Skandalet e Fondit “Besa”, ja si shmangu detyrimet përmes statusit fondacion dhe lufta e Fullanit për ta kthyer në ligjshmëri

0
446

Dalin në dritë të tjera detaje nga Fondi Besa. Gazeta ka ndërmarrë një cikël shkrimesh për të treguar se si ky fondacion u krijua përmes manovrave ligjore dhe pas gati 20 vitesh vijon të jetë problematik. Pak ditë më parë u përfshi në një skemë mashtrimi 3.7 milionë euro. Por mënyra se si ky fond është kthyer në një institucion kredidhënës është mjaft e dyshimtë. Në bazë të fakteve që disponon gazeta, ka pasur një luftë të madhe politike, ku janë përfshirë emra me peshë, për ta mbrojtur Fondin Besa dhe për ta kthyer atë në një biznes të ligjshëm. Fillimisht u krijua Fondacioni Soros, më pas ky krijoi Fondacionin Besa, më pas u krijua Fondi Besa dhe në fund BESA sh.a. Gazeta tregoi pak ditë më parë se si u operua për muaj me radhë pa licencë. Por ishte Guvernatori Ardian Fullani, ai i cili e ndihmoi fondin në fjalë të hynte në ligjshmëri. Gruaja e Fullanit, ish-gjyqtarja Arjana Fullani ishte drejtuese në Fondin Besa, pra edhe pse kemi pasur një konflikt të pastër interesi, Banka e Shqipërisë në atë kohë i dha licencë Fondit Besa duke shkelur hapur ligjin. Edhe pse ligji e ndalon kalimin nga një fondacion në një institucion financiar, Fullani e lejoi diçka të tillë.

Taksat

Gazeta do të tregojë sot me fakte se si në fillimet e saj Fondi Besa operoi pa licencë, por dhe duke shmangur detyrimet financiare ndaj shtetit. Sipas dokumenteve që disponon gazeta, George Soros hodhi 1 milionë dollarë dhe qarkulloi 228 milionë dollarë. Arsyeja se si arriti Soros të arrijë një fitim 22800% (228 herë më të lartë) është e thjeshtë: Qeveritë Shqiptare në vite i dhuruan atij dhjetëra milionë dollarë të shqiptarëve, i dhanë hua të paligjshme para të ndërkombëtarëve të destinuara për Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe mbi të gjitha i dhanë favore të papara fiskale krejtësisht favorizuese duke shkelur parimet e tregut të kreditit në dëm të subjekteve të tjera të mikrokreditit. Fondacionin Besa do të operonte si një entitet juridik që vepron si organizatë joqeveritare, jo politike dhe jo fitimprurëse, në përputhje me legjislacionin shqiptar. Fondacioni “Besa” filloi aktivitetin e tij në Maj 1999 me V.K.M, Nr.207 datë 28.04.1999 kur projekti i Mikrokredisë Urbane (filluar që prej vitit 1994) u transferua tek Fondacioni “Besa” me themelues Fondacionin “Soros”. Pra siç edhe shikohet në rastin konkret ky fondacion ka filluar aktivitetin e tij nëpërmjet fondeve të mara nga donatorët, dhe një fondi të derdhur nga shteti shqiptar. Në fakt, donatori kryesor është shteti shqiptar, i cili në mënyrë të papërgjegjshme i ka falur miliona dollarë këtij fondacioni. Ndërkohë që Themeluesi i këtij fondacioni, Soros, ka derdhur vetëm 1 milion USD në 19 maj të vitit 1999. Por në fillimet e veta,

Fondacioni Soros nuk ka pranuar të derdhë tatimin e fitimit për të ardhurat që fitonte nga kreditimi i bizneseve, fitim i cili sigurohej nga përqindja e lartë që ky fondacion merrte. Duke mos pranuar që të derdhnin këto të ardhura në bazë të ligjit “Për organizatat jofitimprurëse”, në të cilin sipas nenit 2 përfshihen dhe fondacionet, Fondacioni Besa për thuajse katër vjet rresht nuk i paguante detyrimet shtetit shqiptar. Por meqenëse ligji i mësipërm nuk i përjashton këto organizata (edhe pse janë të tilla ) nga detyrimet fiskale, ky fondacion duhet të paguante tatimin mbi fitimin. Sipas ligjit nr.8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” në nenin 18 të të cilit janë parashikuar përjashtimet, nuk ka rezultuar që Fondacioni Besa të jetë i përfshirë në ndonjërën prej kategorive të përjashtuara. Ky fondacion në mënyrë absurde ka pretenduar se qëllimi i krijimit të tij këtij fondacioni kishte të bënte me qëllime bamirëse dhe edukuese, kur në të vërtetë ka zhvilluar aktivitet të mirëfilltë ekonomik, aktivitet i cili i ka sjellë të ardhura kolosale këtij fondacioni.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here