“Multimedia”, artistët e rinj në aksion me performancë dhe art interaktiv

0
565

Ekspozita “Multimedia” prezanton punimet e pesë artistëve të rinj. Ekspozita e hapur në qendrën e artit bashkëkohor “ME WE” në pazarin e qytetit të Korçës prezanton instalacione kinetike, performancë si dhe videoinstalacione për hapësira të dedikuara siç është ajo e jashtme, por pjesë e saj janë dhe dy skulptura në formë kubash. Ekspozita me kuratorë Altin Lika dhe Ergys Krisiko prezanton punimet e artistëve Blendi Shahu, Lejdi Prençi, Sara Ferhati, Vasiljana Sali dhe Viktoria Nikolla. Drejtues artistik, Ardian Isufi shprehet se kjo është ekspozita e tretë që hapet në këtë qendër arti bashkëkohor, që ka qëllim dhe të promovojë të rinjtë. “Është një ekspozitë interaktive, e cila përmbledh veprat që janë të dedikuara për hapësirën dhe zonat e qendrës së artit bashkëkohor “ME WE”, ku ngjarja nuk zhvillohet vetëm brenda, por edhe jashtë saj. “Multimedia” është një ekspozitë, që ka në fokus të saj artistë të rinj, ish studentë të Universitetit të Arteve dhe ne po përpiqemi që nëpërmjet qendrës së artit bashkëkohor “ME WE” ti promovojmë si një sinergji e re në artin pamor shqiptar, por gjithashtu shpresojmë që në një të ardhme të afërm ata të jenë një sinergji e re në sistemin e arti pamor shqiptar”, pohon Ardian Isufi drejtor artistik i ekspozitës. Por puna me ekspozitën këtë qendër arti në qytetin e Korçës sipas drejtorit artistik Ardian Isufi ka angazhuar dhe të tjerë artistë të njohur. “Është për tu përshëndetur, që bashkëkuratorët Altin Lika dhe Ergys Krisiko kanë dialoguar gjatë me artistët e rinj për të sjellë këtë ekspozitë, që është pjesë e projekteve të dedikuara për hapësirat e qendrës së artit bashkëkohor “ME WE”. Koordinatori i artit Luan Deli ka bërë të mundur, që gjithë ky projekt në kuptimin logjistik dhe të infrastrukturës të jetësohet, por ka dhe bashkëpunëtorë të tjerë si Florian Haxhihyseni, Harri Aleksi që kanë kontribuar shumë sa i takon pjesëve të modelimit, të imazhit grafik të kësaj ekspozite, ku unë në këtë rast si drejtor artistik jam marrë për të lidhur të gjithë hallkat e organizmit”, tregon Ardian Isufi për ekspozitën në qendrën e artit bashkëkohor “ME WE”.

Punimet e artistëve

Ekspozita prezanton punët e pesë artistë të rinj dhe drejtori artistik Ardian Isufi tregon se në ditën e hapjes ishte një performancë e veçantë nga dy artistët Blendi Shahu dhe Sara Ferhati, që krijuan një atmosferë të veçantë dhe interaktive në marrëdhënie me publikun. Viktoria Nikolla prezantohet me instalacione kinetike, vepër arti në lëvizje, që sipas drejtorit artistik Ardian Isufi artistja nëpërmjet dy kutive standard industrial ku ne lëvizim objekt mall materiale të cilat shkojnë nga një vend në një vend ajo sjell një element të tingullit të fortë dhe kumbues të zemrës, duke u dukur sikur vetë kjo kuti është një qenie, e cila ka dhe disa të dhëna teknike duke u kthyer gati në një lojë mekanike. “Aty krijohet një metaforë e standardizimit të asaj çfarë njerëzit sot në postmodernizmin po kthehen, gati në një lloj mekanizmi shfrytëzues të shoqërisë duke sjellë disa pikëpyetje të mëdha përballë realitetit tonë lokal dhe global”, shprehet Isufi. Në ekspozitë artisti Lejdi Prençi vjen me një videoinstalacion, që qëndron në fasadën e qendrës “ME WE” në Korçë. Sipas drejtorit artistik Ardian Isufi është një punë që tërheq publikun përmes mesazheve. “Instalohen të projektuara dy dritare, që është një personazh, që sodit në to duke krijuar një lloj misteri, një femër që diku duket dhe diku zhduket dhe i jep një situatë komplet tjetër fasadës së galerisë, duke tërhequr publikun me një mesazh poetik dhe shumë kuriozues, një personazh që i shikon dhe i sodit ata”, pohon ai. Pjesëmarrëse në ekspozitë artistja Vasiljana Sali vjen gjithashtu me një instilacion kinetik. Drejtori artistik shprehet se në vetvete përmbledh në mënyrë shumë interesante idenë e një artefakti të një jeleku të leshtë të gjyshit. “Ky jelek i leshtë nga i ndërtuar ç’ndërtohet nëpërmjet zhdukjes së fillit. Pra kujtesa e saj, që është kujtesë memorie nostalgjie, memorie identiteti ashtu si ne kemi me gjyshërit tanë fillon dhe ç’ndërtohet, duke u kthyer një formë kujtese në eter”, tregon Isufi. Një tjetër vepër prezantohet nga artisti Blendi Shahu, një akuarium që bën një lojë me lëvizjen e ujit. Sipas drejtorit artistik Ardian Isufi është një lojë mjaft interesante, sepse brenda akuariumit ndodh një lëvizje dallge, që të jep një përjetim të caktuar siç ne kemi përballë detit, duke në futur në një tjetër dimension perspektive. Ekspozita do të qëndrojë në qendrën “ME WE” gati një muaj për publikun.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here