Zbardhet udhëzimi, rriten pagesat për personat me aftësi të kufizuara, ja përfitimet sipas kategorive

0
464

Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale ka vendosur të rrisë pagesat për personat me aftësi të kufizuara, por edhe për personat që ju shërbejnë atyre. Në Qendrën e Botimeve Zyrtare janë botuar disa udhëzime të ministres Ogerta Manastirliu, të cilat tregojnë sesi do të ndryshojnë pagesat sipas kategorive. Në udhëzimin e parë thuhet se masa e përfitimit për invalidët paraplegjikë dhe tetraplegjikë, të përcaktuar në pikën 4 të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 31, datë 20.1.2001, bëhet 10.653 lekë në muaj. Në VKM e cituar masa e pagesës për invalidët, paraplegjikë ose tetraplegjikë, ishte 70 për qind e pagës minimale të punonjësit buxhetor dhe ndryshonte sa herë ndryshonte kjo pagë. Por tani paga do të jetë 10.653 lekë në muaj. Ndërsa kujdestari i invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik do të përfitojë 11.190 lekë në muaj, nga 70% të pagës minime të punonjësit buxhetor që përfitonte më parë. Ndryshime në pagesë ka edhe për personat të cilëve iu është kufizuar aftësia, si pasojë e dëmtimeve fizike, shqisore, të intelektit, psikiko/mendore, të lindura apo të fituara gjatë jetës nga aksidente, sëmundje, të përkohshme apo të përhershme, që nuk vijnë nga shkaqe, që lidhen me punësimin, e vërtetuar kjo nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP). Ata tani do të përfitojnë 10.653 lekë në muaj, nga 6.800 lekë në muaj që ishte sipas vendimit nr. 618 datë 7.9.2006. Të njëjtën masë, pra 10.563 lekë në muaj, përfiton edhe kujdestari i personit me aftësi të kufizuar. “Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, të përcaktuar në pikën 8, të VKM-së nr. 618, datë 7.9.2006, bëhet 10.653 lekë në muaj për personat e përcaktuar në pikën 2 të vendimit dhe 11.190 lekë në muaj për kujdestarin”, thuhet në udhëzimin e tretë të Ministrisë së Shëndetësisë. Pra, personat paraplegjikë e tetraplegjikë, të cilët deklarohen, me vendim të Komisionit Mjekësor të Përcaktimit të Aftësisë për Punë do të përfitojnë 10.653 lekë në muaj, nga 6.800 lekë në muaj që ishte më parë. Nga ana tjetër, masa e përfitimit për shkak të verbërisë bëhet 12.092 lekë në muaj nga 70% e pagesës minimale shtetërore që ishte e përcaktuar më parë. Të njëjtën masë përfiton edhe kujdestari i të verbrit.

Ndryshimet e tjera

Ministria e Shëndetësisë ka bërë edhe disa ndryshime të tjera. Sa i takon pagesës bazë për shkak të aftësisë së kufizuar do të jetë 10,871 lekë në muaj nga 150% e shumës së pensionit social, që ishte e përcaktuar në VKM nr. 431, datë 8.6.2016. Ndërkohë, masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar për individët që kërkojnë të vlerësohen për herë të parë do të përfitojnë 6.523 lekë në muaj nga 60% të pagesës bazë që përfitonin deri dje. Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar për personat mbi 18 vjeç me kufizime mesatare që kërkojnë të vlerësohen për herë të parë që deri dje përfitonin 80% të pagesës bazë, tani do të përfitojnë 8.697 lekë në muaj. Nga ana tjetër, masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar për personat mbi 18 vjeç me kufizime të thella që kërkojnë të vlerësohen për herë të parë që përfitonin 100% të pagesës bazë tani do të përfitojnë 10.871 lekë në muaj. Me udhëzimin e ri, personat mbi 18 vjeç me kufizime të rënda që kërkojnë të vlerësohen për herë të parë përfitojnë 13.045 lekë. Më parë ata përfitonin 120% të pagesës bazë. Po ashtu, masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar për fëmijët me kufizime të lehta do të jetë 4.892 lekë në muaj nga 75% e shumës së përcaktuar për personat madhorë me kufizime të lehta që përfitonin më herët.

Kategoritë e tjera

Një tjetër kategori që përfshihet nga ndryshimet e Ministrisë së Shëndetësisë janë fëmijët me kufizime mesatare që kërkojnë të vlerësohen për herë të parë. Me vendimin nr. 431 datë 8.6.2016 ata përfitonin 75% të shumës së përcaktuar për personat madhorë me kufizime mesatare. Por tani do të përfitojnë 6.523 lekë në muaj. Nga ana tjetër, masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar për fëmijët me kufizime të rënda që vlerësohen për herë të parë është përcaktuar 8.153 lekë në muaj, nga 75% e shumës së përcaktuar për personat madhorë me kufizime të rënda që përfitonin më parë. Sakaq, për fëmijët me kufizime të thella që po ashtu vlerësohen për herë të parë është përcaktuar të përfitojnë 9.785 lekë në muaj. Edhe ata deri dje merrnin 75% të shumës së përcaktuar për personat madhorë me kufizime të thella. “Masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar, të përcaktuar në pikën 16, të kreut IV, të VKM-së nr. 431, datë 8.6.2016, të ndryshuar, për shërbimet gjithëpërfshirëse të ndihmësit personal, është 13,045 (trembëdhjetëmijë e dyzet e pesë) lekë në muaj për personat e përcaktuar në pikën 2, germa “a”, të kreut I të vendimit”, thuhet në një pikë tjetër të udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë. Pra, shuma e pagesës për shërbime gjithëpërfshirëse për ata që vlerësohen për herë të parë është përcaktuar të jetë 13.045 lekë në muaj, nga 120% e pagesës bazë të aftësisë së kufizuar që ishte e përcaktuar më herët. Së fundmi, masa e përfitimit të aftësisë së kufizuar për shërbime të herëpashershme për individët që kërkojnë të vlerësohen për herë të parë do të jetë 8.697 lekë në muaj. Deri dje kjo masë ishte 80% e pagesës bazë të aftësisë së kufizuar.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here