SHBA-BE ultimatum për ngritjen e SPAK në fillim të tetorit, kërkohet arrestimi i kokave të krimit dhe politikës për hapjen e negociatave

0
354

Struktura e Posaçme Antikorrupsion duhet të jetë gati para vendimit për negociatat. Ultimatumi është dhënë nga ndërkombëtarët. Burime të sigurta pranë qeverisë i thanë gazetës se përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Evropian po lobojnë shumë fort që SPAK të ngrihet brenda tetorit. Ata kërkojnë me ngulm që java e parë e tetorit të jetë afati i fundit për konstituimin e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion sepse në datën 18 tetor merret vendimi për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Ndërkombëtarët synojnë që organet që do të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivel zyrtarësh të marrin jetë para se Bashkimi Evropian të vendosë për fatin e vendit tonë me qëllim që në Bruksel të dërgohet një mesazh pozitiv. Sipas burimeve të gazetës, Shqipëria do të raportojë në Bruksel pak ditë para datës 18 tetor. Përfaqësues të mazhorancës do të japin llogari për plotësimin e kushteve kryesore të vendosura më herët, pjesë e së cilave është edhe ngritja e SPAK. Sipas ndërkombëtarëve, Shqipëria duhet të përparojë në këtë drejtim duke zgjedhur më së paku anëtarët e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për ta bërë Bashkimin Evropian të kuptojë që vendi ynë është gati të luftojë korrupsionin e krimin e organizuar dhe të meritojë uljen në tryezën e bisedimeve. Prandaj ambasadorët e SHBA-BE po ushtrojnë shumë presion tek Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, por jo vetëm, që të finalizohet ngritja e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Arrestimi i “bosëve”

Përmes Strukturës së Posaçme Antikorrupsion synohet të goditen “kokat” e bandave të krimit të organizuar dhe zyrtarët e korruptuar. Me një gjë të tillë Bashkimi Evropian ka kushtëzuar gjithmonë hapjen e negociatave. Burimet i thanë gazetës se BE pret që deri në fund vitit të ketë një listë konkrete me emra zyrtarësh të hetuar, dënuar dhe të cilëve iu është sekuestruar pasuria. Pra, ndërkombëtarët kërkojnë që në dhjetor të vitit 2019 të kenë rezultate të prekshme nga reforma në drejtësi dhe kokat e krimit dhe emrat më të lakuar për korrupsion, por jo vetëm, të përballen me drejtësinë e re dhe të ndëshkohen nga ajo. Për të arritur tek ky rezultat final, duhet që më parë të jetë gati SPAK. Për këtë arsye ambasadorët e SHBA-BE i kanë kërkuar qeverisë që së paku ky organ i ri të jetë gati brenda javës së parë të tetorit, për të avancuar më pas me goditjet në nivele të larta dhe shfarosjen e korrupsionit e krimit të organizuar. Për ndërkombëtarët, nëse SPAK merr jetë para negociatave, BE mund të bindet që vendi ynë ka bërë progres mjaftueshëm dhe që e meriton një shans.

Presion organeve të vetingut

Që të përmbushet me sukses ngritja e SPAK brenda shtatorit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po ushtrojnë presion edhe tek organet e vetingut. Sipas burimeve të gazetës, SHBA-BE kërkojnë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit që të përshpejtojnë rivlerësimin për kandidatët e SPAK. Nga kandidatët prokurorë për në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion kanë mbetur vetëm katër emra që presin të dalin para KPK. Seancat për ta ndërkombëtarët kërkojnë që të mbyllen në ditët e para të shtatorit. Po ashtu, ata kërkojnë nga KPK që të zbardhen sa më parë vendimet për kandidatët e SPAK, me qëllim që të mos vonohen as ankimimet, nëse ka. Ndërsa nga KPA kërkohet që seancat në apel për garuesit e SPAK të shqyrtohen me prioritet dhe po ashtu të mbyllen brenda shtatorit. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here