Kryebashkiakët e PD-LSI rrezikojnë të shkojnë për ndjekje penale, PS auditim vendimeve në të gjitha bashkitë, zbulohen dhjetëra shkelje

0
293

Disa prej ish-kryebashkiakëve të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim rrezikojnë të shkojnë për ndjekje penale. Gazeta ka mësuar se kryebashkiakët e dalë fitues nga zgjedhjet vendore të 30 qershorit kanë vendosur të fusin në skaner të gjithë administratën, sidomos në ato bashki që deri më dje janë administruar nga opozita. Sipas informacioneve, në disa bashki si ajo e Gjirokastrës, Përmetit, Devollit, Shkodrës, Lezhës, etj., kryebashkiakët e rinj kanë urdhëruar nisjen e auditit për të gjithë vendimet e dhëna nga paraardhësit e tyre, si dhe për drejtorët e bashkive që drejtojnë. Mësohet se fillimisht kryebashkiakët kanë “ngrirë” kompetencat e drejtorëve në bashkitë e opozitës, në mënyrë që ata të mos kishin mundësi që të mbulonin zullumet gjatë kohës që punës së tyre po iu bëhej auditi. Ndërkohë që, mësohet se pas kontrollit shumica e drejtorëve të pezulluar nga detyra janë shkarkuar nga detyra, pasi raporti auditit të brendshëm, ka konstatuar shkelje të rënda për ta gjatë kohës që ata kanë qenë në detyrë. Sipas informacioneve, mësohet se shumica e shkeljeve ka pasur lidhje me keqmenaxhimin e fondeve dhe investimeve, si dhe punësimet pa kriter. Natyrisht që në këtë lëvizje nuk përjashtohet as shkarkimi i sfondit politik, duke qenë se postet e drejtorëve në shumicën e rasteve janë poste politike dhe jo administrative. Nga ana tjetër, gazeta mësoi se e njëjta situatë do të vijojë edhe në ditët në vijim, ku shumë drejtorë pritet që të shkarkohen, duke qenë se raporti i auditit i ka gjetur me shkelje. Megjithatë, një sinjal se drejtorët nuk do të kenë më vend në ato bashkitë që deri më dje administroheshin nga PD dhe LSI e dha edhe vetë kryeministri Edi Rama. Ky i fundit mësohet se gjatë mbledhjes që pati ditën e djeshme me drejtorët e Shkodrës, bashki kjo e drejtuar nga Partia Demokratike iu kërkoj atyre që të dorëhiqeshin, pasi në të kundërt nuk do të nguronte që t’i shkarkonte në bllok.

Kryebashkiakët dhe drejtorët rrezikojnë ndjekje penale

Interesant është fakti se disa nga ish-kryebashkiakët e opozitës dhe drejtorët e bashkive të administruara nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim rrezikojnë të ndiqen penalisht. Gazeta kontaktoi me disa nga kryebashkiakët e rinj, të cilët kanë marrë drejtimin e bashkive të opozitës, të cilët garantuan se përveç shkarkimit, drejtorët, të cilët auditi i ka gjetur me shkelje do të kallëzohen edhe penalisht. Po ashtu, mësohet se e njëjta skemë do të ndiqet edhe për ish-kryebashkiakët, për të cilët do të kërkohet ndjekje penale, duke qenë se në bashkitë e drejtuara prej tyre janë konstatuar me dhjetëra shkelje. Nga ana tjetër, mësohet se kryebashkiakët e rinj janë të vendosur për të zbatuar me rigorozitet porositë e kryeministrit Edi Rama për të mos larguar apo shkarkuar nga puna asnjë femër apo grua në bashkitë e drejtuara nga opozita. Sakaq, të njëjtët burime theksuan për gazetën se në skaner do të futen edhe nëpunësit e thjeshtë. Mësohet se ata nëpunës, të cilët janë emëruar politikisht apo që nuk kanë lidhje me pozicionin e punës ku janë do të largohen apo shkarkohen. Po ashtu, mësohet se të njëjtin fat do të kenë edhe ata nëpunës, të cilët u implikuan në djegien e KZAZ-ve, të cilët pritet të shkarkohen. Ndërkohë që, mësohet se ata nëpunës të cilët plotësojnë kriteret e arsimit dhe që janë emëruar në punë në bazë të meritës, nuk do të largohen nga puna. Ndërkaq, mësohet se kryebashkiakët e rinj kanë porositur vartësit e tyre që nëpunësit e thjeshtë që janë militantë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, të integrohen brenda Partisë Socialiste. Megjithatë, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here