Faktet, ja si “Besa” përfitoi 3 milionë dollarë nga shteti shqiptar dhe u kthye në biznes me manovra ligjore

0
413

Dalin në dritë të tjera detaje nga e shkuara e errët e Fondit “Besa”. Ky fond u përfshi nga një skandal pak ditë më parë, pasi disa prej punonjësve mashtronin me kreditë. Por ajo që vihet re është se fonde të tilla kanë mbirë si kërpudhat në vendin tonë. Janë me dhjetra qendra që japin kredi me interesa shumë të lartë dhe pse jo, mashtrojnë. Gazeta tregoi një ditë më parë se si u licencua Fondi “Besa” dhe skandali që ndodhi me kalimin e kapitaleve. Pra fillimisht “Besa” ishte fondacion, ndërsa më pas u shndërrua në fond financiar. Sot po tregojmë se si fondacioni-fondi “Besa” përfitoi rreth 3 milionë dollarë nga shteti shqiptar. Në vitin 1999, qeveria shqiptare i transferoi 309,864,911.50 lekë (mbi 3 milionë dollarë) asete të Fondit Shqiptar të Zhvillimit (institucion shtetëror) Fondacionit “Besa”. Sipas marrëveshjes së lidhur në dt. 20 Maj 1999, kur shteti shqiptar ishte i gjithi në dispozicion të kulmit të krizës kosovare, Soros arriti t’i zhvasë me një veprim të vetëm 3 milionë dollarë në një kohë që shteti shqiptar kishte më shumë nevojë se kurrë për mbështetje financiare. Në atë kohë të gjithë institucionet ndërkombëtare dhe organizatat jo-fitimprurëse sillnin para nga jashtë brenda, Soros arrinte që paratë e shtetit shqiptar të kalonin nga brenda-jashtë për përfitim të Soros. Elementi më i interesant i kësaj shume është fakti që ajo ishte vetë një kredi e shtetit shqiptar që i ishte dhënë nga Banka Botërore. 3 milionë dollarët që shteti shqiptar ia kishte marrë në formë kredie Bankës Botërore, për Fondin Shqiptar të Zhvillimit në kthim kanë arritur në vlerë dyfishe, pasi shteti shqiptar pagoi dhe interesa. Por skandali këtu qëndron te fakti se Fondacioni “Besa” u shndërrua më pas në biznes privat, pra Fondi “Besa”, dhe të gjitha këto kapitalet e përfituara nuk u kthyen, po u mbajtën prej saj.

Kalimi në biznes

“Besa” lindi si fondacion, më pas ajo krijoi dhe biznese për kredi. “Fondacioni Besa”, i ka kaloi 100% aksionet në vlerë 1 milion dollarë të “BESA” sh.a. (pronare e të cilës fondacioni jofitimprurës Fondacioni-Fondi “Besa”) në pronësi të një krijese të re sorosiane në Tiranë: Fondacionit Albanian “Besa” Capital (ABC). Sipas aktit të themelimit të biznesit, Fondi “Besa” sh.a. të regjistruar në Dhomën e Noterëve Tiranë dt. 10/07/2008, (Nr. 7665 Rep. dhe Nr. 1085 Kol.), rezulton se ky biznes është themeluar nga Fondacioni-Fondi “Besa”. Por në ligjin nr. 8788 për Organizatat Jofitimprurëse, Neni 36 thuhet: “Organizata jofitimprurëse, për realizimin e qëllimit dhe objektit të veprimtarisë së saj, ka të drejtë të ushtrojë veprimtari ekonomike. Organizata jofitimprurëse mund të zhvillojë veprimtari ekonomike pa qenë nevoja që të krijojë një subjekt të veçantë për këtë qëllim, me kusht që kjo veprimtari të jetë në përputhje me qëllimet e organizatës jofitimprurëse, të jetë deklaruar si një nga burimet e të ardhurave dhe me kusht që kjo veprimtari të mos përbëjë qëllimin primar të veprimtarisë së organizatës. Nëse organizata jofitimprurëse, nëpërmjet ushtrimit të veprimtarisë ekonomike, realizon fitime, ato duhet të përdoren për përmbushjen e qëllimeve të përcaktuara në statut dhe në aktin e themelimit”. Në këtë rast Fondacioni jo-fitimprurës Fondi “Besa” ka krijuar një biznes të vetin për qëllimet e veta, dhe akti i themelimit i regjistruar në QKR e vërteton këtë. 

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here