“Nusja dhe shtetrrethimi” në Viennale të Austrisë, Kristaq Mitro: Film me parametra europianë

    0
    456

    Filmi “Nusja dhe shtetrrethimi” prodhim i vitit 1978 do të shfaqet në Viennale të Austrisë. Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit njofton për bashkëpunimin me Viennale dhe Austrian Film Museum në retrospektivën Pan-European O PARTIGIANO. Fotoja nga shesh xhirimi i filmit u përzgjodh nga Viennale për të ilustruar retrospektivën O PARTIGIANO, që do të mbahet në Vjenë nga data 25 tetor deri në 4 dhjetor 2019. Filmi me skenar nga Helena Kadare dhe realizuar nga regjisorët Kristaq Mitro dhe Ibrahim Muçaj gjithashtu do të jetë pjesë e programit të filmave europianë me temë nga Lufta e Dytë Botërore. Filmi do të shfaqet në Viennale në datat 2 dhe 30 nëntor. Si një nga regjisorët e filmit Kristaq Mitro shprehet se “Nusja dhe shtetrrethimi” do të shfaqet bashkë me prodhime të tjerë filmash, që janë të njohur në kinematografinë botërore. “Në kinematografinë shqiptare ky film për mua përfaqëson një kinema shumë të mirë, që shumë mund ta ëndërrojnë, por nuk e kanë bërë dot. “Nusja dhe shtetrrethimi” shfaqet bashkë me filmin “Kozara”, që është një nga më të mëdhenjtë që ka bërë Europa për Luftën e Dytë Botërore, dhe ata në Viennale e kanë zgjedhur njësoj siç kanë zgjedhur filmin tim. Është vlerë kjo për mua si regjisor, nga Viennale më kanë nisur dhe një relacion ku më përshëndesin”, pohon regjisori i njohur Kristaq Mitro. Por dhe AQSHF, që më herët lajmëronte bashkëpunimin me Viennale dhe Austrian Film Museum në retrospektivën Pan-European O PARTIGIANO, thekson se duhet dixhitalizuar fototeka e pasur e arkivit. “Jemi tmerrësisht të lumtur pasi si imazh i kësaj retrospektive unike për 80- vjetorin e fillimit të Luftës së Dytë Botërore, u përzgjodh një moment pune nga xhirimi i filmit “Nusja dhe shtetrrethimi”. Ndaj duhet dixhitalizuar e studiuar fototeka e pasur e AQSHF-së! Këtë imazh e risollëm në vëmendje në botimin e 2016 mbi posterin shqiptar. Puna s’humbet asnjëherë! Shpresojmë një ditë të kemi mundësinë ta ripublikojmë këtë libër, që kërkohet vazhdimisht dhe vijon të bëjë eko si brenda dhe jashtë Shqipërisë”, shprehet AQSHF, ndërsa ka publikuar dhe posterin e filmit që do të shfaqet në Viennale.

     Prodhimi i filmit

    Viennale ku do të shfaqet “Nusja dhe shtetrrethimi” është ngjarja më e rëndësishme ndërkombëtare e filmit në Austri. Por regjisori Kristaq Mitro tregon se filmi është me parametra evropiane. ““Nusja dhe shtetrrethimi” në fillim sa u prodhua menjëherë pati reaksionin e tmerrshëm se çfarë është ky film, ky është kapitullimi jonë ndaj gjermanit etj, e bënë copë filmin. Por në 12 të natës pas dy ditësh kishte ardhur Manush Myftiu, që pa filmin fshehurazi pa na thënë gjë ne. Dhe më pas kur ai foli tha që ky është një film me vlera të mëdha, që na përfaqëson ne, sepse ne kemi luftuar me një armik të egër. Pasi ai foli, pas 15 minutash ku mbaroi mbledhja erdhën dhe më përqafuan shokët. Ai është një film me parametra europianë mbi mënyrën se si është prodhuar, çfarë niveli ka. Por për atë film nuk është folur asnjëherë dhe më vjen keq për këtë”, tregon regjisori Mitro. Por regjisori kujton edhe fjalët e Pirro Manit për filmin, që e kishte cilësuar ndryshe nga kinemaja shqiptare e atyre viteve. “Kur u shfaq filmi e pa dhe Pirro Mani, i cili më tha që ky film është ndryshe nga kinemaja shqiptare, që kemi parë deri tani”, shprehet Kristaq Mitro. Por “Nusja dhe shtetrrethimi” mori atë kohë dhe vlerësimin e shkrimtarit Ismail Kadare. “Kur e ka parë filmin Ismail Kadare në premierë që ishte bashkë me Helenën që është skenariste më tha: Ke bërë një film të madh”, kujton regjisori. Filmi “Nusja dhe shtetrrethimi” u përzgjodh në Viennale, por regjisori Kristaq Mitro kujton dhe fjalët e regjisorit Piro Milkani. “Piro Milkani e kishte marrë vesh që filmi ishte përzgjedhur në Viennale dhe kur erdhi nga festivali i Sarajevës më tha: bravo, puna e mirë dhe bukur nuk humbet, mbaje mend nga unë”, tregon regjisor Kristaq Mitro, që do të jetë dhe vetë në Vjenë të Austrisë gjatë ditëve kur do të shfaqet filmi. “Nusja dhe shtetrrethimi” ka në role aktorë të njohur. Me regjisorë Ibrahim Muçaj dhe Kristaq Mitro, skenari Elena Kadare, muzika Kujtim Laro, në role janë Rajmonda Bulku- Shpresa, Llazi Serbo- kapiten Edgar, Thimi Filipi- xhaxha Jani karrocieri, Sotiraq Bratko- Petriti, Kastriot Çaushi- Fatmiri, Gjergj Lala- Gjergji, Marta Burda- bashkëshortja e xhaxha Janit, për të vijuar dhe me akotret Behije Çela, Pavlina Mani, Zyliha Miloti, Vitore Nino, etj. Shpresa shkon në një shtëpi bashkëpunëtorësh të fashizmit për të shitur qëndisma dhe kryen një atentat të rëndësishëm. Pas kësaj i duhet të dalë në ilegalitet e veshur si nuse. Për këtë ajo ndihmohet nga shokët me të cilët ka bashkëpunuar për atentatin. Kështu Shpresa shpëton nga shtetrrethimi.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here