Falimentimi i “Veneto Banka”, ja si BSH mashtron me procedurat, në Shqipëri nuk u veprua si në Itali

0
354

Dalin në dritë të tjera detaje nga skandali me falimentimin e bankës italiane “Veneto”. Nga faktet që disponon gazeta, janë luajtur dy standarde që kanë prekur interesat e klientëve të bankës. Ka një kalim të rregullt mes dy bankave për këto kredi si dy banka shqiptare për të cilën Banka e Shqipërisë i referohet ligjit për bankat me aktet ligjore dhe nënligjore. Por kalimi i kredive jashtë territorit shqiptar, në një subjekt falimenti, jo bankë, është një anashkalim me dashje që ka bërë Banka e Shqipërisë. Të nxjerrë ku e ka në rregullore këtë që të dërgojë jashtë territorit shqiptar kredi. Pak ditë më parë gazeta tregoi se si Ministria e Drejtësisë i kërkoi sqarime Bankës së Shqipërisë, mbi marrëveshjen për transferimin dhe ritransferimin e kredive ndërmjet “Veneto Banka S.P.A” (Itali), në likuidim të detyruar administrativ dhe “Veneto Banka sh.a” (Shqipëri). Banka e Shqipërisë i është përgjigjur Ministrisë së Drejtësisë duke theksuar: “Kjo marrëveshje është një proces i ndërmjetëm, pasi kreditë me probleme i kanë kaluar përfundimisht “Societa per la Gestione di Attivita” (SGA S.P.A). Kalimi i kredive është një marrëdhënie juridiko-civile i parashikuar në nenet 499-507, të Kodit Civil, ku Banka e Shqipërisë nuk ka rol aktiv në rastin e kalimit të kredisë dhe nuk jep miratime paraprake për kalimin e kredive. Banka e  Shqipërisë ka kërkuar respektimin e dispozitave të Kodit Civil, në rastin e kalimit të kredive, Kredimarrësit/ debitorë, ku shqetësimet e tyre duhet t`i zgjidhin me kreditorin e tij, pasi lidhet drejtpërdrejtë me marrëdhënien juridiko-civile të detyrimit, për të kthyer principalin bashkë me interesat”. Por në Itali ishte faliment, ndërsa në Shqipëri përthithje. Pse Gent Sejko citon Kodin Civil, kur nuk kemi procedurë kalimi kredish, por ikje në drejtim të paditur pa procedura? Nëse e ka bërë me procedura, të na e tregoje por jo të na citojë Kodin Civil.

Si u shkel rregullorja

Banka e Shqipërisë nuk ka marrë asnjë masë që të zbatohet rregullorja e nxjerrë prej saj për kreditë e këqija. Kjo bankë u ka dërguar bankave të nivelit të dytë një rregullore që duhet të ndjekin për kreditë me probleme. Klasifikimet janë disa dhe në çdo rast parashikohen veprime dhe masa të ndryshme për të rimarrë raportin, pra që ajo të kthehet në një “kredi standarde”. Asnjë banke të nivelit të dytë nuk i intereson që ta klasifikojë një kredi direkt në të keqe dhe që më pas të merret me procedura “administrim pronash kolaterale të sekuestruara”. Në çdo stad të kredive në risk, negociohet midis palëve, pra mes bankës dhe klientit. Ndërkohë, debitori njoftohet nëpërmjet letrave të vonesës për detyrimet në kohë reale, si dhe ftohet të paguajë ose të reagojë ndaj vonesave në pagesë. Kështu parashikohet në rregulloren që ka hartuar vetë BSH. Por sa është zbatuar kjo strategji? Klientët e “Veneto Banka” nuk janë njoftuar aspak për vonesat dhe me ta nuk është negociuar për ristrukturimin e kredive. Direkt i kanë klasifikuar si të këqija. Në derën e Gent Sejkos janë me dhjetra klientë të “Veneto Banka” që kanë trokitur për të kërkuar sqarime, por askush nuk ka mbetur i sqaruar. Shumë janë kthyer mbrapsht duke ju thënë se kredia e tyre figuron e shitur dhe të dhënat nuk figurojnë më. Sipas kontratës që “SGA” ka firmosur me “Tranzit”, në lojë duket se është dhe BSH. Madje italianët janë shprehur se e kanë kontraktuar “Tranzit” sepse ajo sipas BSH, është një kompani që mbikëqyret prej tyre. A e mbikëqyri BSH kompaninë “Tranzit”? Kjo kompani figuron e regjistrua në kompani off shore dhe dyshohet për lidhje me rusët. BSH është institucioni që kishte në dorë gjithçka. Në vendimin që ka firmosur Gent Sejko për falimentimin e “Veneto Banka”, angazhohet se do ndjekë me kujdes gjithë procesin. Deri më tani nuk na rezulton diçka e tillë.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here