Enkeleda Kamani, në operën “Rigoletto” në teatrin “La Scala”

0
492

Në operën “Rigoletto” në teatrin “La Scala” u ngjit në skenë edhe sopranoja shqiptare Enkeleda Kamani. Sopranoja vjen me rol në opera në vijim të karrierës së saj, që deri tani ka gjetur vlerësime. Drejtoresha e Teatrit të Operës dhe Baletit, Zana Çela, shkruan se një tjetër yll i ri shënon lajmin e madh në botën operistike. “Sonte në “La Scala” në premierën e operës “Rigoletto”, Leo Nuci, legjenda italiane e operës, zgjodhi të ketë në krah në rolin kryesor Gilda, sopranon 26 vjeçare Enkeleda Kamani. Jam e bindur se roli i Gildës në premierën e sotme do mbesë një pikënisje e fortë e karrierës ndërkombëtare të Enkeledës. Emocionet e zemrës tënde do i ndjej dhe unë sonte, fort!”, shkruante një ditë më parë drejtoresha e TOB. “Rigoletto” është një opera me tre akte, nga Giuseppe Verdi mbështetur mbi libretin e Francesco Maria Piave, ky i fundit i trajtuar sipas dramës së Viktor Hygo, Le Roi s’amuse (“Il re si diverte”). Për herë të parë është vënë në skenë në 11 mars të vitit 1851 në teatrin “La Fenice”, të Venecias. Giuseppe Verdi (1813-1901) është kompozitori më i njohur i operës italiane, jo vetëm i shekullit të XIX. Ai mbetet si njëri ndër kompozitorët më të njohur të botës në historinë e operës. Verdi u lind me 10 tetor 1813 në fshatin La Ronkole të Italisë Veriore, në një familje të varfër. Prirja dhe dashuria e tij për muzikën u shfaqën qysh herët, por shkollimi qe i vështirë. Verdi kompozoi 26 opera dhe një rekuiem të njohur. Të gjitha operat nuk kanë përmbajtje të përhershme. Në fillim dhe në mbarim të jetës së tij kompozoi opera komike, ndërsa pjesa tjetër (shumica absolute) kanë një përmbajtje serioze dhe disa janë edhe tragjedi. Operat më të njohura, të cilat radhiten ndër kryeveprat e muzikës operistike të botës janë: “Nabukodonozor”, “Rigoletto”, “Trubaduret”, “Traviata”, “Ballo me Maska”, “Aida”, etj. Në historinë e gjatë të operës Verdi zë vend nderi, sepse arriti të bashkojë traditat më të bukura të operës italiane. Të mbetet thellësisht kombëtar, tu shmanget elementeve negative të operës italiane, të absorboj elementët pozitivë, që ishin shfaqur në artin e operës në shekullin e XIX, madje edhe disa elemente të reformës së Vagnerit dhe të realizimit të letërsisë së kohës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here