Hektor Shaqiri: Sporti në pikën zero, e turpshme që kemi sportistë që kanë përfaqësuar vendin dhe nuk kanë librezë pune

0
453

Në shtator do të diskutohet e ndoshta do të miratohet në parlament një pjesë e rëndësishme e Ligjit për Sportin, konkretisht çështja e sponsorizimeve, e cila lind nga domosdoshmëria për vetë zhvillimet e sportit shqiptar në këtë periudhë. Natyrisht, komuniteti i sportit insiston që të ketë lehtësira për investuesit dhe për sportin elitar të ketë lehtësira që lidhen me shpërblimet, punësimin, sigurimin shëndetësor, jetësor e kontributet sociale që të njihen si vite pune. Është e pafalshme se si sportistë të mëdhenj shqiptarë, që kanë përfaqësuar Flamurin Kombëtar në aktivitetet Europiane e Botërore, e madje dhe në Olimpiada, me kontribut disavjeçar, nuk kanë ende një librezë pune. Ky është padyshim një turp për sportin tonë. Kështu mendon dhe një prej teknikëve të shquar të peshëngritjes, me një karrierë gjysmëshekullore në trajnim, Hektor Shaqiri, i cili deklaron se sporti po kap pikën zero dhe është në interesin e vetë shtetit t’i japë zgjidhje këtij problemi, në mënyrë që Shqipëria të ketë të ardhme edhe në sport. Për Shaqirin, shanset e kualifikimit të shtangës në Olimpiadë janë të pakta, por ai beson se ky sport e ka brumin në Shqipëri që të jetë edhe në të ardhmen në elitën e sporteve individuale.

Së shpejti diskutohet në parlament problematika e sportit, pasi nevojitet një ligj për sponsorizimet. Ju jeni përgatitës me përvojë të gjatë në sport, çfarë mendimi keni për këtë lëvizje?

Kjo është një temë mjaft interesante, do të thosha me mjaft rëndësi për sportin në Shqipëri. Mua më intereson çfarë do të bëhet me sportistët që kanë derdhur djersë për këtë vend. Si do të zgjidhet çështja e atyre sportistëve që kanë një karrierë shumëvjeçare në ekipin përfaqësues dhe nuk kanë një librezë pune? Sportistë të mëdhenj kanë dhënë kontribut për ngjyrat kuqezi dhe vitet që i janë kushtuar fanellës së ekipit kombëtar nuk figurojnë si vite pune. Kjo është shumë e rëndë dhe, më ndjeni, në komunizëm që tani e shajmë, nuk kanë ndodhur marrëzi të tilla. Përkundrazi, në atë periudhë sportistët e mirë merrnin rrogë më shumë se një mjek dhe inxhinier, që do të thotë se shteti jo vetëm që nuk linte pa siguruar askënd, por investonte në sport sepse nëpërmjet sportit kishte arritje dhe në fusha të tjera si në mjekësi dhe diplomaci. Do të marr si shembull Ilir Sulin, një shtangist cilësor të Shqipërisë, që bëri 30 vjet sport, 12 vjet në ekipin përfaqësues të Shqipërisë dhe e lanë pa librezë pune. Nuk është vetëm ai por edhe shumë të tjerë, por e mora si shembull, për të treguar se sa e turpshme është mënyra se si i kemi trajtuar sportistët gjatë këtyre viteve. Prandaj unë uroj që të kemi një ligj që i jep sportit dimensionin e duhur në shoqëri, që i jep vrull zhvillimi dhe merr parasysh sigurimin e jetës dhe viteve të punës së sportistit.

Çfarë prisni konkretisht dhe a besoni se do të realizohet?

Unë dua të besoj se parlamenti që e shqyrton e ka një ide se si është gjendja e sportit sot në Shqipëri dhe nëse parlamentarët do të flasin për sportin kjo është gjë e mirë dhe unë i përgëzoj. Duhet përshëndetur kushdo që flet mirë për sportin, sepse deri më sot për sportin është bërë zero. Të bësh 30 vjet sport e në fund të mos kesh librezë pune vetëm në Shqipëri ndodh. Kushtet e sportit tek ne janë ende mizerabël. Pra investimi duhet në aspektin juridik dhe social, pra me sigurimin e sportistëve, ndërsa ana tjetër është infrastruktura dhe strategjia afatgjatë e zhvillimit të sportit. Unë shoh ende që ka probleme në mentalitet. Për shembull, kanë krijuar në Voskopojë një ambient për ekipin kombëtar. Një vend turistik përshtatur për stërvitje. Po kjo nuk është frytdhënëse, sepse baza e gjithçkaje në sport është stërvitja. Por atje nuk ka kushte për këtë punë, një hotel nuk mund të jetë vend për stërvitjen e ekipit. Ndoshta një bazë tjetër ku të ketë ambient stërvitor po, por… Prandaj shoh që ka mangësi edhe të karakterit strategjik përgatitor për aktivitetet e mëdha. Që të kthehemi tek ligji i sportit, unë do të dëshiroja që të gjitha problematikat me të cilat është përballur sporti ynë të diskutohen dhe shqyrtohen me kujdes, në mënyrë që të kemi një platformë ku të bazohet sporti i së nesërmes. Në të kundërt, me gjendjen që po mbizotëron aktualisht, nuk besoj se kemi të ardhme.

Mangësinë e shpreh më mirë krahasimi me Kosovën, që sikurse ne ka probleme të mprehta në infrastrukturë dhe menaxhimin e sportit. A e dinë këta politikanët tanë se sa prapa është sporti ynë me rajonin?

Sporti ka probleme, kjo nuk mohohet. Kosova investon për sportin disafish krahasuar me ne. Por, ç’të themi kur ne nuk jemi të zotë të bëjmë minimumin për sportin? Në fakt, unë kam qenë në Kosovë dhe kam punuar atje. Kosova ka disa sporte cilësore, por nuk i ka të gjitha disiplinat sportive siç i ka Shqipëria. Por problemi i sportit tonë aktualisht, këtë e dinë sigurisht edhe politikanët, është buxheti i pamjaftueshëm. Kam pasur një takim me deputetin F. Ylli, të cilin e kam vënë në dijeni për problemet që kemi, kam bërë kritikat e mia kur më është dhënë rasti të shpreh mendimet e mia. Disa gjëra edhe janë bërë, siç ndodhi me palestrën e shtangës tek Parku Olimpik. Por të gjithë e dimë që kjo për sportin nuk mjafton. Për krahasim po marr monizmin, 30 e kusur vite më parë, dhe s’më vjen fare turp të them që në atë periudhë sporti ka qenë jo vetëm më i organizuar, por edhe serioz dhe me rezultate të larta. Pra ishim shumë herë më mirë. Dhe kjo nuk duhet parë vetëm tek rëndësia e shtetit për sportin, gjë që ishte evidente, por në atë periudhë talenti nuk mbetej jashtë siç ndodh sot. Më të mirët futeshin në ekipin kombëtar, kurse sot ka dallavere të ndryshme.

Pse kishte kaq seriozitet në atë periudhë?

Ishte vëmendja shtetërore për sportin. Nëse abuzohej e bëhej dallavere të priste burgu. Është bërë punë e pastër, me pasion, me përkushtim dhe me investim nga strukturat shtetërore, prandaj them që pavarësisht vështirësive të asaj kohe, ne sot nuk bëjmë për sportin as sa monizmi. Ilir Suli, të cilin po e marr shembull, është regjistruar fëmijë tek Partizani, ka pasur dokumentet atje, kurse tani del pa librezë pune, pra ka ndodhur diçka e pazakontë për atë periudhë, e cila regjistronte çdo gjë dhe sportistët kishin trajtim special, kurse sot i kanë zhdukur edhe librezën. Një sportist elitar merrte rrogë më të mirë sesa një mjek apo një inxhinier, ky është fakt. Një mjek apo inxhinier merrte 7500 lekë të vjetra në muaj, kurse sportisti elitar merrte 8200 lekë, se ishte profesionist. Por e meritonte, sepse ishin kategorizuar gjërat dhe kjo nxiste të kishte edhe rezultate të larta. Kurse sot shumë sportistë, për të mos thënë pjesa dërrmuese, nuk kanë libreza pune. Çfarë sporti qenka ky? Janë breza të tërë që kanë derdhur djersë, madje kanë përfaqësuar flamurin kuqezi, dhe nuk figurojnë në librat e punës! Kjo është më shumë se e tmerrshme!

Çfarë po ndodh me peshëngritjen aktualisht?

Kemi një brez sportistësh cilësorë që janë në fund të karrierës së tyre dhe kjo gjë duhet parë me kujdes. Shoh që po investohet tek të vjetrit, ndërkohë që duhej të ishte e kundërta. Në peshëngritje duhet investuar tek të rinjtë, në mënyrë që ky brez cilësor të pasohet nga një tjetër kastë shtangistësh. Nëse nuk kemi pasues, atëherë peshëngritja merr fund dhe do të kritikoheshim për mungesë vijimësie. Shembulli që përmenda më lart me Voskopojën është dëshmi që nuk po mendohet si duhet, apo më saktë federata po këshillohet keq. Për mendimin tim është investim i shkuar dëm. Kurse investimi që shkon për të rinjtë nuk shkon asnjëherë dëm. Ndërmjet shumë elementëve do të dalin patjetër të rinj që spikasin.

Përpara kemi Botërorin e shtangës. Sa janë shanset e ekipit tonë dhe me sa elementë mund të marrim pjesën në Olimpiadën e Tokios më 2020?

Në Olimpiadën e vitit të ardhshëm një shtangist është i garantuar dhe ai është Briken Calja. Shpresojmë të shkojmë dhe me të tjerë, por duket pak e vështirë. Siç e dini dhe ju ka ndryshuar pikëzimi dhe tani është individual e jo ekipor. Kjo do të thotë se përveç Brikenit mund të kualifikohet edhe Erkand Qerimaj, gjithmonë nëse rezultati i tij në Botëror do të jetë i mirë. Pra Qerimaj e ka një shans, kurse të tjerët i shoh larg kësaj ëndrre. Në fakt, kur mendoj se shtanga, sporti më i përfaqësuar nga Shqipëria në Lojërat Olimpike, vjen në këtë gjendje që të diskutohen numrat, më vjen ndërmend se sa vështirësi po kalon sporti ynë në tërësi. Ju e dini që në peshëngritje nuk ka ftesa, që ishin një mundësi, pra në Olimpiadë mund të shkohet vetëm me rezultate dhe sot sportit tonë në përgjithësi i mungojnë rezultatet e larta.

Peshëngritja tek femrat duket akoma më larg. Kishim një Romela Begaj, tani as diskutohet ndonjë emër…

Jo se kam qenë unë trajneri i saj, por është fakt që ajo ishte sportiste e madhe. Pavarësisht problemeve që ndodhën më vonë, për të cilat nuk ka faj vetëm sportistja dhe që unë nuk dua t’i komentoj, Begaj, e ardhur nga akrobacia, kishte një talent të lindur për peshëngritjen dhe korri shumë suksese. Ajo dhe Ilir Suli kanë dhënë shumë për shtangën shqiptare, por nuk kanë marrë meritën e tyre. Romela do të kishte qenë kampione e padiskutueshme këtu deri në moshën 40 vjeçe. Në Kanada do të bëhet trajnere e madhe, kam besim për këtë. Ambienti atje e ndihmon atë të kapë majat e këtij sporti edhe si trajnere.

Një nga temat më të mprehta është ajo e talentit. Mungojnë politikat e zbulimit dhe seleksionimit të talentit nga shkollat. Dikur kjo teknikë ishte kryesorja, si mund të ketë vijimësi talenti i shtangës në Shqipëri?

Kjo është një prej temave më të rëndësishme dhe që duhet shtruar fuqishëm për analizë. Dikur, Presidenti A.Moisiu, kur më vari medaljen në qafë, më tha: “këtë që bëni ju nuk e bëjnë 100 ambasadorë së bashku”. Ishte vlerësim për ne, sigurisht, por kjo merrte vlerë kur e thoshte kreu i shtetit. Nuk duhet të harrojmë se nuk jemi shtet i madh dhe i fuqishëm, kemi pak sportistë dhe e kemi të vështirë të çajmë në sportet kolektive. Por në sportet individuale, me pak investim, mund të marrim rezultate të larta. Kjo është një histori suksesi e provuar me peshëngritjen.

Nga analiza që ju bëtë nuk dukeni aq optimist. Jua kam shtruar shpesh këtë pyetje: Si do të jetë e ardhmja e shtangës?

Unë jam optimist nga natyra dhe dua të besoj se gjërat do të ndryshojnë për mirë. Me presidentin e ri të federatës, i cili ka dashuri për këtë sport, gjërat duhet të bëhen më mirë. Por këshilla ime për të është të investojë atje ku duhet, të dëgjojë këshillat e teknikëve me përvojë. Lekun e ka të vetin dhe mund ta hedhë ku të dëshirojë, por duhet të dijë ku e hedh. Është njeri pozitiv, por i duhen këshillat e vlefshme. Gjithsesi, kam shpresë dhe besim se do të bëhet mirë. Nga ana tjetër, uroj që në parlament deputetët ta hapin gojën për sportin, të flasin dhe të thonë të vërtetën. Unë nuk mendoj se do të dalë ndonjë deputet kundër projekteve për sport cilësor, pasi sportin e duan të gjithë dhe shpresoj që në shtator sporti të marrë drejtimin e duhur.

Intervistoi: Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here