Tjetër koncesion në horizont, ja si do i kalojë privatit ndërtimi i portit të jahteve në Kepin e Rodonit

0
403

Qeveria ka planifikur një tjetër koncesion. Pas Sarandës ku në datë 1 Gusht u hap gara për dhënien me koncesion 35 vite të portit turistik “Marina Limoni”, do të jepet me PPP edhe një port jahtesh në Kepin e Rodonit. Ministria e Infrastrukturës e ka shpallur duke specifikuar edhe kriteret e përzgjedhjes së fituesit që do ndërtojë portin e jahteve Marina Rodon për 35 vite. Porti është projektuar të ndërtohet në vijën bregdetare jugore të Gjirit të Drinit, rreth 7 km larg Kepit të Rodonit. Afati kohor për dorëzimin e ofertave ose kërkesave për pjesëmarrje është data 6 shtator 2019. Sipas ministrisë, porti i jahteve “Marina Rodon” është parashikuar të ndërtohet në bregun lindor të Adriatikut të Jugut, në Gjirin e Rodonit i cili bën pjesë në Gjirin e Drinit si njësia fiziografike më e madhe e bregdetit shqiptar. Përgjatë vijës bregdetare të kësaj njësie, rreth 83 km e gjatë, që kufizohet në veri me Kepin Mendre (Ulqin) dhe në jug me Kepin e Rodonit, ndodhen edhe grykëderdhjet e lumenjve Drin i Lezhës, Mat e Ishëm si dhe lagunat e Vilunit, Kune-Vainit e Patokut. Pozicioni i propozuar ka thellësi të favorshme për strehimin e mjeteve lundruese me zhytje deri 5,5 metra. Porti do të ndërtohet krejtësisht i mbrojtur nga erërat dhe deti, duke krijuar një mbrojtje me anë të ndërtimit të dallgëpritëseve përkatëse dhe duke zbatuar standarde e norma me të cilat ndërtohen dhe shfrytëzohen aktualisht portet në Evropë dhe në vende të tjera të zhvilluara. Po sipas ministrisë, vendi i përzgjedhur kërkon ndërtimin e infrastrukturës përkatëse për zhvillimin e aktivitetit, ku përfshihet lidhja me rrjetin ekzistues rrugor me një gjatësi rreth 1,5 km, rrjeti furnizimit me energji elektrike, ujë, kanalizime. Ofertuesi duhet të marrë përsipër shmangien ose zbutjen e impakteve sociale e mjedisore duke kryer një vlerësim të tyre dhe duke shpjeguar efektet që do të ketë Porti Turistik “Marina Rodon”, duke paraqitur një studim nga një ekspert ose studio e licencuar në lidhje me impaktin mjedisor dhe social që do të ketë ndërtimi dhe zhvillimi i këtij projekti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here