Vendimi për pensionet, ushtarakët përfundojnë gjyqeve, Thoma Konduri: Ja si po na penalizojnë edhe Sigurimet Shoqërore

0
415

Ish-ushtarakët nuk po gjejnë dot të drejtën nëpër gjykata për pensionet e tyre. Në vitin 2016 Gjykata e Lartë, pas një ankimi të bërë nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, dha një vendim kur ushtarakëve të liruar dhe atyre në rezervë, duke i detyruar që të kthejnë paratë e marra nga pensioni i parakohshëm tek kompanitë e sigurimit. Por për shkak të këtij vendimi ushtarakët vijojnë të merren me procese gjyqësore. Vendimi i dhënë nga Xhezair Zaganjori ka bërë që të gjitha çështjet e ish-ushtarakëve që kanë fituar të drejtën e pensionit të parakohshëm, të kalojnë edhe një herë tek Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, këtë herë për t’u gjykuar me vendimin “Zaganjori”. Një gjë të tillë e bëri të ditur ditën e djeshme për gazetën “SOT” kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë, Thoma Konduri.

Ushtarakët në gjyq individualisht

Ai tha se tani ish-ushtarakët po ndjekin individualisht çështjet e tyre edhe një herë në gjyqësor. “Puna e proceseve gjyqësore tani ka marrë rrugë individuale. Ne në mënyrë kolektive kemi bërë ankimim në Gjykatën Kushtetuese, kur kjo gjykatë kishte mbetur me 6 veta. Dhe Gjykata Kushtetuese e cila tashmë ka dalë se cila ishte ajo, nuk e mori në shqyrtim fare çështjen tonë dhe la në fuqi vendimin unifikues të Zaganjorit, një vendim tërësisht në kundërshtim me ligjet, një interpretim tërësisht i gabuar i ligjeve, i cili penalizonte të gjithë ushtarakët që kanë fituar gjyqet me vendime të formës së prerë. Vendime këto të marra edhe nga ata gjyqtarë që firmosën vendimin “Zaganjori”. Gjyqtarët, të cilët më parë u kanë dhënë të drejtë ushtarakëve, të detyruar nga Zaganjori dhe të korruptuar siç ishin, kthyen vendimin dhe vendosën firmën aty. Me këtë vendim Gjykata e Lartë kthen përsëri të gjitha gjykimet në Shkallën e Parë. Këto gjykime do të bëhen vetëm në bazë të vendimit “Zaganjori”. E vetmja rrugë ka mbetur rruga individuale që këta ushtarakë që po penalizohen të vazhdojnë gjyqet deri në Gjykatën e Strasburgut”, tha Thoma Konduri. Sipas tij, përveç vendimit abuziv të Gjykatës së Lartë, parregullsi po ndodhin edhe me seancat e tanishme gjyqësore. “Këtu po ndodhin edhe gjëra të çuditshme tani, janë dhënë vendime në Shkallë të Parë pa qenë fare ushtaraku në seancë e pa u njoftuar. Vetëm kur marrin vesh vendimin që ka marrë gjykata për të dorëzuar paratë”, deklaroi ai.

Penalizimi nga Sigurimet Shoqërore

Kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Rezervë denoncoi dje edhe një padrejtësi që sipas tij, Sigurimet Shoqërore po bëjnë ndaj ish-ushtarakëve. Konduri deklaroi se në një kohë kur ushtarakët në rezervë duhet të paguajnë detyrim 20% të pensionit suplementar, në fakt Sigurimet Shoqërore mbajnë 33%. “Shkelja më e rëndë bëhet nga Sigurimet Shoqërore, të cilat nuk mbajnë 20% të pensionit të parakohshëm, por iu mbahet 100% pensioni suplementar. Në ligj thuhet se detyrimi që ka qytetari ndaj shtetit është 20%. Ndërsa Sigurimet Shoqërore mbajnë 100% të suplementit, i bie gati 33% e pensionit, kur në ligj thuhet 20%. Sigurimet Shoqërore është institucioni më negativ që mund të ketë Shqipëria, bëjnë shumë padrejtësi ndaj qytetarëve”, u shpreh Thoma Konduri. Ai shtoi se i kanë kërkuar vazhdimisht qeverisë dhe Sigurimeve Shoqërore që të tërheqin ankimet, por nuk ka pasur reflektim. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here