Aksioni kundër informalitetit, ja ndryshimet që priten në ligj, mbyllje aktiviteti deri në pagimin e gjobave

0
319

“Përqendrimi në fushën e hidrokarbureve përgjatë aksionit antiinformalitet erdhi pasi ky sektor, pavarësisht shtimit të të ardhurave, ka sjellë ulje të ndjeshme të deklarimit të tyre”, u shpreh gjatë një interviste televizive drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj. Sipas saj, aksioni nisi pasi u evidentuan disa pika të cilat operonin jashtë rregullave: punonin në regjim manual, jo në regjim automatik. Gjithsej janë kryer 703 kontrolle në karburante. “Informaliteti është një problem që e ka prekur ekonominë shqiptare prej shumë vitesh. Ne kemi dashur të përqendrohemi në ato subjekte që figurojnë me risk. Ne nuk shkojmë kudo, po aty ku ne mendojmë se ka shumë informalitet. Kemi konstatuar 40% të subjekteve me shkelje, por kjo nuk do të thotë se ka 40% informalitet”, tha ajo. Më tej drejtoresha u shpreh se gjatë muajit gusht plani u realizua dhe u tejkalua. Sipas saj, realizimi i tatimit mbi vlerën e shtuar ka pasur një rezultat shumë të lartë.Ajo tha se nga shtatori do të rishikohet ligji i cili do të synojë që gjobat që mbyllin bizneset në shkelje të mos zgjasin 30 ditë, por derisa detyrimet të paguhen.“Secila prej strukturave shtetërore duhet të funksionojë sipas ligjit. Gjykata në disa raste i kanë hedhur poshtë gjykimet tona, në paligjshmëri. Gjykatat duhet të mbështesin planin tonë dhe jo të dalin kundër … dhe për të mos i lënë në dorë të gjykatave jemi duke rishikuar ligjin i cili do të synojë që gjobat të mos përshkallëzohen dhe të mos shkojnë në bllokim të aktivitetit për 30 ditë, por derisa detyrimet të paguhen. Nuk kemi për qëllim të mbyllim bizneset”, tha Ibrahimaj.Ibrahimaj tha se nëpërmjet planit që ka ndërmarrë institucioni që ajo drejton do të kalohen në sitë jo vetëm bizneset, por edhe punonjësit e administratës tatimore. Ajo u shpreh se denoncimet për punonjësit kanë ardhur edhe në aplikacionin “Stop Informalitetit”.“Nëpërmjet këtij plani nxisim subjektet për t’u deklaruar. Ne do kemi një fokus të shtuar drejt këtyre subjekteve duke filluar nga më të mëdhenjtë e duke shkuar tek më të vegjlit. Struktura e hetimit tatimor është ristrukturuar. Çdo inspektor dhe çdo punonjës është në sitë dhe ata që do të gjenden me shkelje dhe në abuzim do të largohen nga tatimorët. Këtë problematikë do përpiqemi ta bëjmë zero. Deri tani kanë ardhur shumë denoncime kundër informalitetit që denoncojnë jo vetëm bizneset në shkelje, por edhe inspektorët tatimorë”, përfundoi Ibrahimaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here