“Veneto Banka”, qeveria i jep goditje Gent Sejkos për “Tranzit” dhe “SGA”: Detyrimet financiare mblidhen vetëm nga Përmbarimi

0
431

Ministria e Drejtësisë ka vendosur të vihet në lëvizje sa i takon skandalit me falimentimin e “Veneto Banka”. Pas publikimit të dhjetra informacioneve nga gazeta, ka pasur disa letërkëmbime midis Ministrisë së Drejtësisë dhe Bankës së Shqipërisë. Presidenti dhe Avokati i Popullit kanë kërkuar sqarime për falimentimin e bankës dhe kjo ka bërë që Ministria e Drejtësisë të vihet në lëvizje, duke pyetur atë që ka përgjegjësinë, Gent Sejkon. Gazeta këto ditë ka treguar detaje nga përgjigjja e Bankës së Shqipërisë ndaj Ministrisë së Drejtësisë, ku justifikon zhdukjen e kolateraleve të shqiptarëve jashtë vendit. Sot po tregojmë një letër që Ministria e Drejtësisë i dërgon Sejkos, ku ia bën të qartë se kolateralet mund të sekuestrohen apo pagesat e detyrimeve të bëhen me mirëkuptim, vetëm nga Përmbarimi Gjyqësor dhe nga asnjë institucion tjetër. Pra këtu i ka dhënë një goditje të fortë për mbështetjen ndaj “Tranzit” dhe “SGA”. “Lidhur me nevojën për sqarim nga ana e institucionit tonë, sa i përket subjekteve legjislacioni në fuqi njeh për mbledhjen e detyrimeve financiare me mirëkuptim, jashtë procesit të ekzekutimit te detyrueshëm. Sqarojmë se është një veprimtari që kryhet vetëm nga Shërbimi Përmbarimor Gjyqësor. Ligji i ri nr. 26 2019 Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, miratuar në datën 8.5.2019 dhe botuar në Fletoren Zyrtare, ka përcaktuar si veprimtari dytësore të përmbaruesve gjyqësorë privatë në nenin 2. pika 2. shkronja “b”. njoftimin dhe kryerjen e mbledhjes së detyrimeve financiare me mirëkuptim, me kërkesë të të interesuarve”, thuhet në letër.

Parashikimet ligjore

Më tej bëhet e ditur se neni 3, shkronja “g”, përcakton po shumë qartë se, veprimtaria dytësore është veprimtari që kryhet sipas përcaktimeve të këtij ligji vetëm nga përmbaruesi gjyqësor privat. “Qëllimi i legjislatorit, nisur dhe nga diskutimet e projektaktit në komisionet përkatëse të Kuvendit para miratimit, ishte rregullimi i problematikës së deritanishme të mbledhjes së detyrimeve nga subjekte të pakontrolluara dhe të parregulluara me ligj, dhe normimi i veprimtarisë së mbledhjes së detyrimeve, nga subjekte që licencohen dhe monitorohen nga një institucion shtetëror, siç janë përmbaruesit gjyqësorë privatë. Sa më sipër, nuk është qëndrim i Ministrisë së Drejtësisë, por një parashikim ligjor i detyrueshëm për zbatim”, thuhet në dokument. Në përfundim Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë ka kërkuar nga BSH që në bashkëpunim me Dhomën Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësore Privatë, të organizohen tryeza të përbashkëta me qëllim lehtësimin e zbatimit të parashikimeve të reja ligjore, deri në krijimin e një praktike të konsoliduar. Kjo shkresë është një goditje sa i takon lëvizjeve të “Tranzit” dhe “SGA” në vendin tonë. Italianët po përdorin “Tranzit” për të mbledhur detyrimet e prapambetura të kredive të “Veneto Banka”, por që sipas MD një gjë të tillë e bën vetëm Përmbarimi dhe asnjë institucion tjetër privat.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here