Dokumenti, ja si Gent Sejko justifikon lëvizjet e “Tranzit” për sekuestrimin e kolateraleve, pretendon se nuk ka asnjë shkelje ligjore

0
412

Dalin në dritë të tjera detaje që implikojnë guvernatorin Gent Sejko në skandalin me Veneto Banka. Në kuadër të letërkëmbimeve midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, gazeta ka siguruar një shkresë të zv/guvernatorit të BSH, Luljeta Minxhozi, e cila justifikon lëvizjet e Tranzit. “Për sa i takon veprimtarisë së mbledhjes së detyrimeve financiare nga shoqëria Tranzit shpk, Ministria e Drejtësisë është shprehur se bazuar në ndryshimet e fundit ligjore mbledhja e detyrimeve financiare me mirëkuptim është një veprimtari e cila kryhet vetëm nga përmbaruesit gjyqësor. Kuptojmë se ndryshimet e përmendura lidhen me ligjin 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, të cilat janë botuar në Fletoren Zyrtare në datë 10 korrik 2019 dhe kanë hyrë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Për rrjedhojë, deri në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit të mësipërm, nuk mund të pretendohet se është shkelur ndonjë dispozitë ligjore, për sa kohë marrëdhënia juridike ndërmjet Tranzit shpk dhe SGA spa është krijuar shumë kohë para hyrjes në fuqi të ligjit nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat’”, thuhet në shkresë. Pra duket qartë se si BSH sërish rreshtohet pranë Tranzit. Por më tej pranohet se dhe vetë Banka e Shqipërisë nuk ka të qartë ligjin dhe kjo tregon qartë se përse ka ndodhur gjithë kjo katrahurë me falimentimin e Veneto Banka. “Pas njohjes me qëndrimin e Ministrisë së Drejtësisë se mbledhja e detyrimeve financiare me mirëkuptim është një veprimtari e cila kryhet vetëm nga përmbaruesit gjyqësorë, vlerësojmë se mund të ketë nevojë që të sqarohet më në detaje kjo çështje, pra ekskluziviteti që i jepet përmbaruesve gjyqësorë privatë, për ushtrimin e veprimtarisë së mbledhjes së detyrimeve financiare me mirëkuptim, (nëse ka qenë ky qëllimi i ligjvënësit) dhe a është kuptuar në mënyrë të tillë nga industria bankare e cila aktualisht mund të ketë në fuqi marrëdhënie juridike me shoqëri të cilat mbledhin detyrimet financiare me mirëkuptim. Për këtë qëllim shprehemi të gatshëm për vijimin e bashkëpunimit mes dy institucioneve për qartësimin e ndryshimeve më të fundit ligjore”, thuhet në dokument.

Lëvizjet e Sejko

Pak ditë më parë gazeta publikoi një tjetër dokument, ku Banka e Shqipërisë nuk sqaron se ku kanë shkuar kolateralet e shqiptarëve. Së pari Sejko del në mbështetje të bankave, duke deklaruar se i takon asaj të klasifikojë kredi të keqe këdo që ka vonesa. Ndërkohë skandali me “Veneto Banka” është se dhe kreditë me 1 muaj vonesë kanë hyrë në listën e zezë. Ndërkohë që vetë BSH ka hartuar një rregullore për këtë proces. “Në çdo rast që banka gjykon se ka elementë të tjerë shtesë, pavarësisht ditë-vonesave, të cilët justifikojnë klasifikimin dhe provigjionimin në një klasë më të ulët se ajo e parashikuar në rregullore, mund ta realizojë këtë”, thuhet aty. Po ashtu më tej Sejko heq përgjegjësinë për kalimin e kapitaleve. Kreditë dhe kolateralet e klientëve kaluan në Itali. Por Sejko shprehet se nuk ka përgjegjësi në këtë mes. “Në vijim, përfitojmë nga rasti t’ju bëjmë me dije se transaksionet e kalimit (transferimi) i kredive nuk rregullohen nga Banka e Shqipërisë, por parashikohen në Kodin Civil. Në nenin 499 të Kodit Civil”, thuhet në shkresë. Më tej Sejko shprehet se bazuar në këto dispozita, transaksionet e kalimit të kredive konsiderohen si një aktivitet normal biznesi i bankave. Po ashtu ai justifikon veprimet e “SGA”. “Theksojmë se debitorët e Bankës Veneto sh.a., kredia e të cilëve i ka kaluar Shoqërisë SGA spa, vazhdojnë të jenë debitorë sipas detyrimeve të përcaktuara në kontratën përkatëse dhe detyrimi i tyre kryesor është shlyerja e kredisë”, thuhet aty.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here