Aksioni kundër informalitetit nuk jep efekt, të ardhurat në buxhet rriten vetëm me 0.9%, problem grumbullimi i TVSH

0
328

Aksioni i nisur prej disa kohësh nga qeveria kundër informalitetit duket se nuk ka dhënë ndonjë efekt pozitiv. Gjatë kësaj periudhe që qeveria ka nisur aksionin, të ardhurat në buxhetin e shtetit kanë qenë të pakta, vetëm 0.9 për qind dhe problem për këtë është bërë grumbullimi i TVSH-së. Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, gjatë aksionit anti-informalitet që ka nisur në fillim të muajit korrik, të ardhurat nga tatimet dhe doganat kanë qenë 26.5 miliardë lekë, duke arritur në total 176.9 miliardë lekë në 7 mujorin e parë të këtij viti. Por në raport me vitin e kaluar, të ardhurat në buxhetin e shtetit kanë shënuar një rritje minimale me vetëm 0.9 për qind. Duke pasur parasysh inflacionin, që është rreth 1.5 për qind dhe rritjen ekonomike prej rreth 2 për qind, të ardhurat reale rezultojnë me rënie. Një nga faktorët kryesor që nuk ka dhënë efekt në të ardhurat e buxhetit të shtetit ka qenë mos-mbledhja e TVSH-së, e cila ka pësuar një rënie prej 3 për qind në raport me vitin 2018. Po ashtu, negativisht kanë kontribuar taksat nacionale, ku janë mbledhur rreth 2.2 miliardë lekë më pak se vitin e kaluar dhe në total 20 miliardë lekë. Ndërsa krahasimisht me të njëjtën periudhe të një vitit më parë, rritja është 4.6 miliardë lekë. Luhatjet në kursin e këmbimit kanë vijuat të japin goditje buxhet, pasi të ardhurat nga TVSH kanë rënë me 2.5 miliardë lekë krahasuar me 7 muajt e parë të 2018-ës, duke u regjistruar në rreth 78.4 miliardë lekë.

Mbledhja e tatim fitimit

Në 7 mujorin e parë të 2019, të ardhurat në total në buxhetin e shtetit ishin 265.3 miliardë lekë, ose e thënë ndryshme me një rritje prej 3.7 për qind me bazë vjetore. Efektin pozitiv të kësaj rritje e dha mbledhja e tatim fitimit, e cila pati një rritje prej 55 për qind të të ardhurave totale. Të ardhurat nga ky zë u rritën me 25 për qind, duke arritur 26 miliardë lekë. Arsyeja kryesore lidhet me uljen e tatimit nga 15 në 8 për qind, ku u përfshi dhe dividendin e pashpërndarë i viteve të kaluara, të cilin subjektet kishin afat ta shpërndanin deri në 20 gusht të këtij viti. Por rolin kryesor në të ardhurat e buxhetit të shtetit e kanë të ardhurat nga TVSH, të cilat pësuan një rënie prej 3 për qind për 7 mujorin e parë të këtij viti, duke zbritur në 78.5 miliardë lekë. Tkurrja ka ardhur si rrjedhojë e rënies së TVSH-së së brendshme. Sipas Ministrisë së Financave, bëhet me dije se pak kohë më parë ishte vënë re një ulje e deklarimeve të bizneseve dhe kjo ishte dhe një nga arsyet pse filloi aksioni anti-informalitet. Bizneset ndërkohë kanë pohuar se ulja e pragut të TVSH-së nga 5 në 2 milionë lekë, efektive nga marsi i vitit të kaluar, ka rritur më shumë evazionin te subjektet e vogla, të cilat nuk marrin faturë në mënyrë që të mos kalojnë pragun e TVSH-së. Për 6 mujorin, të ardhurat nga TVSH e brendshme ranë me gati 13 për qind. Tatim fitimi kishte ecuri pozitive, me të ardhurat që u rritën me 13 për qind. Të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore u rritën përkatësisht me 5.6 dhe 6.2 për qind. Ecuri pozitive kishin dhe të ardhurat nga pushteti lokal, të ndikuara nga taksa lokale, që u zgjerua me 30 për qind, kryesisht si rrjedhojë e të hyrave nga taksa e infrastrukturës, teksa sidomos kryeqyteti ka dhënë një numër të lartë të lejeve të ndërtimit. Po ashtu, të ardhurat nga akciza janë rritur me 1.2 miliardë lekë në raport me Korrik 2018. Sa i takon investimeve, janë disbursuar 34.6 miliardë lekë, apo rreth 2 miliardë më shumë se viti që lamë pas.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here