“Kumarxhiu”, me aktorët e teatrit “Migjeni” në skenën e Korçës

0
463

Shfaqja teatrore “Kumarxhiu” me aktorët e teatrit “Migjeni” të Shkodrës këtë mbrëmje është në festivalin “KoKoFest” në Korçë. Shkruar nga Carlo Goldon, përshtatja dhe regjia për në skenë janë nga Michele Modesto Casarin. Vepra teatrore me artistët e teatrit “Migjeni” pjesëmarrëse në këtë festival shënon dhe premierën në qytetin Korçës. Kjo shfaqje ka në role aktorë të njohur, ndërsa këtë mbrëmje do të jenë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi”. Festivali i komedisë “KoKoFest” ka disa net që ka nisur, duke sjellë shfaqje të ndryshme për publikun, por këtë mbrëmje vjen vepra e Carlo Goldon. Drejtoreshë e teatrit “Migjeni”, Rita Gjeka shprehet se kumari sot është plagë e shoqërisë. “Kumari është plagë e shoqërisë. Komedia vjen në një fazë për të cilën ne kemi nevojë për një mesazh të tillë. Diskreditohet kumarxhiu, që është plagë e shoqërisë sonë, por kjo vjen përmes humorit në shfaqje. Kur je kumarxhi i ke të tëra të zezat. Kumari të shkatërron familjen, por ka dhe të zeza të tjera që vijnë nga kumari”, shprehet Gjeka në reagimin e saj për këtë shfaqje teatrore. “Kumarxhiu” (Venecia 1750) është një nga komeditë e Carlo Goldoni-t që është lënë pas dore, gabimisht, pasi edhe sot mbart një aktualitet tronditës, me një tekst të rradhë, por pak e vlerësuar në traditën teatrore italiane. Varësia nga bixhozi, apo lojërat e fatit, që përfaqësohen përmes maskave të pa këndshme, ka qenë një temë shumë e rrahur në Europën e shekullit të XVIII-të, aktuale edhe në ditët e sotme. Bixhozi, shkruante Carlo Goldon, e çon njeriun në një gjendje të mjerueshme, bixhozxhinjtë mendjen e tyre e kanë të hutuar nga shpresa, të urryer kur fitojnë, qesharak kur humbin, pa miq, të sëmurë, të pakujdesshëm, tradhtar të vetes dhe të familjes. Një portretizim i pamëshirshëm thuhet në materialin e veprës, që përveç stigmatizimit të vesit, e zhvesh plotësisht psikologjinë e atij që bixhozin e ka bërë mënyrë jetese. “Përditshmëria e një bixhozxhiu është një realitet i keq që sillet vetëm nëpër ato vende ku vetëm humbet paranë, dashurinë dhe dinjitetin. Një komedi e idhët, që të bën të qeshësh, por mbi të gjitha të bën të mendosh”, thuhet për veprën. Vepra është shqipëruar nga Zija Vukaj, kostumet dhe skenografia nga Adnan Kastrati.

 Shfaqja në skenë

Komedia do të jetë në skenën e Korçës, por drejtoresha e teatrit “Migjeni” shton se synon, që “Kumarxhiu” të jetë dhe në teatro të tjerë. “Në e patëm premierën në Shkodër në muajin qershor në teatrin tonë, dhe është hera e parë që po jepet kjo shfaqje në një skenë tjetër. Ne mendojmë që me këtë shfaqje të jemi dhe në skena të tjera të Tiranës, Prishtinës, etj”, shprehet Rita Gjeka , drejtoresha e teatrit të Shkodrës. Maskat për komedinë janë punuar nga mjeshtri Stefano Peroçco di Meduna dhe për herë të parë bëhet në Shqipëri një shfaqje commedia dell’arte, që u shfaq më parë në teatrin “Migjeni”. Shfaqja vjen me interpretimin e Simon Shkrelit (Pantalone, Meniko), Linda Jarani (Rozaura), Indri Qyteza-Shiroka (Florindo), Fritz Selmani (Beatriçe), Vladimir Doda (Lelio), Jozef Shiroka (Tiburcio), Merita Smaja (Gandolfa), Zyliha Miloti “Mjeshtre e Madhe” (Kolumbina), Pjerin Vlashi (Brigela). Muzika është live, ku skena shndërrohet herë në kabare e herë në kazino, nën interpretimin e Rezarta Smajës dhe të muzikantëve. Shfaqja tregon për Florindon, kumarxhiun, i rrëmbyer nga vesi i kumarit. Ai bie në duart e Tiburcit një mashtruesi profesionist. Tek bixhozi gjen shkatërrimin e tij, humb të fejuarën Rozaurën, të dashurën Beatriçe, vetëm ndërhyrja e plakut Pantalone, që shtrëngon Lelion, ortakun e Tiburcit, ti kthej një pjesë të parave të fituara me mashtrim, që e do Florindon të shpëtoj nga rreziku i martesës me Gandolfën. 

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here