Zbardhen emrat, ja kush janë këshilltarët bashkiakë që po verifikohen për lidhjet me krimin, në skaner dhe një deputet i opozitës

    0
    309

    Pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, kanë dalë shumë fakte që vërtetojnë se personat që janë në institucionet shtetërore kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit. Pas rastit të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku dhe kandidatit socialist për Shkodrën, Valdrin Pjetri, të inkriminuarit kanë depërtuar edhe në këshillat bashkiakë. Gazeta ishte e para që deklaroi se 7 persona po verifikohen për shkak se kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit. Bëhet fjalë për 6 këshilltarë bashkiakë dhe një deputet të opozitës së re parlamentare. Më konkretisht, KQZ i ka kërkuar prokurorisë verifikim për këshilltarin e PS në Bashkinë Durrës, Alban Ramohitaj. Në formularin e dekriminalizimit që ka dorëzuar në KQZ, ai ka deklaruar se ka qenë i dënuar në vitin 2004 nga Gjykata e Durrësit me 2 muaj burg për veprën penale “Vjedhje e energjisë elektrike”. Po ashtu, këshilltari bashkiak i Durrësit ka deklaruar se ka marrë edhe një dënim me marrëveshje në Itali për përdorim patentë shqiptare jo të vlefshme në Itali. Por KQZ ka dyshime edhe për një tjetër këshilltar të PS. Mirush Dema, i cili është këshilltar bashkiak në Kamëz, ka deklaruar se është ndaluar në Gjenevë. Po ashtu ai ka deklaruar se është dëbuar nga Suedia dhe vendet e Bashkimit Europian deri në muajin tetor 2019. Po ashtu, KQZ ka kërkuar edhe verifikimin për këshilltarin bashkiak të Tiranës, Armand Rama. Në formularin e dekriminalizimit, ai ka deklaruar se është dëbuar nga Norvegjia për rreth një muaj në vitin 2012, pasi kishte tentuar të kalonte nga shteti nordik në drejtim të Anglisë me letra false italiane. Po ashtu, edhe këshilltari bashkiak i Gramshit, Geri Zogu ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit se është dëbuar nga Norvegjia për 4 vjet. Po ashtu, KQZ ka kërkuar verifikim edhe për figurën e këshilltarit bashkiak në Shkodër nga Partia Socialiste e Moderuar Arbis Vjerdha. Në formularin e dekriminalizimit ai ka deklaruar se është dënuar në Itali në vitin 2014 për veprën penale “Rrahje” dhe në vitin 2018 është dënuar nga Gjykata e Shkodrës për të njëjtën vepër penale. Ndërsa këshilltari i Partisë Social Demokrate në Lezhë, Erin Gjoni ka deklaruar se është dënuar me burgim nga Gjykata e Shkodrës dhe me gjobë prej 350 euro nga prokuroria italiane. Këto rrethana me deklarime të paqarta, nuk i lejojnë KQZ-së të dalë në përfundimin nëse deputeti dhe 6 këshilltarët duhet apo jo ta gëzojnë mandatin, ndaj kërkon verifikim të thelluar përpara se të marrin një vendim.

    Bilanci i dekriminalizimit

    Nga ligji i dekriminalizimit janë prekur shumë zyrtarë të lartë. Deri më tani, 6 deputetë janë larguar, 3 janë dorëhequr dhe 12 janë nën hetim për shkak se kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit. Por ky ligj preku edhe kryebashkiakët, nga të cilët 1 është shkarkuar nga detyra dhe 3 të tjerë janë ende nën hetim. Por edhe zyrtarët drejtues kanë qenë të prekur, ku 45 janë larguar, ndërsa zyrtarë të tjerë të larguar kanë qenë 110. Ligji i dekriminalizimit ka penalizuar edhe këshilltarët bashkiakë, ku 35 janë shkarkuar dhe 21 janë dorëhequr, duke vazhduar me kandidatët për deputetë, numri i të cilëve arrin deri në 18 që janë larguar. Por nga ligji i dekriminalizimit janë prekur edhe gjyqtarët, numri i të cilëve arrin në 5 të dorëhequr, ndërsa nëpunës publik lokalë të larguar kanë qenë 89. 

    Elisjeda Kiko

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here