Publikohet në Fletoren Zyrtare ligji i ri, pas 1 nëntorit nuk do të ketë më ofertë të pakërkuar për koncesionet

0
343

Ndryshimet në ligjin për koncesionet janë publikuar dje në Fletoren Zyrtare. Kjo do të thotë se do ketë disa kufizime. Propozimet e pakërkuara për koncesione do të mbyllen pas datës 1 tetor 2019. Dispozita e fundit e ndryshimeve, parashikojnë se autoritetet kontraktore do të vazhdojnë procedurat për shqyrtimin dhe dhënien me koncesion vetëm për propozimet e pakërkuara, të paraqitura para datës 1 tetor 2019 për të cilat është krijuar nga autoriteti kontraktues Komisioni i Koncesionit/PPP. Në këtë projektligj është parashikuar edhe krijimi i një organi kolegjial, Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve të Koncesionit/PPP, i cili do të përzgjedhë projektet e koncesionit/PPP të cilat do të asistohen me ekspertizë të specializuar, për hartimin e studimeve të fizibilitetit dhe/ose oponencën e tyre, duke i dhënë kështu një mundësi autoriteteve kontraktore që të kërkojnë mbështetje për zhvillimin e projekteve me ekspertizë të specializuar. Komiteti i Përzgjedhjes së Projekteve të Koncesionit/PPP do të koordinohet së bashku me ATRAKO-n, i cili do të analizojë kërkesat e autoriteteve kontraktuese për mbështetje me ekspertizë të specializuar dhe do t’i propozojë ato për miratim Komitetit. Në total rezulton se Shqipëria ka aktualisht 217 kontrata koncesioni/PPP. Projektligji parashikon një rol të madh monitorues e vendimmarrës të Ministrisë së Financave, me qëllim menaxhimin më të mirë të tyre e shmangien e pasojave negative që mund të ketë në ekonomi në rast keqmenaxhimi. Ligji në fjalë shkaktoi debate të forta në Parlament. Ndërkohë, lideri demokrat Lulzim Basha lëshoi dhe kërcënime. “Sot po ju vëzhgojmë dhe mbajmë shënim emrat. Nesër do t’ju ndjekim këmba këmbës. Çdo qindarkë, çdo shpenzim në Shqipëri dhe jashtë saj, çdo pronë dhe pasuri e juaja do të jetë nën lupën e Ligjit Antimafia dhe të SPAK-ut. Çdo kompani private, çdo person privat dhe publik i përfshirë në këto afera, që nga procesi i hartimit deri tek miratimi, deri tek ngritja e dorës. Të gjithë, nga më i thjeshti ndihmës deri tek kryeministri, do ti nënshtrohen hetimit të pasurisë dhe të ardhurave, në Shqipëri dhe kudo që ti kenë”, tha Basha.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here