Partizani nuk ia del, mposhtet 2-0 nga Karabagu, “zbret” në Europa League

0
401

Partizani është eliminuar nga Liga e Kampioneve. Kjo pasi humbi dje ndaj Karabagut me rezultatin 2-0, duke mos ia dalë që të ruajë rezultatin pozitiv të ndeshjes së parë, një barazim pa gola në Tiranë në duelin e parë me azerët, një rezultat që kishte dhënë shpresa për të kuqtë. Kualiteti i lojtarëve të Karabagut bëri diferencën në fushë në pjesën e dytë, por për Partizanin duhen thënë fjalë më të mira, pasi bëri një ndeshje perfekte, luajti shumë mirë në të dy fazat e lojës, por pa mundur të finalizojë në ato pak raste të mira shënimi. Në futboll diferencën e bëjnë golat dhe golat i shënoi Karabagu që kalon në turin e dytë kualifikues të Champions League, kurse Partizani eliminohet, me kokën lart, dhe tashmë do të vijojë aventurën e tij kontinentale në Europa League.

Ndeshja

“demat” e nisën mjaft mirë ndeshjen, duke dhënë shkëndija shënimi në pjesën e parë me Jasir Asanin, por edhe duke mbajtur të izoluar lojtarët vendas që patën pak raste shënimi. Pjesa e parë mes Karabagut dhe Partizanit në “Dalga Arena” u mbyll në barazim 0-0, duke dhënë optimizëm tek stafi i kuq për një kualifikim të mundshëm. Të kuqtë, ashtu si në ndeshjen e parë, u mbrojtën me shumë forca. Çinari, me një goditje nga distanca vuri në vështirësi portierin vendas. Gjithsesi, në një moment shpërqendrimi në minutë e 51-të, Ozobic gjendet i vetëm në qendër të mbrojtjes, duke mposhtur Alban Hoxhën.

Të kuqtë, ashtu si në ndeshjen e parë në “Selman Stërmasi”, zhvilluan një lojë të organizuar mirë taktikisht, por u ndëshkuan me dy gola në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 51-të, siç thamë me Ozobiç që i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes, duke shënuar me kokë, dhe në kohën shtesë me Kuintanan, në minutën e 3-të shtesë, që shfrytëzoi një kundërsulm të shpejtë, duke mos i dhënë mundësinë e reagimit Alban Hoxhës e as sparkadës së Lorenc Trashit. Një gol që mbylli përfundimisht ëndrrën e të kuqve për një kualifikim të mundëshëm. Në analizën e përgjithshme të ndeshjes mund të thuhet se kampionët e Shqipërisë zhvilluan një pjesë të parë të mirë, madje e vunë në vështirësi portierin kundërshtar me Çinarin me një goditje nga distanca. Pas golit të parë të Karabagut, Solomon pati një mundësi të artë përballë portierit Vanger, duke shpërdoruar një gol që mund të vlente kualifikimin. Në minutat e fundit të pjesës së dytë Alban Hoxha mbajti në lojë të kuqtë me dy pritje fantastike, por në kohën shtesë e pati të pamundur të ndalte Kuintanën. Përtej eliminimit, paraqitja e Partizanit mund të konsiderohet pozitive, pasi edhe shorti nuk ishte bujar me këtë kundërshtar.

Formacioni, Lerda sërish befason me Trashin

Tifozët e Partizanit prisnin që Lorenc Trashi të luante titullar në sfidën e kthimit me Karabagun, në raundin e parë të Championsit, por trajneri italian, Franco Lerda, i ka besuar sërish nga minuta e parë shkodranit Esin Hakaj. Ndryshimi i vetëm në 11-shen e parë i përket vetëm fazës së sulmit. Lerda i ka besuar nga minuta e parë sulmuesit Solomon, i mbërritur javët e fundit te Partizani, duke ulur në stol Mensah. Çinari, ndërkohë, ndryshon pozicion, duke u vendosur në të majtë, disi më i tërhequr. Pjesa tjetër e formacionit mbetet e pandryshuar.

Aventura në Europa League, ballafaqim me Liridon Latifin

Pas eliminimit në Champions, Partizani duhet që të mendojë tani për Europa Ligën, ndërsa kundërshtari i të kuqve do të jetë skuadra e njohur moldave, Sherif Tiraspol. Në radhët e moldavëve luan edhe mesfushori me tipare sulmuese që ka spikatur te Skënderbeu dhe është pjesë e përfaqësueses sonë kuqezi. Tashmë Partizani ka si synim që të luajë sa më gjatë në Europa Ligë, ndërsa skuadra pritet që të jetë më kompakte.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here