Skandali me falimentimin e “Veneto Banka”, Ministria e Drejtësisë i kërkon Kadastrës të verifikojë veprimet e “SGA” me kolateralet

0
41

Dalin në dritë të tjetra fakte sa i takon skandalit me falimentimin e bankës italiane “Veneto”. Gazeta ka treguar për javë të tëra se si janë implikuar një sërë institucionesh shqiptare në këtë mes, duke lejuar batërdinë në kurriz të dhjetra kreditorëve. I vetmi institucion që ka nisur të lëvizë është Ministria e Drejtësisë, e cila po mbledh informacione nga Banka e Shqipërisë, Kadastra e institucione të tjera përgjegjëse në këtë mes. Gazeta po tregon sot kërkesën që Ministria e Drejtësisë ka drejtuar te Agjencia Kombëtare e Kadastrës, e cila kërkon sqarime për atë që ka ndodhur me garancitë hipotekore, ndryshe kolateralet e klientëve të Veneto Banka. Nga ana tjetër ky institucion i jep Kadastrës edhe udhëzimet përkatëse se si duhet të veprojë në këtë rast flagrant kur janë shkelur ligjet për hipotekimin dhe ndryshimin e një inskripti të ri. Kjo shkresë e Ministrisë së Drejtësisë, drejtuar edhe më parë Bankës së Shqipërisë, Zyrave Përmbarimore dhe Prokurorisë, duket se ka sjellë edhe reagimin e Agjencisë së Kadastrës Shtetërore, e cila ka bllokuar të gjitha veprimet e kërkuara nga ana e SGA në Shqipëri. Duke cituar ligjin e Hipotekave, nuk kemi asnjë rast të ngjashëm teksa një shoqëri tregtare e huaj të veprojë në Shqipëri, duke ndryshuar Inskripte kolateralesh që kanë shërbyer si garanci për kredi të një subjekti tregtar shqiptar, t’i përfitojë këto të mos jetë e regjistruar në Regjistrin Tregtar Shqiptar. “Për veprimet e kryera për ndryshimin e inskripteve, shkresa i përcillet për verifikim Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, me kërkesën për verifikim dhe informim sipas Kodit të Procedurave Administrative, veçanërisht mbi: numrin e herëve që janë ndryshuar inskriptet për pasuritë; mënyrën se si është kryer fshirja e inskripteve dhe është bërë regjistrimi i inskripteve të reja: dhe nëse fshirja dhe regjistrimi i inskripteve është kryer vetëm mbi bazën e këtyre dy deklaratave noteriale, apo është administruar nga ZQRPP, sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi, një akt apo marrëveshje tjetër që reflekton respektimin e kërkesave të nenit 499 e vijues të Kodit Civil mbi kalimin e kredive, së bashku me privilegjet, garancitë dhe aksesorët e tjerë”, thuhet aty.

Dyshimet

Se si dhe në ç’mënyrë e ka kryer këtë veprim Hipoteka në Shqipëri, kjo është natyrisht objekt hetimi nga ana e Prokurorisë, për të gjithë procedurën e ndjekur dhe personat që e kanë kryer këtë veprim. Në të gjithë këtë situatë të paqartë, si një proces tashmë i bllokuar për arsye të dyshimta, ajo që është më shumti përgjegjëse është institucioni i Bankës së Shqipërisë. Kujtojmë se jo pa qëllim italianët e SGA spa kanë vendosur në tekstin e deklaratave noteriale tekstin, “sipas kushteve të Bankës së Shqipërisë”, duke implikuar kështu direkt rolin e Gent Sejkos në këtë proces të dyshimtë, në dëm të klientëve shqiptarë të Veneto Banka. A do të kemi një reagim nga ana e institucionit të Gent Sejkos për këtë katrahurë të re financiare në dëm të shqiptarëve, klientë të një banke shqiptare por që kërcënohen nga një subjekt inekzistent italian, kjo mbetet për t’u parë. Gjithsesi, ajo që është shumë e rëndësishme, është ndërhyrja e institucioneve të Qeverisë Shqiptare, në këtë rast Ministria e Drejtësisë, e cila duket se e ka kuptuar qartazi se kemi të bëjmë me një rast mjaft të rëndë shkeljesh të procedurave,dhe tejkalime të kompetencave nga ana e institucioneve shqiptare. Mbete të shihet se çfarë konkluzionesh do arrijë dhe prokuroria, e cila po heton. 

Kliti Topalli

Leave a Reply