Skandali me kreditë e “Veneto Banka”, zbardhet shkresa e Ministrisë së Drejtësisë për prokurorinë, dyshime mbi veprimet e noterëve

0
32

Pas shumë artikujve të publikuar në Gazetën “SOT”, komunikimi mes institucioneve shqiptare sa i takon “Veneto Banka” ka arritur në fazë shumë interesante. Këtë herë është sërish Ministria e Drejtësisë që i kërkon Prokurorisë, të bëj me dije nëse ka një çështje penale për këtë proces tjetërsimi të kolateralit të një banke shqiptare. Në fokus të kësaj letre janë noterët të cilët me veprimet e tyre nëpërmjet deklaratave noteriale, pa dokumentacionin përkatës, i hapën rrugë batërdisë me kolateralet. “Ministria e Drejtësisë nuk ka informacion të qartë mbi mënyrën se si në fakt po bëhet mbledhja e detyrimeve nga kredimarrësit pranë ish “Veneto Banka sh.a”., përthithur tashmë nga “Intesa Sanpaolo Bank”. Por në çdo rast, duam të sjellim në vëmendjen tuaj se, nëse bëhet fjalë për një proces ekzekutimit të detyrueshëm dhe shtrirje të veprimeve mbi kolateralet që kanë shërbyer si garanci për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kredimarrja pranë kësaj banke, ekzekutimi kryhet ekskluzivisht dhe vetëm sipas legjislacionit procedural shqiptar, nga shërbimi përmbarimor gjyqësor (privat apo shtetëror)”, thuhet në dokument. Sipas ministrisë, çdo veprim që nuk parashikohet në ligj, mund të jetë në shkelje të legjislacionit shqiptar. “Edhe mbledhja e detyrimeve financiare me mirëkuptim, jashtë procesit të ekzekutimit të detyrueshëm, e cila deri më tani ka qenë e parregulluar nga legjislacioni i posaçëm, me ndryshimet ligjore, është një veprimtari që kryhet vetëm nga shërbimi përmbarimor gjyqësor.

Ndaj çdo veprim, i kryer nga subjekte që ligji nuk u njeh kompetencën funksionale për mbledhjen e detyrimeve, mund të përbëjë vepër penale, si përvetësim i titullit apo i detyrës shtetërore, parashikuar në nenin 246 të Kodit Penal”, thuhet në letër.

Veprimet e noterëve

Ministria e Drejtësisë kërkon nga prokurori të dhëna sa i takon rolit të noterëve. “SGA” dhe “Tranzit” vetëm me anë të një marrëveshje noteriale nisën sekuestrimin e kolateraleve. MD kërkon të dijë nëse ka një proces hetimor. “Nga ana tjetër, pavarësisht se Ministria e Drejtësisë ka administruar shkresat informuese të dy noterëve, nëse nga ana e prokurorisë ka nisur një hetim penal për këtë çështje, lutem për informimin mbi këtë fakt, duke qenë se ky informacion kushtëzon kryerjen e veprimeve verifikuese administrative ndaj tyre. Ministri ka treguar se ka kërkuar dhe vetë informacione te noterët, duke zbardhur detaje nga korrespodencat. “Nga informacioni i marrë prej noterit Alket Mançka, ky i fundit, me shkresën me nr. 1953 rep., datë 17.5.2019 (regjistruar në Ministrinë e Drejtësisë me nr. prot. E25/7, datë 22.5.2019), ka përcjellë kopje të Deklaratës Noteriale nr. 2428 Rep., Nr. 1687 Kol., datë 25.9.2018, deklaratë me anë të së cilës Veneto Banca spa, në likuidim administrativ të detyruar dhe Societa për La Gestione di Attivita-SGA spa, shoqërie aksionare me seli në San Giovanni Giacomo, Napoli, Itali, i drejtohen Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme me kërkesën që: “Të fshijë të gjitha inskriptet në favor të Veneto Banca SPA, në likuidim administrativ të detyruar dhe të regjistrojë inskriptin e ri në favor të kreditorit të ri, Societa per la Gestione di Attivita-SGA spa, mbi pasuritë e paluajtshme sipas listës bashkëlidhur. Kujdes të veçantë i duhet kushtuar mbajtjes së radhës ekzistuese të regjistruar nga ana e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme’”, thuhet aty.

Kliti Topalli

Leave a Reply