Vrasja e Santiago Malkos, nën hetim dhe Inspektorati i Pyjeve, ish-polici ishte në kërkim dhe punonte si inspektor

0
374

Paralelisht me hetimet për zbardhjen e vrasjes së ish efektivit të policisë Santiago Malko, prokuroria ka nisur hetime edhe për punësimin e tij në administratën shtetërore. Hetuesit po hetojnë mënyrën se si 26-vjeçari ka mundur të futet në administratën shtetërore, kur dihet që të jesh punonjës publik, kriteri bazë është dëshmia e penalitetit. Sipas hetimeve, rezulton që Malko prej fillimit te vitit 2019 ka mbajtur detyrën e inspektorit të pyjeve në zonën e Dajtit edhe pse ai ka qenë në kërkim policor për ngjarjen në ish Bllok, me një të vrarë e dy të plagosur. 26-vjeçari, edhe pse nuk ka shkuar asnjëherë në punë, rezulton se pagesat në llogarinë e tij bankare derdheshin normalisht. Rreth tre javë më parë, 26-vjeçari u qëllua për vdekje në zonën e porcelanit, teksa ishte duke udhëtuar me automjetin e tij tip “BMW X5”. Gjithashtu kujtojmë se rreth një javë më parë Drejtoria e Standardeve nisi verifikime edhe për rreth 123 punonjës policie, që janë identifikuar përmes përdorimit të një passwordi të veçantë, pasi kanë kërkuar të dhëna në sistemin TIMS për ish-policin. Referuar ligjit, asnjë punonjës policie nuk mund të nxjerrë apo të kërkojë të dhëna nga sistemi TIMS nëse nuk është i ngarkuar drejtpërdrejtë me hetimin e një çështje të caktuar. Drejtuesit e policisë kanë dyshime se fotoja që ka dalë nga sistemi TIMS është bërë edhe publike në media. Gjithashtu, janë publikuar edhe të dhëna sensitive që kanë cenuar figurën e viktimës. Referuar ligjit, asnjë punonjës policie nuk mund të nxjerrë apo të kërkojë të dhëna nga sistemi TIMS nëse nuk është i ngarkuar drejtpërdrejtë me hetimin e një çështje të caktuar.

26-vjeçari i druhej atentatit

Një grup i posaçëm është ngritur pranë Policisë së Tiranës dhe po heton rutinën e përditshme të 26 vjeçarit Santjago Malko, për të gjetur ndonjë indicie që do të çonte në gjurmë të ekzekutorëve të tij. Sipas asaj që ka mësuar policia deri tani, Malko i kishte marrë masat për t’i shpëtuar ndonjë atentati. Nga hetimet e deritanishme, Policia e Tiranës ka zbuluar se 26-vjeçari Santjago Malko i druhej një atentati, prandaj lëvizte prej më shumë se 6-muaj me një automjet të blinduar. Për motive të paqarta, më 27 gusht ai lëvizi me një automjet tjetër ku edhe u vra. Përveç pamjeve të kamerave të sigurisë pranë vendit ku ndodhi vrasja, policia ka sekuestruar edhe një sërë pamjesh pranë banesës së 26-vjeçarit dhe të lokaleve që ai frekuentonte, për të parë nëse mund të identifikohen personat të cilët mund ta kenë gjurmuar prej kohësh 26-vjeçarin. Nga kqyrja e kamerave të sigurisë në rrugën “Xhanfize Keko”, grupi hetimor tashmë ka rindërtuar dinamikën e plotë si dhe mënyrën se si ish efektivi Santjago Malko u ekzekutua në mënyrë mafioze mbrëmjen e 27 gushtit në Tiranë. Burime pranë uniformave blu sqaruan se nga pamjet e kamerave të sigurisë të disa bizneseve përgjatë zonës së Porcelanit, ku ndodhi edhe vrasja, ka rezultuar se teksa 26 vjeçari Malko ishte në lëvizje me automjetin e tij tip BMW X5, pas tij qëndronin edhe dy automjete të tjera, njëra tip “Volkswagen Golf 6”, e ndërsa pas tyre, në një distancë shumë të afërt automjeti tjetër tip “Mercedes-Benz CLS”. Të dyja këto automjete dyshohet të jenë automjete me të cilat kanë lëvizur atentatorët dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Elvis MYRTA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here