Tirana si vetëtimë, kthehet pas një dekade si pretendente për titull

0
398

Kategoria Superiore mbylli javën e parë të saj. Në dy ditë u luajtën pesë ndeshje, një prej të cilave ditën e premte, ku Kukësi mposhti Partizanin kampion në fuqi me rezultatin 1-0, ndërsa ditën e djeshme u luajtën katër takime, ku padyshim me interes pritej performanca e Tiranës, e cila, për herë të parë në shumë vite nuk zhgënjeu dhe mori një fitore bindëse, pikërisht ndaj Luftëtarit, duke e nisur mbarë edicionin dhe madje me fitoren më të thellë e më bindëse, duke marrë kreun e renditjes dhe njëherësh duke u shpërfaqur si ekipi më sfidues i këtij edicioni dhe njëherësh si skuadra me më shumë shanse për titull. Kjo bëhet më e besueshme po të mbahet parasysh fakti se kundërshtarët për titull janë pakësuar dhe Kukësi e Partizani nuk kanë bërë ndonjë merkato me emra të spikatur që të mund të bëjnë diferencë. Pra Tirana ka shanse të fitojë titullin këtë sezon dhe kjo është në objektivat e klubit për një jubile të madh që ka të bëjë me 100 vjetorin e themelimit të klubit bardheblu, prandaj dhe ky sezon do të jetë i veçantë për Tiranën. E thënë ndryshe, Tirana kërkon ta festojë 100-vjetorin e krijimit me titullin kampion dhe nuk e fshehu objektivin që në javën e parë, teksa në “Selman Stërmasi” mposhti me rezultatin 3-0 Luftëtarin me halle shumë. Bardheblutë e Memës e nisën vrullshëm takimin dhe arritën të zhbllokojnë rezultatin në minutën e 30-të me anë të sulmuesit të ardhur këtë verë pikërisht nga gjirokastritët, Ismail Dunga. Vetëm dy minuta më vonë ishte Grent Halili që dyfishoi shifrat, ndërsa një minutë nga fundi i pjesës së parë, Idriz Batha shënoi golin e tretë për bardheblutë, duke futur në kasafortë fitoren e parë. Edhe pjesa e dytë u zhvillua nën diktatin e Tiranës, që kontrolloi lojën, ndonëse nuk arriti të shënojë më shumë gola, ndërsa Luftëtari ishte tërësisht i pafuqishëm, duke treguar se këtë vit e pret një sezon mjaft i vështirë. Fitore minimale 1-0, por me mjaft vlera, ka marrë edhe Teuta në ndeshjen e parë sezonale përballë Bylisit në “Niko Dovana” të Durrësit. Skuadra e Blendi Shkëmbit shënoi golin e vetëm të takimit në pjesën e parë me anë të Renato Arapit, ndërsa më pas administroi mirë rezultatin.

Flamurtari dorëzohet në fund, Skënderbeu fitore “in-extremis”

Skënderbeun mund ta ketë penalizuar UEFA, e cila nuk e lejon të dalë në Europë, por askush nuk e pengon skuadrën korçare të rivalizojë në kampionat për trofe, megjithëse klubi do të jetë në të ardhmen objekt vlerësimi disiplinor nëse edhe gjykata federale e Zvicrës nuk do të ndryshojë vendimin e UEFA-s të cilin e la në fuqi Këshilli i Arbitrazhit Sportiv në Lozanë (CAS). Pra Skënderbeu ruan ritëm të lartë performance në kampionat dhe pavarësisht se nuk është ai i disa viteve më parë kur i merrte kundërshtarët “zvarrë” në kampionat, sërish ruan një staturë të fortë si ekip serioz e pretendent. Dje korçarët mundën në sekondat e fundit të ndeshjes Flamurtarin, me rezultatin 1-0, duke e nisur me trepikësh edicionin e ri. Në fakt, Flamurtari udhëtoi pa shumë pretendime në Korçë dhe ia doli të rezistojë për më tepër se 90 minuta përballë Skënderbeut, derisa një top i gjuajtur nga Nazmi Gripshi nga distanca, theu portierin Moçka dhe i dha fitoren skuadrës së Ilir Dajës. Vlen të theksohet se vlonjatët e mbyllën takimin me një lojtar më pak, pasi Valdo Zeqaj mori kartonin e dytë të verdhë dhe rrjedhimisht të kuqin, në minutën e 88-të të sfidës. Kjo fitore e skuadrës së Dajës është domethënëse për objektivat sezonale, pasi e vë Skënderbeun në radhën e skuadrave pretendente, gjë që nuk vlerësohej e tillë 24 orë më parë. Edhe pse cilësia e kësaj jave të parë la për të dëshi8ruar, pasi nuk pati ndonjë futboll spektakolar, kthimi i Vllaznisë në Superiore me fitore dhe suksesi i korçarëve ndaj Flamurtarit mund të shtojnë rivalitetin në kampionat dhe të rrisin numrin e skuadrave pretendente për trofe, për ta bërë kampionatin më të bukur javë pas jave. Padyshim, si javë e parë, duhet përshëndetur Tirana, e cila, edhe pse e pati të lehtë me Luftëtarin, bëri një start bindës dhe kjo i kishte munguar kampionatit tonë.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here