Naim Berisha: Artistët nëpërkëmben nga politika e institucionet, në teatër mungon sistemi i vlerës

0
521

Artistët shprehen se janë të nëpërkëmbur nga politika, iu mungon liria dhe janë të kufizuar për jetën artistike. Përballë problemeve me të cilat përballen çdo ditë, artistë të ndryshëm pohojnë se edhe mungesa e transparencës është e shprehur dhe tek shpërndarja e fondeve për projektet artistike. Në intervistën për “SOT” aktori Naim Berisha shprehet se ndodh një anomali kur Ministria e Kulturës nuk konsultohet me artistët, gjë që ka ndodhur në jetën artistike. Për aktorin Naim Berisha, artistët qoftë në Kosovë apo Shqipëri, kanë nevojë për një trajtim më të dinjitetshëm ligjor dhe institucional. Nga Kosova, aktori Naim Berisha iu bashkua artistëve në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Pak ditë më parë ishte në skenën e teatrit me monodramën “Artisti i vetëm”. Sipas tij, nëpërmjet mesazheve që përcjell vepra teatrore, “Artisti i vetëm” jo vetëm që u solidarizua me kauzën e artistëve, që janë vënë në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, por ishte dhe inkurajim që ata të vazhdojnë luftën deri në fund.

-Me qëndrimin tuaj ju jeni shprehur në mbrojtje të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Sa rëndësi ka për ju teatri dhe si e keni parë deri tani qëndrimin e artistëve?

Kjo ndërtesë është më shumë se një objekt kulture, është një objekt historik (sepse brenda këtyre mureve, për herë të parë ka qenë i vendosur institucioni i Teatrit Kombëtar të Shqipërisë).Vendimi për rrënimin e tij është një gabim, kurse rrënimi do të ishte gabim historik. Mbrojtja e tij nuk është detyrë vetëm e artistëve, por e të gjithë qytetarëve shqiptar. Deri më tani artistët dhe qytetarët e kanë mbrojtur me dinjitet këtë kauzë dhe duhet të vazhdojnë ta mbrojnë. Paradoksi është se në këtë objekt, vërehet se nuk është investuar, sidomos në interier, teknikë dhe inventar, megjithatë parametrat skenik janë fantastik, sidomos akustika dhe ngrohtësia që skena e këtij teatri ia ofron aktorit. Unë mendoj se me një investim prej 200 mijë ose 300 mijë eurosh nga qeveria, ky teatër do të kishte parametra të shkëlqyeshëm për të zhvilluar aktivitetin skenik.

-Me monodramën “Artisti i vetëm” ju ishit para disa ditësh në skenën e Teatrit Kombëtar dhe iu bashkuat artistëve që kërkojnë mbrojtjen e teatrit. Sa rëndësi kanë për ju mesazhet që përcollët përmes kësaj vepre në Tiranë?

Kjo shfaqje përcjellë mesazhin e një artisti të braktisur dhe të persekutuar, i cili edhe pse rrethanat e jetës e sjellin në gjendje ekzistenciale, nuk heq dorë nga parimet e tij duke i qëndruar besnik atyre parimeve deri në fund. Nëpërmjet këtij mesazhi “Artisti i vetëm” jo vetëm që u solidarizua me kauzën e artistëve, që janë vënë në mbrojtje të objektit të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, por i inkurajoi ata të vazhdojnë luftën deri në fund, madje edhe nëse ngelin të vetëm, sepse artisti i vërtetë e ka për detyrë të vihet në ballë të kauzave të mëdha, duke mos marrë parasysh çmimin, që duhet të paguaj.

-Ka nisur Festivali në Mbrojtje të Teatrit, si e keni parë deri tani zhvillimin e tij dhe mesazhi juaj për artistët, që marrin pjesë?

Festivali e ngriti rezistencën fizike në rezistencë artistike, duke i dhënë një dimension të ri kësaj kauze, dimension ky shumë më i fuqishëm në dobi të sensibilizimit qytetar për rëndësinë që ka ky objekt dhe nevojën e mbrojtjes së tij. Ky festival ndër të tjera dha mesazhin se edhe në kushte të jashtëzakonshme kur nuk ka dritë dhe ujë, zëri i artistit nuk mund të ndalet e aq më pak të shuhet.

-Jeni aktor dhe pjesë e komunitetit artistik, me çfarë përballen artistët sot në jetën artistike?

Artistit sot i duhet drejtësi dhe liri më shumë se gjithçka tjetër, për shkak se ai është i nëpërkëmbur nga politika apo nga ata që janë vënë në shërbim të politikës dhe kanë marrë udhëheqjen e institucioneve artistike. Artistin që të jetë produktiv duhet lënë që të funksionoi brenda lirisë së tij vepruese. Me gjithë potencialin e tij, artisti real sot është i kufizuar sidomos në aspektin material. Prandaj një artisti të kufizuar i mungon liria e gjurmimit të botës se pakufishme të artit dhe kjo po ndodh për shkak të mungesës së drejtësisë dhe lirisë së tij.

-Çfarë mund të na thoni për jetën artistike në Kosovë, si zhvillohet ajo kur flasim për aktivitetin me teatrin?

E kam thënë dhe e përsëris se përderisa në Shqipëri është në rrezik rrënimi i objektit të Teatrit Kombëtar, në Kosovë ky teatër është shemb nga brenda, sepse është rrënuar sistemi i vlerave dhe konkurrenca e shëndoshë brenda tij. Një institucion skenik shembet nga brenda, kur antivlera prezantohet si vlerë brenda tij.

-Ministritë tona të Kulturës në Shqipëri dhe Kosovë çdo vit nënshkruajnë një kalendar artistik. Ju si e keni parë dhe çfarë impakti ka pasur në jetën artistike?

Ky kalendar më shumë është formal dhe ceremonial se përmbajtjesor, prandaj nuk ka pasur efekt faktik dhe nuk ka prodhuar ndonjë bashkëpunim të frytshëm dhe të suksesshëm deri më tani.

-Çfarë do të donit që të bëhej më shumë për këtë kalendar artistik?

 Mendoj se para se të merret iniciativa për nënshkrimin e një kalendari të tillë, do të duhet të fillojë një bashkëpunim i planifikuar dhe efektiv i institucioneve homologe kulturore, përfshirë dy teatrot tona kombëtare, ku do të kishte këmbim të stafeve artistike, veprave skenike, stafeve tekniko – artistike, organizim të punëtorive të përbashkëta etj, ndërkaq kalendari i përbashkët do të kishte për qëllim vetëm mbledhjen e fryteve, të këtij bashkëpunimi përmbajtësor ndërinstitucional.

-Meqë po flasim për teatrin në vend si në Shqipëri apo dhe Kosovë, çfarë ka munguar sipas jush dhe sa është bërë deri tani?

Deri më tani sidomos në Teatrin Kombëtar të Kosovës ka munguar sistemi i vlerës, transparenca, llogaridhënia dhe respektimi i ligjit, faktorë këta krucial që përcaktojnë kualitetin e produktit final skenik dhe përformancën e institucionit në përgjithësi. Kurse në relacion të dy teatrove kombëtare, ka munguar bashkëpunimi i mirëfilltë artistik, me përjashtim të dy- tre rasteve ku janë përfshirë përfaqësues klanesh respektive.

-Në Shqipëri pohohet që mungon vepra shqipe në skena, nuk ka hapësira sa duhet. Për ju sa rëndësi ka drama shqipe dhe çfarë duhet të bëjë më tepër Ministria e Kulturës si dhe teatrot?

Dramat shqipe ose më saktë dramat e autorëve shqiptarë, është e nevojshme të inskenohen në teatrot tona, ndër të tjera edhe për shkak të tematikave që ato trajtojnë, të cilat janë të lidhura për vendin, popullin, historinë, traditën dhe mbi të gjitha problematikat që po kalojmë ne si shoqëri e ku vënia e tyre në skenë do të kishte impakt të pazëvendësueshëm tek publiku. Por jo domosdoshmërisht këto drama duhet të inskenohen vetëm pse janë të shkruar në gjuhën shqipe dhe nga autorë shqiptar, por vetëm nëse janë në nivelin e duhur artistik. Duhet pranuar se drama kualitative shqipe nuk ka shumë, por shteti dhe institucionet arsimore universitare duhet të investojnë me shumë në këtë pikë, sidomos në investimin në autorët e rinj premtues, të cilët merren me dramën bashkëkohore shqipe.

-Artistët në Shqipëri shprehen se për probleme të ndryshme në aktivitetin artistik zëri i tyre nuk është dëgjuar. Sipas jush si ndikon kjo për artistët dhe si e keni parë deri tani rolin e Ministrisë së Kulturës?

Ata që e bëjnë dhe prodhojnë artin janë artistët dhe jo ministria, prandaj çdo vendim i marrë në mungesë të konsultimit sistematik dhe bashkëpjesëmarrjes së këtij komuniteti është dhe do të jetë në dëm të artit. Personalisht mendoj se shteti duhet të dencentralizojë çështjen e mbështetjes financiare për artin dhe kulturën, duke hartuar dhe miratuar ligje efektive për sponsorizim të projekteve dhe aktiviteteve artistike.

-Ministria e Kulturës akuzohet dhe për mungesë transparence nga artistët, çfarë sjell kjo?

Këtu ndodh një anomali ku ministria nuk konsultohet me artistët as për emërimet, që bën në institucionet kulturore, as në rastin e hartimit të akteve të ndryshme normative, që kanë të bëjnë me teatrin,por më së shumti këto keqpërdorime dhe kjo mungesë e transparencës është e shprehur tek shpërndarja e fondeve për mbështetjen e projekteve artistike. Në këtë rast nëpërmjet qasjes së saj ministria, në vend që të jetë në shërbim të artistëve, ajo me metoda manipulative i ka kthyer artistët në shërbim të vetin. Kurse ata që nuk pranojnë të jenë shërbëtorë i largon nga sistemi duke mos i mbështetur.

-Me këto probleme që ju tashmë jeni në dijeni se keni qenë dhe në Tiranë, sa të mbrojtur janë artistët dhe sa përgjegjësi ka Ministria e Kulturës, që harton dhe politikat në art dhe kulturë?

Artistët qoftë në Kosovë apo Shqipëri, kanë nevojë për një trajtim me të dinjitetshëm ligjor dhe institucional. Kjo nënkupton se është i domosdoshëm hartimi i një sërë ligjeve, që rregullojnë çështjen e të drejtave të artistëve dhe funksionimit më efiçent të institucioneve artistike.

-Artistët pohojnë se edhe ato buxhete që ndan Ministria e Kulturës, që janë te projektet e pavarura janë shumë pak. Sipas tyre me ato buxhete nuk bëhet dot një shfaqje teatrore dhe duhet të ketë prioritete për teatrin. Ju si e shikoni këtë problem?

 Gjithsesi shteti duhet të tregojë vëmendje më të theksuar në këtë pikë, duke rritur buxhetet në këtë fushë dhe shkallën e transparencës në shpërndarjen e këtij buxheti, në mënyrë që të bëhet i mundur subvencionimi i atyre projekteve, që kanë më shumë vlera.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here