërkombëtare si në Tiranë, Gjirokastër, Shkodër, Korçë, Egjipt, Turqi, Itali, Francë, Austri, Rumani, Gjermani, Bullgari etj. Gjithashtu veprat e tij gjenden në shumë koleksione private të botës, por dhe në institucione të ndryshme shtetërore të këtyre vendeve, si dhe në Suedi, Luksemburg, Uells, SHBA, Kanada, Argjentinë, Belgjike, Spanjë, Maltë, Indi etj. Vangjo Vasili është nderuar me çmime si brenda, por dhe jashtë vendit. Gjithashtu ai ka fituar medaljonin e Bienales së Aleksandrisë për përfaqësim dinjitoz. Medaljonin e Bienales së Ankarasë, diplomë nderi nga Instituti i Monumenteve dhe i Kulturës dhe Historisë së Artit në Stokholm, etj. Disa nga kryeveprat e tij janë: Plaka dhe Dimri, Mëngjez në Rrugicë, Autoportret, Fund dite, Dëbora e parë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here