Pas Hardinajt, thirret në Gjykatën Speciale dhe Krasniqi, Thaçi: Askush s’mund ta njollosë luftën e UÇK

0
384

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar ashpër dje për ftesën që Gjykata Speciale i ka bërë kryetarit të këshillit kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, një prej intelektualëve kryesorë ish-aktivistë të Kosovës, duke thënë se pastërtia e luftës së UÇK do të dëshmohet përballë çdo gjykate. Ndërkohë presidenti ende nuk ka përmendur çështjen e zgjedhjeve të reja që tashmë duken të pashmangshme pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt. “Asnjë gjykatë, vendore a ndërkombëtare, nuk mund ta njollosë luftën e UÇK”, është shprehur presidenti Thaçi ndërsa ka thënë se i çmon të gjithë ata që bashkëpunojnë me drejtësinë. “Me Jakup Krasniqin, me anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, komandantët e zonave dhe ushtarët që janë ftuar nga Gjykata Speciale, ne e kemi mbrojtur popullin dhe e kemi luftuar armikun deri në çlirimin e vendit tonë. Si president i vendit, si bashkëluftëtar, e çmoj shumë gatishmërinë e të gjithëve që të bashkëpunojnë me drejtësinë. Duke bashkëpunuar me drejtësinë ndihmojmë që të mbrohet e vërteta për luftën tonë çlirimtare. Jam i bindur që ashtu sikurse në të kaluarën, sërish do të dalim fitimtarë. Pastërtia e luftës sonë do të dëshmohet përballë çdo gjykate”, ka shkruar presidenti.

Ftesa për Krasniqin

Ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ish-organizator i UÇK, pedagog dhe autor i mbi 10 vëllimeve për luftën dhe politikën, ka njoftuar opinionin se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale dhe shprehu bindjen se drejtësia do të vihet në vend. “Është fatkeqësi dhe ironi e llojit të vet, që në vend se Serbia të përballet me drejtësinë për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ne duhet të mbrohemi nga akuzat e saj të trilluara, në vend që të gjykohen argumentet dhe provat e pamohueshme dhe të njohura botërisht, drejtësia merret me trille dhe shpifje të ulëta të politikës serbe dhe të shërbimeve të saj sekrete. E vërteta është që gjatë luftës në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, kurse konstruktet e saj monstruoze për UÇK do të bien poshtë.”, tha Krasniqi. Ai shtoi se Gjykata Speciale është ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martit, miratuar nga Këshilli i Evropës, i cili ka qëllim të komprometimit dhe inkriminimit të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Veseli: Zgjedhjet janë të pashmangshme

Ndërkohë duke shtuar thirrjet për zgjedhje të reja parlamentare, për të cilat presidenti Thaçi ende nuk është shprehur, ish-aleati i tij, kryeparlamentari dhe kreu i PDK, Kadri Veseli tha dje se zgjedhjet e reja janë të pashmangshme e se partia e tij është e gatshme. Në një konferencë për shtyp pas kthimit nga vizita zyrtare në SHBA, Veseli e bënte çështjen fakt të kryer dhe tha se do të ulet të flasë për kohën që duhen mbajtur zgjedhjet. Ai shtoi se vendimi për dorëheqje i kryeministrit Ramush Haradinaj ishte personal dhe se për të nuk ishin njoftuar më herët. “Vendimi i ish-Kryeministrit për dorëheqje është vendim personal dhe si të tillë e kemi pranuar, pavarësisht që për këtë nuk kemi pasur asnjë njoftim ose konsultë paraprake. Tashmë, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhje, kurdo që caktohen ato. Ajo që mund të diskutohet tash është vetëm koha kur ato duhet të mbahen”, tha Veseli duke shtuar se do të ketë konsultime me aleatët e koalicionit në pushtet. “Qytetarët tanë të kenë besim të plotë se shteti ynë, sovraniteti dhe integriteti – janë dhe do të jenë të pacenuara përjetë!”, tha ai, duke shtuar se Kosova qëndron afër me partnerët e vet perëndimorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here