Reforma për personat me aftësi ndryshe, ministrja Manastirliu konsultim me grupet e interesit

0
34

Ministrja e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale, Ogerta Manastirliu ka zhvilluar dje një proces konsultimi me personat me aftësi ndryshe, sa i takon reformës që po ndërmerret për këtë kategori. Ministrja Manastirliu tha se gjatë konsultimit me përfaqësues të shoqatave që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, u diskutua mbi sistemin e vlerësimit bio-psiko-social dhe rehabilitimin e tyre social dhe shëndetësor. “Çdo vendim për konsolidimin e reformës për personat me aftësi të kufizuar do të ndërmerret në bashkëpunim me grupet e interesit dhe duke dëgjuar zërin e tyre. Më shumë përfshirje në jetën aktive, nëpërmjet politikave të reja të asistencës sociale, për shërbime rehabilituese për personat me aftësi ndryshe, për formim e arsim profesional si dhe për punësim të qëndrueshëm”, tha ajo. Konsultimi i ministres vjen pas miratimit të ligjit për asistencën sociale, i cili sjell një sërë ndryshimesh. Ligji parashikon që personat me aftësi të kufizuar nuk do të humbasin pagesën që ata marrin për shkak të statusit të tyre edhe kur ata janë të punësuar. Fillimisht ligji parashikonte se 4 vite pasi personat me aftësi të kufizuar punësoheshin, ata nuk kishin më të drejtë për të përfituar pagesën e aftësisë së kufizuar.

Por me këmbënguljen dhe negociatat e vazhdueshme të një grupi organizatash që merren me të drejtat e njeriut dhe organizatat në mbrojtje të personave më aftësi të kufizuar, u bë e mundur që në ligjin e aprovuar më datë 28 korrik 2019, të hiqej parashikimi që personave me aftësi të kufizuar ju mohohej pagesa pas periudhës 4 vjeçare të punësimit. Në letrën e tyre drejtuar komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, MEDPAK, ANAD (Shoqata Kombëtare Shqiptare e Njerëzve që nuk dëgjojnë), Dawn Syndrom Albania, Ndihmoni Jetën, Fondacioni “Së Bashku”, Shoqata Kombëtare e Para-tetraplegjikë të Shqipërisë, Shoqata e Invalidëve Para-tetraplegjikë Qarku Elbasan dhe “ACT Now” kanë renditur disa rekomandime për projektligjin i cili ishte në proces diskutimi. Në rekomandimet e renditura në letër thuhej se ndërprerja e pagesës pas 48 muajve punësimi, ul interesin e personave me aftësi të kufizuar për të punuar, dhe pagesa është një shifër shumë e vogël, prej rreth 10.000 lekë të reja. 

Leave a Reply